Ditën e djeshme anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e cilësuan dekretin e presidentit për ç’dekretim të datës së zgjedhjeve nul, duke mos e marrë në konsideratë dhe duke vijuar punën normalisht për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor. Por për Partinë Demokratike rrëzimi i dekretit të presidentit është “puç institucional”.
Kryetari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike Ivi Kaso përmes një postimi në rrjetin social e ka quajtur një ‘puç institucional’ refuzimin nga KQZ për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. “Refuzimi i pashembullt i KQZ, për të zbatuar dekretin e Presidentit të Republikës, është hapi i parë i një puci institucional!
Asnjë akt i mëtejshëm lidhur me zgjedhjet s’mund të jetë i ligjshëm dhe i vlefshëm për sa kohë s’ka datë të dekretuar për zgjedhjet”, deklaroi Ivi Kaso.
Po ashtu, kundër anëtarëve të KQZ reagoi edhe sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi deklaroi se dekreti u shpall i pavlefshëm nga disa anëtarë militantë të PS në KQZ. Sipas tij, ky është një shpërdorim i turpshëm i detyrës. “Mos u skandalizoni nga shpërdorimi i turpshëm që po i bëjnë detyrës disa anëtarë militantë të PS në KQZ!
Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie. Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ!
Në shtetin e ndërtuar nga Edi Rama nuk ka nevojë as për President të Republikës, as për Gjykatë Kushtetuese, as për Gjykatë të Lartë, as për Prokuror të Përgjithshëm, as për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo është e papranueshme dhe shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë! “Edi Rama mirë, gjithë të tjerët keq” ka marrë fund që më 16 Shkurt”, u shpreh Gazmend Bardhi.