Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook se nga njëra anë gjëmojnë daullet e rindërtimit prej tërmetit dhe nga ana tjetër topat e luftës me KÇK-në, ndërsa nuk kursen ironitë kur shkruan se; “ndërsa nga ana tjetër do të bombardoheni me filma me metrazh të shkurtër”.
Duke marrë shkas nga situata politike në vend Astri Patozi vjen me sugjerim, që ky vit të merret me qetësi.
Postimi i plotë i Astrit Patozit:
DUHET MARRË ME QETËSI KY VIT…
Duhet marrë me qetësi ky vit, se është shumë shpejt për t’u mërzitur. Për ata që gënjehen lehtë është e sigurt se do të jetë i mbushur me ngjarje dhe dukuri të rralla dhe të jashtëzakonshme.
Nga njëra anë do të gjëmojnë daullet e rindërtimit prej tërmetit dhe topat e luftës me KÇK-në, ndërsa nga ana tjetër do të bombardoheni me filma me metrazh të shkurtër, videoklipe, por sidomos me premtime për zgjedhje të parakohshme, të cilat janë gjithmonë te pragu i derës, që vetëm në çastin e fundit nuk hapet.
Madje edhe bandat do të bëjnë sikur janë trembur dhe janë strukur nga kjo goditje e pamëshirshme e shtetit prej kartoni, sepse edhe ato e dinë se fushatat mbarojnë shpejt.
Dalëngadalë do të harrohen arsyet që sollën atë paqe të papritur dhe mbi të gjitha kushtet e shenjta të Bundestagut, që dy javë më parë shërbenin si flamur për të udhëhequr tufat e armiqve të qeverisë.
Të gjithë janë në rolin e tyre për të na marrë vëmendjen që të mos kuptohet se i vetmi vendim që kanë marrë është mosndryshimi i statuskuosë. Sikur e kam para syve 15 marsin e kuartetit të famshëm të Këshillit Politik, që do të prodhojë asgjënë e parë. Dhe pastaj do të kërkohet të blihet një kohë tjetër, e kështu me radhë deri në fund.
Dalëngadalë do të biem në vitin tjetër me të njëjtat halle dhe me të njëjtët cuba, që i hakërrehen njëri-tjetrit, për faje dhe krime të përbashkëta, gjithmonë duke u ankuar se për të ndryshuar diçka në rendin e punëve në Shqipëri nuk ka asnjëherë kohë.