Para disa ditësh deputetja Rudina Hajdari dha lajmin se deputeti i opozitës Andi Përmeti po kalonte një periudhë të vështirë shëndetësore pasi ishte prekur nga koronavirusi.
Pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua deputeti është dërguar për kurim në Turqi, ku prej disa javësh po merr trajtimin e specializuar.
Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kryetar i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend dhe lajmin e mirë për deputetin Përmeti.
Balla u shpreh se Andi Përmeti e ka mposhtur koronavirusin dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, ku pritet të kthehet në Tiranë.
“Ne kemi kolegë që e kanë kaluar covid, gjej rastin të ndaj lajmin e mirë që kolegu ynë Andi Përmeti e fitoi këtë betejë”, u shpreh Taulant Balla.
Edhe nënkryetarja e Parlamentit, Vasilika Hysi falënderoi Ballën për lajmin e mirë dhe uroi që deputeti të kthehej sa më parë.