Rindërtimi i banesave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit pritet të nisë së shpejti. Dje, kryeministri Edi Rama bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, vizituan një familje në Farkë, e cila ka mbetur pa banesë, që pas 26 nëntorit.
Familja në fjalë është sistemuar në kontenier, e për këtë, kryeministri Rama tha se në fund të marsit dhe deri në fillim të muajit prill do të fillojnë që të montohen shtëpitë e reja me parafabrikate, të cilat do të grupohen. Sipas kryeministrit, familjet që janë prekur nga tërmeti do të grupohen në një vend të caktuar, duke theksuar se toka që kishin banesën që u shemb, do u mbetet po atyre. Po ashtu, kryeministri thekson se modeli i banesave që do të rindërtohen do të jenë cilësore dhe të sigurta.
“Këtu janë bashkë, thjesht në këto raste do të rindërtohet shtëpia ku ka qenë, ndërsa në rastet e tjera do i bëjmë bashkë, nuk do i pyesim shumë, pasi është e mira e tyre, do të kenë shumë më tepër kushte të mira. Do të jenë afër njëri-tjetrit, por edhe shërbimet dhe jo nga maja e malit për të marrë pensionin poshtë, apo kur ka nevojë për një urgjencë të vijë në majë të malit, apo fëmijë ik dhe eja në majë të malit. Ndërkohë që toka i mbetet atij që e ka dhe të shkojë ta punojë. Krijohet edhe format e tjera, mblidhen familjet….Këtë do ta bëjmë, po ecim shpejt me punët edhe besoj që në fillim të pranverës në fund të marsit me ndihmën e Zotit të fillojmë të montojmë shtëpitë e reja”, tha kryeministri Edi Rama.
Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj tha se familjet që kanë fëmijë të vegjël do të zhvendosen nga çadrat në kontenierë. Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka porositur të paktën 200 shtëpiza në formë kontenieri për strehimin provizor të këtyre familjeve në këto ditë të ftohta. Veliaj tha se këta kontenierë do të vendosen kryesisht në zonat rurale, pasi familjet aty nuk kanë pranuar që të largohen nga toka. “Kryeministri na la një porosi që ku ka fëmijë të vegjël, që çadra nuk është komode, kemi porositur kontenierë, kemi porositur 200. Kemi filluar edhe pastrimin e territoreve ku do të jenë lagjet e reja. Familjet do i grupojmë”, tha ai.