Një prej emaileve të publikuara nga hakerat “Homeland Justice”, drejtuar ish-drejtorit të Policisë, Gledis Nano ka të bëjë me ish-drejtorin e Krimit të Organizuar në Drejtorinë Qendrore të SHISH, Frederik Ymeri.
Në një shkresë të publikuar, thuhet se Frederik Ymeri mund të ketë krijuar dhe mbajtur kontakte me punonjës të ndonjë shërbimi apo policie të ndonjë shteti tjetër të cilëve u jep informacione të natyrës së krimit të organizuar kundrejt pagesës.
Po ashtu, specifikohet se ka dyshime që ai punonte për një subjekt politik. Në një prej mesazheve që ka dërguar Frederik Ymeri vartësit të tij nga Vlora, të quajtur Luftar, i kërkon informacion mbi politikanin Koço Kokëdhima.
Në dokument thuhet:
“Dyshohet se informacionet që subjekti jep, kryesisht bëjnë fjalë lidhur me shtetas shqiptarë apo kosovarë të cilët ushtrojnë aktivitete kriminale si trafikim narkotikësh, etj, në shtete të ndryshme të Europës.
Subjekti Frederik Ymeri ka shfaqur interes gjithashtu për të grumbulluar edhe informacione të natyrës politike, të cilat ia kërkon lidhjes së tij Luftar Ç., banues në Vlorë.
Konkretisht kanë rezultuar këto interesime të tij: Më datë 07.01.2021, subjekti Frederik Ymeri përdorues i numrit 06*****9151, i dërgon mesazh Luftarit përdorues i numrit 06*****0233 me tekst : “Nëse ke mundësi të sqarosh kush janë lidhjet shoqërore të Koço Kokëdhimës? Nga financohet partia e tij dhe ç’farë marrëdhëniesh ka me partitë PD dhe LSI? Shkruaj sa më gjatë. Na duhen para datës 10”.
Luftari i kthen përgjigje me mesazh me tekst: “Do bëj disa takime dhe të vij në Tiranë të pimë kafe. Do të njoftoj 1-ditë para se të vij”.
Më datë 12.03.2021, ora 17:19:00, subjekti Frederik Ymeri përdorues i numrit 06*****9151, i dërgon mesazh Luftarit përdorues i numrit 06*****60233 me tekst : “Luftar gezohem te jeni mire familjarisht. Jam ne merak per shendetin tuaj familjar. A jeni mire. Brenda mundesive eshte e nevojshme te kemi informacion per prezencen e Agimit te Arte në Shqiperi. Te fala”.
Ora 17:22:17 Luftari i kthen përgjigje me mesazh subjektit Frederik Ymeri me tekst: “Ok, do vij”.
Ora 17:23:29, subjekti Frederik Ymeri i dërgon sërish mesazh Luftarit me tekst: “Faleminderit po mos u nxito qe te kemi nje panorame te plote”.
Ora 17:26:04, Luftari i dërgon sërish mesazh subjektit Frederik Ymemri me tekst: “Pa merak, rendesi te jemi te sakte”.
Më datë 29.03.2021, ora 09:04:51, subjekti Frederik Ymeri përdorues i numrit 06*****9151 i dërgon mesazh Luftar Ç., përdorues i numrit 06*****0233 me tekst : “Luftar mire jeni familjarisht. Mua te merkuren afati i porosise. E di qe jeni i zene shume me pune. Nese mundesh mundet te me dergosh nje mesazh me emrat. Falem”.
Frederik Ymeri me tekst: “Neser heret do jem ne kafe te pime bashke, i kam pergatitur ti sjell.Respekt”.
Dyshohet se këto informacione ai mund t’ja serviri ndonjë subjekti politik, por që nga puna hetimore e bërë deri aktualisht nuk është mund të zbardhet se ku konkretisht i dërgon këto informacione”.