Për herë të parë Shqipëria do të ketë një ligj për rininë, që do të garantojë fuqizimin e saj.
Zëvendës Ministri për Rininë, Shpati Kolgega, ka deklaruar në studion e ERTV se ka nisur puna për hartimin e draftit të projektligjit, që fillon me fazën e konsultimeve me të gjitha organizatat rinore në vend.
Por për herë të parë, konsultimet do të bëhen edhe online me çdo të ri shqiptar që dëshiron të japë mendimin e tij dhe të adresojë problematikat rinore.
Kolgega tha se ligji ka ardhur si një nevojë, një kërkesë e hershme e shoqërisë civile dhe organizatave rinore.
“Nevojat që adresohen dhe për të cilat parashikohen zgjidhje në ligj janë: Mbështetja financiare për projektet rinore në nivelet lokale, qytete e fshatra. Adresimi i qëndrave rinore lokale, këshillave rinore lokale. Do të pasohet me ngritjen e Këshillit Rinor Kombëtar si struktura që do të trajtojnë problematikat rinore. Nëpërmjet ligjit, pushteti lokal do jetë detyruar të ketë një strukturë, buxhet dhe plan lokal për rininë dhe në këtë mënyrë do të fuqizohet rinia lokale. Me pasjen e ligjit do të formalizohet pasja e këshillave rinorë lokale që do ti shërbejnë fuqizimit të rinisë. Ligji do t’i dëtyrojë të gjitha bashkitë e vendit që nëse duan të përfitojnë fonde nga MAS duhet të ngrejnë një qëndër rinore”, tha Kolgega.