Nga Elvin Nuri
Hodhët gurin. Në ishte një gjest i pastër revolte, një lajthitje e nxitur nga entuziazmi dhe nga emocionet e papërmbajtshme të turmës, apo thjesht një orkestrim i “mosbindjes civile” tani ka pak rëndësi. Rezultatin e pamë të gjithë. Ishte i sinqertë. Kabinat e haraçit apo të arsyes nxorën tym. Me dëshirë, me pahir, duke ju parë nga ekrani i medieve të Tiranës se si ndiznit zjarr dhe i shtonit të nxehtin kësaj pranvere të çuditshme, frymëmarrja u shpeshtua dhe një tension simpatik skuqi faqen.
Ishim me ju, por edhe nuk ishim fare, asgjëkundi, dhe qeshnim nga gudulisja, sepse pushteti të dhjaks, të bën spektator, të bën agresiv, duke kullotur pasiv. Por tensioni ishte aty, midis nesh dhe jush, i fragmentuar në korniza LIVE HD, me koment në sfond. Ishte bukur, ishte frikë. Sepse ata njerëz që nuk revoltohen kurrë, mbi të cilët ne vërtet nuk dimë gati asgjë, në të mirë e në të keqe, janë aty, po hedhin gurë, po ndezin zjarr. Hodhët gurin, vutë zjarr, deri kur u lodhët, deri kur trarët e haraçit apo të arsyes u thyen. I bëtë copë! Por në mesin e natës makineritë e pushtetit ju nxorën nga shtëpitë, atëherë kur entuziazmi ra, atëherë kur ju po pushonit ose po i prisnit të vinin.
Ju pamë se si protestonit në paqe, në dyer komisariatesh apo përballë një fortese të rrethuar, e cila prej kohësh mbjell procedime penale ndaj qytetarëve sikur po jepen falas fletë kampi, sepse ashtu na e do morali, ashtu na e do Kodi Penal mesjetar, sepse ashtu na e do trapi. Demonstruat në paqe, ditë dhe natë për ata që hodhën gur ndaj haraçit apo arsyes, ndërkohë Tirana ziente për ju, sepse ne nuk kishim asgjë tjetër më të mirë për të bërë, as të dilnim në protestë me ju, për ju.
Ju pamë nga ekrani dhe krijuam një opinion. Ju hodhët gurin, por çfarë trishtimi kur shesh se si altoparlantët i’a u rrëmbyen nga dora të njëjtat pemë pa kokrra që kanë dhjetë vjet që magazinojnë kauza të humbura, të keqpërdorura, të shitura për një grusht pëlqimesh në Facebook, të këmbyera me frustrim, për një imazh hipsterik. Ju pamë në rrugë, nëpër studio televizive, krahë për krahu me oligarkët e mendimit ndryshe, ata që përpijnë çdo kauzë dhe i’a veshin vetes me stil.
Sa shpejt u bëtë sfond, u bëtë tendenca pranverore e të njëjtës “magazine”, e cila shet të njëjtin numër, por me tituj të ndryshuar. Ju pamë krah tyre dhe i vumë vulën: një tjetër protestë me të njëjtat fytyra që rreshtohen përballë të njëjtave media, të cilat edhe pse i përdorin i bëjnë baltë, pas krahëve, në të njëjtën mënyrë, nga Facebook-u. Gjithmonë, pse nuk u bëmë sfond, sfond masiv, sfondi spektakolar i protagonizmit të tyre, na bëjnë copash edhe ne “pasivëve”. Ju e hodhët gurin, por mbetët pa gojë nga shfaqja e dikujt tjetër.
As sot nuk do të jepen zgjidhjet e problemit, pa radhë, pa hierarki, pa “prestigj”, pa një grusht pëlqimesh. Sot nuk do ta shajmë qeverinë, të gjithë klasën politike shqiptare, “vetëm për modë”! Haraçi është padrejtësi për kuksianët dhe për biznesin (për atë me etikë). Mungesa e arsyes është padrejtësi për të gjithë. Çfarë kusuri kemi ne, “të tjerët” të vuajmë pasojat e një grope financiare të ndërtuar me ndjenja patriotike false, plot abuzime dhe e pamundur për t’u mirëmbajtur?
Haraçi është padrejtësi për turistin më të keqtrajtuar në botë, për kosovarin. Por mungesa e arsyes po dhunon padrejtësisht bijtë e shtresave më të vuajtura në vendin tonë, njerëzit që mbajnë uniformë për kothere. Hodhe gurin, por çfarë turpi që ra përtej skafandrave, përtej mbrojtëseve dhe uniformës, aty ku lëndoi njeriun. Hodhët gurin, sepse turma ju tha që atyre me uniformë nuk i mjafton vetëm të shtypen, në presë, mes jush dhe autoritetit.
Ju hodhët gurin dhe përdhosët gjatë gjithë ditës uniforma, natën uniforma të tjera të qepura më mirë ju nxorrën nga shtëpia me përdhunë. Hodhët gurin kundër autoritetit, pushtetit, haraçit dhe oligarkisë, apo kundër arsyes, por në fund lënduat ata që ju ngjajnë për nga varfëria. Ata policë duhet të paguajnë taksën e asaj rruge njëlloj si ju, por të vënë përpara nga gurët tuaj.
Ju hodhët gurin, por shokë të tjerë oligarkësh shpallën “mosbindjen civile”. Ju përdorën si sfond në përpjekjen e tyre për të rifituar me çdo kusht “lidhjet e vjetra” me pushtetin. Të njëjtët njerëz që ndërtuan dhe abuzuan me një rrugë “patriotike”, të njëjtët njerëz që na lanë në dorë një vepër infrastrukturore aspak funksionale, tani na kanë kapur të gjithëve në sedër, krijuan kushtet që pushteti i radhës, siç themi “ne” populli, të na kapi për b*lesh: Deshe “Rrugë Kombi” ti zotëri?! Pse s’ke pesë euro për t’ia dhënë kombit?! Ç’nacionalist leshi je ti? Je i varfër!
Ju hodhët gurin dhe direkt ju kyçën që të mbani përgjegjësi, me dëshirë, me pahir, me të drejtë, pa të drejtë, ndërkohë që shokët e vjetër të oligarkëve u bë e disata herë që kapin për gryke ata si ju, por me peshën e trisht të njeriut të varfër që duhet të ruajë rendin. E njëjta skenë e përsëritur. Ju hodhët gurin dhe pa mëshirë duart tuaja u grinë nga shkopat e gomës dhe u paralizuan nga hekurat.
Ata, me imunitet, ata që ndërtojnë për Kombin, shqyejnë dyert e gjykatës, në fillim duke hedhur ju në ajër, për bythe, dhe më pas me të njëjtën dorë duke kapur për gryke një tjetër të varfër që duhet të ruajë autoritetin. Njeriun me uniformë. A thua, e drejta e njeriut të veshur me stil (edhe kur proteston) për të vënë dorë mbi njeriun e varfër me uniformë buron nga bytha jonë.
Por nuk është hera e parë që na hedhin për bythe. E bëjnë aq shpesh sa na janë marrë mendtë, kemi humbur hierarkinë dhe busullën e halleve. Në amnezi ndoshta, por me siguri edhe si hipokritë, se nuk të hedh njeri për bythe kot. Apo jo? Rendim të ç’orientuar nga një kauzë në tjetrën, gjoja dhunshëm, me asnjë rezultat konkret, të gjithë pasivë, disa aktivë, dhe ca protagonistë që luajnë luftash mes të varfërve, ku gjithmonë humbasin këta të fundit.