Ndërkombëtarët kanë intensifikuar vizitat në Gjykatën Kushtetuese në një kohë që kjo e fundit nuk është shprehur ende sa i takon shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra dhe ligjshmërisë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019.
Më 16 shtator Kushtetuesen e vizitoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ku teksa takoi trupën gjykuese të kësaj gjykate, iu kërkoi atyre që të kenë seriozitet dhe kurajo në vendimet që marrin.
Ambasadorja franceze i shkon në zyrë Vitore Tushës
Por pas ambasadores amerikane në Gjykatën Kushtetuese ka zbarkuar ambasadorja e Francës në vendin tonë, Elisabeth Barsacq. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kushtetuesja në faqen e saj zyrtare, ku mes të tjerash thekson se pjesë e diskutimit ishte zbatimi i ligjit në frymë dhe germë. “Sot, në datën 17.09.2021, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate me Ambasadoren e Francës në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj Zonjën Elisabeth Barsacq.
Gjatë takimit, u diskutua edhe rreth garancive që u ofrohen individëve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga Gjykata Kushtetuese, hierarkisë së normave ndërkombëtare dhe vendit që ato zënë në të drejtën e brendshme, mënyrave të shkëmbimit të informacionit mes gjykatave kushtetuese për çështje të caktuara gjyqësore, modaliteteve të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë vendimmarrëse të gjykatës, kritereve të përcaktimit të prioritetit të çështjeve që vijnë për shqyrtim në këtë gjykatë; si dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të dhëna nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Pazaret shqetësojnë ndërkombëtarët
Por këto vizita në Gjykatën Kushtetuese vijnë pas zërave se në prapaskenë po gatuhet një pazar për të bllokuar shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Pra, ndërkombëtarët janë në alarm nga zhvillimet që po ndodhin në prapaskenë dhe janë vënë në lëvizje për të bllokuar presidentin dhe dhënies së garancive për trupën e anëtarëve të Kushtetueses, me qëllim që këta të fundit të jenë sa më objektivë në marrjen e vendimit për shkarkimin e Metës dhe zgjedhjet lokale të 2019. Më herët ishte gazeta “SOT” që raportoi se kemi një pazar të fortë në prapaskenë. Së pari prej 9 muajsh po mbahet peng plotësimi i Gjykatës së Lartë.
Kushtetuesja ka me ligj 9 anëtarë dhe 3 të fundit i emëron Gjykata e Lartë. Kjo e fundit nuk i ka emëruar emrat e saj sepse nuk ka krijuar kuorumin e nevojshëm prej 10 anëtarësh. Momentalisht janë në detyrë vetëm 9 dhe anëtari i dhjetë nuk emërohet. Emri i fundit që duhet të kalojë është nga radhët e juristëve dhe ai është kualifikuar që në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Por KLGJ nuk është kujtuar asnjëherë të marrë vendim për emërimin e tij. Pra duket se po mbahet qëllimisht peng Gjykata e Lartë, pasi përmes saj nuk plotësohet dot Kushtetuesja dhe kjo shmang shkarkimin e Metës.