Spiro Urumi ishte njeriu i pasioneve të mëdha. Aktori i njohur i teatrit të Durrësit që është ndarë nga jeta 17 vjet më parë jetoi intensivisht mes artit dhe sportit, duke u kthyer në një simbol të qytetarit pasionant.
– Mjeshtri i sporteve –
Pipi, siç vazhdojnë ta thërrasin Spiro Urumin bashkëmoshatarët ka nisur të merret me sport në moshë shumë të re.
Shtatëlartë dhe shumë energjik që në vitin 1945 ai u aktivizua në ekipet e volejbollit dhe basketbollit në Durrës, duke fituar titullin e kampionit për të rinj në vitet 1946-1947. Në moshën 18-vjeçare, Urumi përfshihet në ekipin kombëtar të notit, duke përfaqësuar Shqipërinë në Ballkaniadën e notit dhe vaterpolit në Split e më vonë edhe në Hungari. Së bashku me shokët e tij Goga, Berberolli, Vokopola, Njala, etj. për afro 15 vjet ai bëhet një nga shtyllat e skuadrave të Durrësit dhe Partizanit në sportet e notit, vaterpolit, volejbollit, basketbollit, hendbollit, futbollit, atletikës, etj. duke merituar disa tituj kampioni radhazi. Spiro Urumi u largua nga fushat e stërvitjes në vitin 1962, duke u nderuar me titullin “Mjeshtër sporti”.
-Mbi 100 role në teatër dhe kinema-
“Spiro Urumi ka qenë një aktor me temperament të gjallë dhe me vullnet të jashtëzakonshëm, i etur për dituri, me vendosmëri, seriozitet dhe përkushtim maksimal në punë”. Kështu e përkufizon regjisori Gjergj Vlashi, “Artistin e Merituar”, Spiro Urumi.
Por pasioni i Pipit për artin i ka fillimet që në fëmijëri. I pasionuar pas kinemasë, në moshën 13 vjeçare i hyn me pasion mësimit të gjuhës italiane. Ishte abonuar në 4 revista kinematografike italiane të kohës dhe ndiqte çdo film që shfaqej në kinema, siç dëshmojnë edhe ditarët e tij.
Nuk heq dorë nga ky pasion, megjithëse një kohë të madhe ia zinte sporti. Fillimisht në teatrin e ushtrisë në vitin 1949. Në vitin 1953 Urumi është një nga aktorët themelues të teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu”. Në premierën përuruese të këtij teatri Spiro Urumi u vlerësua për realizimin e rolit të Xhelos në komedinë “Vajza nga fshati” të autorit Fatmir Gjata.
Do të vijojnë më pas më dhjetra role së bashku me kolegët e tij Nikolin Xhoja, Lutfi Hoxha, Vangjel Heba, Ali Bega, Mirush Kabashi, etj. Një nga dimensionet më të njohura të Urumit ishte recitimi, gjini të cilën ai e kultivoi me shumë vullnet e kulturë. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike Spiro Urumi ka patur përkrah bashkëshorten e tij Verën, aktore shumë e talentuar, edhe ajo “Artiste e Merituar”.
Në galerinë prej 90 rolesh në teatër kolegët e tij veçojnë: Selimi te “Familja e peshkatarit” (1955) , Koçkariovi te “Martesa” (1955), Ivanovi te “Çështja Ivanov” (1959), Arnolfi te “Shkolla e grave” (1957), Shmidi te “Ndalesa e fundit” (1962), Njeriu me mantel te “Dashuri e tillë” (1963) etj. Spiro Urumi ka realizuar edhe 15 role të tjerë në kinematografinë shqipotare.
Për këtë veprimtari në vitin 1992 ai është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
“Në jetën time më shumë kam notuar se sa kam vrapuar”. Këto fjalë janë shkëputur nga fletët e fundit të ditarit të Spiro Urumit, njeriut të cilin bashkëqytetarët e tij vazhdojnë ta kujtojnë edhe sot për pasionin e pafund për detin e notimin si dhe për kontributin e madh në teatrin “Aleksandër Moisiu”.