Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transparencës që përcakton marzhin e fitimeve të bizneseve. Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 mln lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 mln lekë.
Përsëritja e shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit. Në Fletoren Zyrtare është botuar akti normativ “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës i miratuar nga qeveria.
Akti normativ përcakton se bordi do të monitorojë çdo javë çmimet e produkteve, sipas listës së miratuar prej tij dhe do të vendosë marzhin e fitimit. Bordi është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjitha subjektet dhe zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga subjektet gjatë periudhës së situatës së veçantë të krijuar në treg.
Sipas rastit, Bordi mund të vendosë krijimin e një task-force, me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Sakaq ndaj bizneseve tregtuese të produkteve të shportës që nuk respektojnë marzhin e fitimit të përcaktuar nga bordi i transparencës do të zbatohen masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit dhe sekuestrimin e mallit kur shkelja përsëritet.
Konkretisht për subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 10 milionë lekë, ndërsa subjektet e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të lidhura me to dënohen me gjobë, në masën 2 milionë lekë.
Akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjitha subjektet janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim garantimin e popullatës me furnizime.
Kriza e energjisë, qeveria merr në mbrojte familjarët
Nga ana tjetër teksa ishte duke folur dje në foltoren e Kuvendit, kryeministri Edi Rama është ndalur tek rritja e çmimeve, që sipas tij është shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Me paketën e rezistencë sociale, për kreun e qeverisë, do të ndihmohen familjet në nevojë, duke shtuar se qëllimi është të mos rritet çmimi i energjisë. “Asnjë familje nuk do ketë kosto rritje për çmimin e energjisë.
Po shikojmë një mundësi, për një periudhë të përkohshme, ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë për faturën e energjisë”, deklaroi ai. Më tej Rama theksoi se pensionet rriten 11.2%
“Më lejoni t’ju jap një tjetër fakt, një llogari të thjeshtë, me këtë bonus dhe me indeksimin që i bëjmë pensioneve dhe me bonusin e fundvitit të miratuar pensionet rriten +11.2% Pra kjo shkon tek pensionet tek kjo fazë”, u shpreha ai.
Rama: 14 milionë dollarë për skemën e naftës falas për fermerët
Po ashtu, Rama foli në seancën e djeshme edhe për financimin që qeveria po i bën fermerëve. Ai theksoi se fermerët do të financohen me 14 milionë dollarë si pjesë e paketës së rezistencës sociale.
“Kemi mbështetur drejtpërdrejt fermerët, prodhimin dhe transportin. Kjo paketë e rezistencës sociale, shton mbështetjen për fermerët me naftë falas duke bërë kompensimin e plot të të gjithë pjesës së taksave që ata paguajnë për atë sasi nafte që konsumojnë jashtë mbështetjes dhe bën të mundur që për këtë skemë të financohen 14 mln dollarë”, nënvizoi Rama.