Kreu i PD-së, Sali Berisha ka tentuar të manipulojë opinionin publik, duke keqpërdorur një situatë në Strasburg, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në tetor 2022.
Berisha, në një deklaratë për mediat, ka aluduar sot se asokohe u anulua darka zyrtare, pasi sipas tij “Rama nuk ishte i denjë për të marrë pjesë”.
Berisha ka zgjedhur të gënjejë dhe të shtrembërojë të vërtetat, duke mbështetur në mënyrë të turpshme raportin famëkeq të Dick Marty-t, një dokument i përdorur nga prorusët për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.
Nuk është hera e parë që Berisha merr pozicione që përkojnë me linjat ruse dhe serbe.
“Por duhet t’u them këtu, ishte një kënaqësi shumë e veçantë, pas të themi pothuajse skandalit ndërkombëtar të Edi Ramës, çka kishte detyruar në një akt të pashembullt me një lider evropian, kishte detyruar drejtuesit e këtij institucioni të anulojnë darkën zyrtare të parashikuar për kryeministrin e Shqipërisë, pasi ai nuk ishte i denjë për këtë darkë.
Nuk ishte i denjë, ia anuluan darkën. Nuk po ndalem në reagimet e tij pas anulimit të darkës që janë një turp i madh për të mos thënë dhe gjer më shumë.
Por tani po informoj shqiptarët se unë aty isha zëri i tyre, zë që u paraqiti grupeve parlamentare të vërtetat mjerisht pak të njohura mbi regjimin e Edi Ramës, narkoshtetin dhe narkodiktaturën në Shqipëri”, u shpreh Berisha në deklaratën e sotme.
Por faktet janë ndryshe: Fjalimi i kryeministrit Rama, i gjatë mbi një orë dhe i duartrokitur nga shumë deputetë europianë, shkaktoi tejkalim të programit, duke bërë që darka e organizuar nga misioni shqiptar të mos zhvillohej, për shkak të axhendës së tejzgjatur.
Për më tepër, Rama zhvilloi një drekë pune me drejtuesit më të lartë të Asamblesë Parlamentare – përfshirë presidentin e parlamentit, sekretaren e përgjithshme dhe krerët e grupeve politike, ku u diskutuan në thellësi të gjitha çështjet me interes për Shqipërinë dhe rajonin.
Kujtojmë që Rama kërkoi një rezolutë, kundër rezolutës së Dick Marty për “krimet shqiptare”.