Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se është i gatshëm të takohet me Kim Jong-un, pas vizitës që kreu i Koresë së Veriut zhvilloi në Kinë ku gjithçka shkoi shumë mirë.
Por Trump tha se sanksionet maksimale dhe presioni mbi Korenë e Veriut do të vazhdonin përpara bisedimeve të propozuara në maj.
Ai shtoi se denuklearizimi i gadishullit Korean ishte tani një mundësi.
Sipas BBC, komentet vijnë pas takimit të liderit komunist Kim Jong-Un me presidentin e Kinës Xi Jinping, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës në vitin 2011.
Kim Jong un dhe gruaja e tij u përshëndetën me një banket dhe roje nderi, me presidentin Xi Jinping që thuhet se ishte i angazhuar për denuklearizimin.
Kina është ndërmjetësi kryesor i Koresë së Veriut me fuqitë e tjera rajonale dhe globale.
Të mërkurën, Trump përshëndeti lajmin për përparimin e bisedimeve midis dy liderëve në Pekin, pas disa ditësh spekulime mbi vizitën e Jong Un-it në Pekin.
“Tani ka një shans të mirë që Kim Jong-Un do të bëjë atë që është e drejtë për popullin e tij dhe për njerëzimin”, tha Trump, duke shtuar në postimin e tij në Twitter se lideri koreano-verior Kim Jong Un po pret të takohet me presidentin amerikan gjatë muajve të ardhshëm.
Takimi me Kim Jong-Un do ta bënte Trumpin presidentin e parë të SHBA-së që takon një udhëheqës të Koresë së Veriut. Pikërisht ky takim pritet të ndodhi disa muaj pas acarimit të marrëdhënieve diplomatike për shkak të disa testimeve të raketave dhe bombës me Hidrogjen nga ana e Koresë së Veriut.