Amerikanët duken të vendosur për t’i dhënë fund korrupsionit në Ballkan. Sali Berisha duket se nuk ishte i vetmi, pasi dje DASH ka nisur reprezaljen dhe në Bullgari.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendimin për të shpallur “non grata” pesë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë në Bullgari. Ata janë Alexander Manolev, Petar Haralampiev, Krasimir Tomov, Delyan Slavchev Peevski, si dhe Ilko Dimitrov Zhelyazkov. Por dje DASH ka publikuar detaje mbi të gjitha vendimet e marra prej vitit 2018.
Departamenti i Shtetit në faqen zyrtare ka bërë publike të gjitha listat, dhe ajo që bie në sy është se të gjithë të shpallurit “non grata” janë nga shtete që njihen publikisht si të zhytura në korrupsion. Ish-kryeministri Sali Berisha i shpallur pak ditë më parë “non grata”, është futur në të njëjtën listë me liderët e Nigerisë, të Guatemalës, të Ganës, të Gambias, të Kongos, Burmës apo Zimbabve.
Ajo që bie në sy është se Berisha është në një listë me Raul Kastron, diktatorin e Kubës. Po ashtu krah tij janë një sërë ish-gjeneralësh në shtete afrikane dhe jo vetëm të akuzuar për krime ndaj njerëzimit. Po ashtu në listë është një ish-president i Nikaraguas i dënuar me 20 vite burg për korrupsion.
Në listë është dhe një politikan meksikan i lidhur me trafikun e drogës. Pjesa dërrmuese e të shpallurve të padëshiruar janë pikërisht nga këto shtete, ndërkohë shumë pak janë nga Rusia, Bosnja, apo Serbia dhe Shqipëria. Pra duket qartë se vendimi i DASH ndaj Berishës është një goditje e fortë, pasi ai është futur në të njëjtën listë me diktatorë dhe zyrtarë nga Afrika, të cilët njihen për korrupsionin e tyre masiv.
Bie alibia e padisë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të hedhë në gjyq Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpifje. Asnjë jurist deri më sot nuk e ka aprovuar këtë padi, ndërsa vetë DASH e ka bërë shumë të qartë se asnjë vendim gjykate nuk mund të nxjerrë nga lista e zezë 170 emrat e shpallur “non grata”. Në faqen e tij në internet, Departamenti i Shtetit bën me dije se ka vetëm dy mënyra që vendimi të ndryshojë.
E para është kur SHBA ka një interes madhor nga personi në fjalë dhe e dyta, kur Sekretari i Shtetit është i bindur se zyrtari tashmë nuk është më person i korruptuar dhe që cenon interesat e SHBA. Një përcaktim i tillë është pikërisht në nenin 7031(c)/1 në ligjin e buxhetit.
“Sekretari mund të heqë dorë nga zbatimi i paragrafit të parë (shpallja non grata) nëse heqja dorë do t’i shërbente një interesi bindës kombëtar ose nëse rrethanat që e kanë bërë individin të mos jetë i pranueshëm kanë ndryshuar mjaftueshëm”, thuhet në nen. Pra aty është bërë e qartë se asgjë tjetër nuk mund ta ndryshojë këtë vendim, duke përfshirë dhe vendime gjykate.
Padia e Berishës
Vetë ish-kryeministri, një ditë pas shpalljes së vendimit të DASH, lajmëroi se do të bënte një padi në Francë, duke e akuzuar zotin Blinken për shpifje. Ajo që është mësuar më vonë është se Berisha do mundohet të justifikohet se ndaj tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në korrupsion, por DASH është keqinformuar nga Soros dhe Rama. “Kam bindjen e thellë se kjo deklaratë kundër meje është bazuar tërësisht në informacion të gabuar që zoti Sekretar i Shtetit Antony Blinken ka marrë nga një proces lobimi i korruptuar që përfshin Edi Ramën dhe George Soros, të cilët janë miq të afërt. Ata nuk kanë fakte.
Asnjë fare. Sikur të bënin të ditur ndonjë, do t’u isha mirënjohës. Por ata nuk kanë prova konkrete të bazuara në fakte, jo në manipulime e shpifje”, tha Berisha edhe pak ditë më parë. Ndërkohë shumë ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën se kjo është strategji vetëm për të fituar kohë, pasi nuk ka vlerë një padi e tillë në Francë. Për më tepër që vendimet e Blinken nuk ankimohen dhe SHBA nuk do njohë asnjë lloj vendimi.