Një deklaratë e e përfaqësuesit të PD-së Ivi Kaso shqyrtonte disa akte gjyqësore që i kthenin një pronë bregdetare fisit Koleka, degëzim i së cilit është dhe kryeministri Edi Rama.
Pretendimi i Kasos dukej pak i vagullt, ai thoshte se familja Koleka ishte në gjyq me ATP-në (e varur nga qeveria) për këtë pronë dhe se vendimi gjyqësor vendosi në favor të familjes Koleka.
Sipas Kasos kjo e bënte të dyshimtë procesin.
Në fakt ky proces me aq sa shpjegonte Kaso nuk dukej se kishte ndonjë problem, për sa kohë mosmarrëveshjet e pronarëve me organet administrative qeveritare, në gjykatë shkojnë e zgjidhen. Rama nga Himara e quajti sharlatanizëm deklaratën e Kasos por goditja e vërtetë erdhi pak më vonë.
Në Top Channel u publikua një dosje tepër delikate e një prone të rëndësishme në zonën e ish-bllokut, ku sipas TCH, Ivi Kaso dhe Ardiana Fullani kanë përfituar pronën në fjalë për një kërkese fiktive për legalizim dy vite pasi godina që do legalizohej ishte shembur..
Konstaton Top Channel:
Sipas origjinës së pronës së përfituar, në vendin ku më parë ka qenë restorant “Berlini”, është legalizuar një sipërfaqe ndërtimi 200 metra katror, për shkak të supozimit se ka ekzistuar një ndërtesë 190 metra katrorë.
Pas kësaj, në Hipotekë shfaqet si pronare jo personi që ka vetëdeklaruar legalizimin, por Arjana Fullani, Ivi Kaso dhe një qytetare tjetër, jo person publik. Të tre poseduesit e rinj të pronës kanë bërë bashkimin e pasurisë dhe rezultojnë pronarë të saj.
Vetëdeklarimi për legalizim në mënyrë të paligjshme, është bërë nën garancitë e një personi që mbulonte zyrën antikorrupsion të Berishës, dhe një gjykatëseje të Gjykatës së Lartë. Edhe hipotekimi është bërë në kohë rekord.
Duket sikur PD duke dashur të heqë vetullat, ka nxjerrë sytë. Rama ka reaguar duke nxjerrë nga sirtari një aferrë prej vërteti.
Ajo çfarë bën çudi në këto episode janë dy elemente:
Së pari PD-ja dhe pse ka 12 vite në opozitë ende nuk e ka kuptuar se Edi Rama e ka tmerr kontaktin direkt të tijin ose familjarëve të tij me paranë dhe me pronat. E ka fobi.
Edi Rama teorikisht mund të jetë shumë më i korrupruar se sa një transaksion tokash në jug, por nuk është aq budalla sa të bjerë në rrjetë me kushërinjtë.
Duket sikur ekspertët e PD-së e kanë të vështirë të perceptojnë dhe të diktojnë mënyrën si operon Rama, pasi përherë përpiqen ta denoncojnë atë në afera dhe implikime që më pas rezultojnë jo vetëm fiasko dhe banale, por për nga lloji, këto afera banale në fakt rezultojnë se kanë qenë modele të abuzimit të vet PD-së kur ishte në pushtet. Duket sikur e kanë të vështirë të pranojnë që Rama operon me metoda më elegante se vet ata.
Ky është një gabim që PD-ja e bën dhe kur sulmon kreun e SPAK-ut Altin Dumanin për “fshehje pasurie”, ndërsa zyrtarët e PD-së e kanë të pamundur të kuptojnë se truri dhe neuronet e Altin Dumanit mund të funksionojnë në një mënyrë tjetër. Ai mund të ketë zero tundim nga paraja dhe ofertat, ndonëse kjo gjë nuk e bën më pak të “rrezikshëm”, sepse dhe Aranit Çela në një apartament modest jetonte, por ushtronte terror represiv në nivel kombëtar fjala vjen. Mund të jesh në shkelje të ligjit dhe duke qenë i pa korruptuar domosdoshmërisht me lekë dhe pronë. Por duket se PD-ja dhe opozita në tërësi e ka shumë të vështirë ta pranojë këtë gjë, i do me patjetër dhe të korruptuar.
Problemi i dytë lidhet me prerogativën e PD-së si parti e vetëshpallur e djathtë. Ndërsa denoncon Altin Dumanin se ka montuar dosjen “Partizani”, ku me forcë pohojnë se dhëndri i Berishës i ka të trashëguara pronat në kompleksin Partizani, nga ana tjetër Ivi Kaso sot ngre alarmin pse Edi Rama mund të ketë ca prona të trashëguara nga njerëzit e së ëmës.
Këto kontraste në qëndrime flasin për një mungesë totale të nivelit bazik të inteligjencës në strategji, për pasojë denoncimi ndaj Ramës u shndërrua në një aferrë në Top Channel për Ivi Kason, ndërkohë që fiasko pas fiaskoje, opozita po shndërrohet pa e kuptuar në aleaten natyrore të Edi Ramës.
Situatë të cilën Bonaparti e ka përmbledhur me një batutë:
“Për një general nuk ka aleat më të çmuar se injoranca e kundërshtarit”.
(Hashtag.al)