Në politikën shqiptare, ku aleancat shpesh ndryshojnë më shpejt se deklaratat publike, një lëvizje e fundit ka tërhequr vëmendjen për ironinë që mbart. Klevis Balliu u deklarua deputet i Fryma e Re Demokratike, një lëvizje që, sipas burimeve politike, erdhi me porosi të Sali Berisha për t’i dhënë aleatëve të vegjël më shumë mundësi financimi dhe përfitimesh institucionale.
Menjëherë pas këtij pozicionimi, FRD kërkoi nga qeveria një seli qendrore, duke argumentuar se tashmë është parti parlamentare me një deputet në Kuvend. Një status që, në praktikë, i hapi rrugë edhe përfitimeve financiare.
Si pasojë e kësaj manovre, FRD – ashtu si disa parti të tjera të vogla aleate – përfitoi financim publik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për vitin 2026, në vlerën e rreth 60 mijë eurove. Një shumë që ngre pyetje mbi mënyrën sesi përdoret përfaqësimi parlamentar për të siguruar burime financiare, edhe kur pesha reale elektorale e partive mbetet minimale.
Në thelb, historia ngre një pyetje të thjeshtë, por të fortë: a po përdoret përfaqësimi në Kuvend si mjet politik për mbijetesë financiare? Sepse në këtë rast, një deputet duket se ka vlejtur jo vetëm për vota, por edhe për një buxhet të garantuar./VNA



