Ilir Meta duket se ka mbetur i vetëm. Përveç Monika Kryemadhit dhe Petrit Vasilit, nuk ka në krah as PD dhe as Berishën. Basha e ka braktisur, ndërsa PS e akuzon se ka shkelur Kushtetutën. Por i braktisur nga PD dhe në kufijtë e mbijetesës, presidenti Meta ka paralajmëruar se do të nisë një aksion të tijin kundër qeverisë, duke dubluar Lulzim Bashën.
Meta është shprehur se më 22 nëntor, në përvjetorin e Kushtetutës së 2008, do nisë një aksion për rendin kushtetues në vend. Plani i tij është të mbajë konferenca, takime dhe të dalë me raporte e propozime konkrete kundër qeverisë. Por ky plan i presidentit mund të rezultojë flluskë sapuni, pasi PS dhe PD me gjasë do ja sfumojnë. Muajt në vijim do sjellin mjaft zhvillime, që nga shkarkimi i presidentit, e deri te reforma zgjedhore. Por pikërisht këto dy zhvillime do ja ulin vlerën aksionit të Metës. Më konkretisht. Më 11 tetor Komisioni i Venecias do miratojë raportin final për shkarkimin e Presidentit dhe gazeta mësoi nga komisioni hetimor se sapo të vijë versioni i fundit, komisioni nuk do ketë më asnjë ndalesë. Plani është që brenda tetorit, ose në javën e parë të nëntorit drafti të shkojë në seancë plenare. Nëse Venecia rithekson se presidenti ka shkelur Kushtetutën, nuk ka më vlerë asnjë dokument tjetër, pasi po flet një institucion ndërkombëtar shumë serioz, tha një burim pranë komisionit hetimor. Pra sapo të vijë drafti, do ndodhin dy gjëra, do bëhet shqyrtimi i tij dhe do shihen dokumente që kanë sjellë institucionet në vend, nga prokuroria, e policia, te KQZ. Më pas raporti do i shkojë Kuvendit. Kjo do të thotë se Meta mund të shkarkohet brenda 22 nëntorit dhe çdo aksion i ndërmarrë prej tij do jetë i pavlerë. Për mazhorancën ai do jetë i shkarkuar dhe çdo qëndrim që do mbajë nuk do merret për bazë.
Reforma zgjedhore
Një tjetër element që mund të lëkundë planet e Metës është reforma zgjedhore. Ditët e fundit po jepen sinjale se PD e PS po shkojnë te një konsensus për reformën zgjedhore. Gazeta ka mësuar se brenda nëntorit do të mbyllet pjesa e parë e kësaj reformë. Afati i komisionit të posaçëm është deri më 29 nëntor, pra një javë pas 22 nëntorit. Ndërkohë që në mes të dhjetorit Parlamenti merr pushimet dhe duke qenë se reforma është kusht nga Brukseli, ajo do mbyllet brenda mandatit të komisionit. Plani i mazhorancës është i tillë: Në Parlament ndodhet një draft tashmë i dakordësuar me PD. Bëhet fjalë për draftin, i cili parashikon rekomandimet e ODIHR dhe ka në thelb depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Një burim në selinë rozë i tha gazetës se pikërisht ky draft pritet të bëjë bashkë PS dhe PD. Dokumenti u dakordësua kur komisioni drejtohej nga Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi dhe aty reflektohen një pjesë e madhe e shqetësimeve të PD. Megjithatë palët mund të ulen dhe të bëjnë përmirësime të caktuara, por baza do jetë ky dokument. Për shkak dhe të presionit ndërkombëtar shanset që të gjitha partitë të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore janë të mëdha. Por një hap i tillë do ishte një sinjal shumë i fortë për zgjidhjen e krizës. Një gjë e tillë duket se i jep goditje të fortë Ilir Metës. Nëse ai nis aksione kundër qeverisë në një moment kur palët po gjejnë gjuhën e konsensusit sigurisht që do e nxirrte keq, por dhe çdo nismë do quhet e pavlerë. Qëllimi aksionit do jetë për instalimin e shteti ligjor dhe dhënien fund të krizës politike. Por nëse palët ulen, të gjitha synimet e presidentit bien. Meta po e sulmon fort kreun demokrat Basha kohët e fundit dhe madje ka folur për pakt mes tij e Ramës për të shkaktuar përplasje civile. Këto akuza tregojnë qartë se Presidenti i druhet një pakti PS-PD që do ta nxirrte komplet jashtë loje.
Kliti Topalli