Nga Altin Ketro
Në kuadër të procesit të dekomunistizimit, mësohet se Partia Demokratike paska paraqitur një projektligj i cili në thelb prek dy elementë:
Shembjen e lapidarëve që evokojnë epopenë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ose transformimin e tyre në diçka që nuk i përgjigjet motivit mbi të cilët janë ngritur.
Ndalimin e filmave të krijuar nga ish-Kinostudioja përpara vitit 1990, ose prerjen e pjesëve të veçanta në film që evokojnë komunistët.
Le t’i marrim me radhë këto dy marrëzi të reja opozitare.
Së pari, në lidhje me lapidarët. Duan apo nuk duan këta bashibozukë që kërkojnë shembjen e tyre, ato lapidarë janë një krenari kombëtare që përkujtojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë: Rreshtimin e saj në krahun e fitimtarëve në Luftën e II-të Botërore dhe gjakun e derdhur nga partizanët në atë luftë çlirimtare në përpjekje me ushtritë pushtuese.
Kjo botë nuk do të jetë përjetë e sigurt dhe nuk përjashtohet mundësia që në një të ardhme, sado e largët të jetë ajo, do përfshihet në luftëra. Dhe në këtë këndvështrim, çfarë motivi duhet të kenë shqiptarët për të luftuar në mbrojtje të vendit të tyre, kur sot shohin se si tallen me gjakun e dëshmorëve dhe me lapidarët ku janë skalitur emrat e tyre? Përse duhet të derdhin gjak kur me gjasë nesër pasardhësit do të sillen ashtu siç sot po propozohet të sillemi ne me ata që dhanë jetën në luftë?
Dy rrugë do të ketë: Ose do bashkëpunojnë me pushtuesin kundër vendit të tyre; ose do marrin arratinë dhe të ikin në një vend larg luftës për të shpëtuar kokën. E kuptoni, o të paudhë, se sa dëm i sillni ndërgjegjes kombëtare me këto nisma antikombëtare, duke zbehur atdhedashurinë?
Së dyti, në lidhje me filmat e dikurshëm. Është një temë e cila del herë pas here në skenë sapo opozita është në krizë identiteti dhe përpiqet të gjejë mënyra për të bërë politikë me tema që nuk janë asfare shqetësim kombëtar.
Filmat e prodhuar deri në vitin 1990 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, janë një pasuri kombëtare e paçmueshme. Ato janë fryt i punës së palodhur dhe krijuese të qindra kuadrove të shkëlqyer, regjisor, skenarist, kompozitor, piktor, aktor, e dhjetëra profesione që marrin pjesë në prodhimin e një filmi.
Të rrimë shtrembër ama të flasim drejt. Kinematografi më të mirë se sa ajo që u prodhua gjatë regjimit komunist, as këto 30 vjet e me gjasë, as për 30 vitet e ardhshme, zor se do të kemi.
Absurdi ngrihet në piedestal kur arrijnë dhe propozojnë që nëse nuk hiqen fare, ato filma të retushohen. Ky ishte një zakon i keq që e kishin dikur organet e Partisë së Punës gjatë xhirimit të filmave kur shihnin fragmentet e xhiruara. Po të paktën, çdo heqje që bëhej gjatë xhirimit rikuperohej me harmonizimin e skenave të reja që përputheshim me dëshirat e partiakëve. Pra filmi kishte një rrjedhshmëri logjike nga fillimi në fund.
Të pretendosh sot që filmin ta retushosh, do të thotë që ta kthesh në një film qesharak, sepse duke prerë pjesë të veçanta të tij, humbet filli logjik i ngjarjeve dhe si i tillë vetë filmi bëhet i pakuptueshëm
Sikur sot të prodhoheshin filma që do ishin nivel më i lartë sesa ai i përpara viteve ’90, natyrisht që edhet ato filma vetvetiu do kishin dalë nga skena.
Fakti që ende ndiqen me kërshëri, është jo për disa skena me personazhe komunistë brenda tyre, por sepse në pjesën dërrmuese kanë tematikë që prekin jetën e përditshme të popullit dhe të profesioneve të ndryshme.
Sot ka një krizë skenarësh filmi që të të mbushin shpirtin me dialog të thellë, të fortë e kuptimplotë, siç dikur kishim penën e Teodor Laços, Peçi Dados, Nexhati Tafës, Vath Koreshit, Neshat Tozajt, Kiço Blushit, e dhjetëra të tjerëve. Sot ka edhe një krizë aktrimi, e cila nuk ngjason asfare me natyrshmërinë që kishte plejada e kaluar. Dhe këtu nuk shpreh thjesht mendimin tim personal, por edhe nga ato çfarë lexoj në komentet e mijëra njerëzve në platformën Youtube ku shfaqen filmat shqiptarë.
Si përfundim, ndonëse kjo inisiativë uroj mos të ketë sukses që të miratohet, në fakt është një mënyrë e mirë për të kuptuar se në çfarë bataku ka rënë opozita shqiptare. Lufta me lapidarë dëshmorësh dhe filmash me partizanë, nuk është luftë kundër komunizmit, por luftë e Don Kishotëve opozitarë me mullinjtë e erës. Aq sa e fitoi personazhi i Servantesit atë “luftë”, aq do e fitojnë edhe opozitarët tanë, disa prej tyre edhe pasardhës kolaboracionistësh.