Mes debatesh dhe hatërmbetjesh, dorëheqje nga kandidimi dhe akuza Partia Demokratike zyrtarizoi mbrëmjen e vonë të 12 marsit listën me 186 kandidatë të “Aleancës për Shqipërinë Madhështore për zgjedhjet e 11 majit. U deshën mbledhje maratonë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar që Berisha të dilte me listën, ku vetë kryeson Qarkun e Tiranës.
Në ndryshim nga kampi socialist që këtë 11 maji garon me një ekip tërësisht të rinovuar, në kampin demokrat nuk ka asnjë surprizë. “PD-Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore” vjen me pak risi, pasi kreu i demokratëve, Sali Berisha është kujdesur që në listat e mbyllura të fusë të gjithë besnikët e tij për t’iu garantuar një vend në parlamentin e ardhshëm. Në total 8 vende në listë të sigurt u janë lënë aleatëve, ndërsa kreu i PL, Ilir Meta nga qelia, do të garojë në listën e hapur të Tiranës.
Lista e mbyllur për Qarkun e Tiranës është mbushur me besnikët e Berishës, i cili shkel hapur rezultatin e Primareve duke lënë jashtë listës së mbyllur ndër më të votuarit. Është vetë Berisha që udhëheq listën e mbyllur të Tiranës, pas tij numri 2 i PD dhe më besniku i tij, Flamur Noka, vijohet me Edi Palokën, Albana Vokshin, Belind Këlliçin e ndërsa vihet re rikthimi i Jozefina Topallit.
4 vende në listën e sigurt të Tiranës i janë lënë aleatëve, 2 për Partinë e Lirisë me Tedi Blushin dhe Erisa Xhixhon, 1 Fatmir Mediu nga Partia Republikane dhe 1 Mesila Doda nga PDIU. Kështu, aleati Shpëtim Idrizi garon në listën e hapur të Shkodrës, duke i lënë vendin në listën e mbyllur deputetes së partisë së tij Doda. 4 vendet e tjera i janë lënë aleatëve në listë të mbyllur, Vangjel Dule në Vlorë, Brunilda Haxhia e PL në Fier, Edmond Xhainasto në Elbasan, Artan Luku i PAA në Durrës.
Kështu jashtë listës së sigurt të Tiranës mbesin emra ndër më të votuarit si Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti apo deputetët Kreshnik Çollaku, e Durata Çupi. Jashtë listës së sigurt mbetet edhe Arjana Kalaja e cila luftoi për një vend në listë të sigurt, por Berisha e la jashtë. Kështu, skema e Berishës për të shpërblyer besnikët solli pakënaqësi në radhët e demokratëve duke sjellë tërheqjen nga gara të deputetit Dash Sula më i votuari në primaret e Elbasanit, Hysen Kadiu më i votuari në primaret e Tiranës, apo dy deputetet Ori Nebiaj e Ilda Dhori. Nëse Partia Demokratike do të marrë mandate në listën e hapur ato do të jenë ‘trofe’ shumë i lakmueshëm pas për to do të luftojnë edhe “aleatët VIP”, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi.
Partia e Lirisë e Metës i ka marrë Partisë Demokratike një mandat të sigurt në Elbasan me Edmond Haxhinaston, qark në të cilin kandidon në listën e hapur edhe Dashamir Xhika. Mandati tjetër i sigurt I PL është në Fier me Brunilda Haxhiun, qark në të cilin lista e PD kryesohet nga Gazment Bardhi, ndërsa i sigurt është edhe deputeti i Lushnjës Korreshi.
Në Durrës, ndryshe nga çfarë ishte aluduar Igli Cara është në listën e sigurt, ndërsa në këtë qark kandidat i Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës është Artan Luku. Në Shkodër nuk ka supriza me 3 deputetë aktualë që kryesojnë listën, Luçiano Boçi, Greta Bardeli e Ramadan Likaj.
Listat e tjera të qarqeve Korçë, Vlorë, Berat, Dibër, Lezhë, Kukës e Gjirokastër nuk ka surpriza dhe PD ka thuajse të njëjtat emra. 17 deputetë aktualë të PD janë në listat e mbyllura.
12 deputetë aktualë, mes tyre emra të njohur si Dashnor Sula, Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Ferdinand Xhaferraj, Lefter Geshtenja, Zheni Gjergji dhe Ilda Dhori i refuzuan Berishës të kandidon në listën e hapur, ndërsa mes ligjvënësve aktualë kandidojnë për votat e qytetarëve 12 deputetë të tjerë si Tabaku e Çupi në Tiranë, apo edhe Andia Ulliri, Edmond Spaho, Lindita Metaliaj, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani etj.