Sot në qiellin e Vlorës pas më shumë se 10 ditësh flakë dhe tym është dukur më në fund një helikopter me mision për të fikur zjarret. Sipas asaj që shkruan kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, më ndërhyrjen e tij po vihen në kontroll flakët në një vatrave më aktive, atë në Dukat.
Vendin e kanë pushtuar zjarret, sidomos pamjet nga Qarku i Vlorës kanë qenë vërtet apokaliptike. Qytetarë të frikësuar dhe punonjës që me vetëmohim dhe mjete rrethanore, degë pemësh dhe lopata, luftojnë me flakët.
Kjo ka qenë panorama e këtyre 10 ditëve ndërkohë që autoritetet kanë ‘fikur’ telefonat edhe për gazetarët.
Edhe kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i janë dashur ditë të tëra për të pasur një reagim për zjarret që kanë pushtuar kryesisht Dukatin, Tragjasin dhe Karaburun.
Leli është shprehur nga Dukati se mbërritja e helikopterit të Forcave të Armatosura ka filluar të stabilizojë gradualisht situatën.
“Nga Dukati, po shohim këtë mëngjes një dritë shprese që njësoj si për natyrën vlen edhe për sakrificën e atyre dhjetëra djemve të Zjarrfikëses, Ushtrisë, përfaqësuesve të Zonave të Mbrojtura dhe Bashkisë Vlorë.
Mbërritja e helikopterit të Forcave të Armatosura, për të ndërhyrë në fikjen e zjarreve nga ajri, ka filluar të stabilizojë gradualisht gjendjen e rënduar që përfshiu Karaburunin në ditët më të nxehta të korrikut”, ka shkruar Leli, teksa ka postuar edhe foto në rrjetet sociale.