Sali Berisha, krenohet edhe se e ka bërë Kosovën e pavarur, por nëse ka naiv që e beson edhe këtë tezë, atëherë e kotë që të përdoren fjalët e logjika. Kush mendon vërtet se ka bërë të mira le ta mbajë në kokën e tij. Veçse fakte e argumente nuk ka asnjë. Po asnjë fare fare!
Në dy ditët e fundit mjaft nga mediat televizive të Prishtinës kanë zhvilluar debate mbi çështjen kryesore politike në Tiranë- çështjen e Sali Berishës.
Një rrekje jo vetëm normale, por shumë pozitive për të bërë një analizë sa më gjithëpërfshirëse, me një këndvështrim që mundëson një qasje edhe më të ftohtë, apo më afër realitetit.
Por çfarë bie në sy nga mjaft analistë e gazetarë, që në fakt janë në një farë mënyre një përfaqësim i mendimit të opinionit publik të Kosovës.
Bie në sy një qasje naïve, ku thuhet ndër të tjera se “Sali Berisha ka bërë gjëra të mëdha për Kosovën”.
E si “rastësisht”, një nga tezat që Sali Berisha i mëshon, është ajo se ai u ndëshkua nga SHBA se “nuk ka dashur të ndajë Kosovën”.
Tani, për t’ju kthyer direkt kësaj teze, duhet të kemi parasysh se SHBA-në sot e drejton Presidenti Joe Biden.
Një politikan veteran dhe një nga dy më të mëdhenjtë së bashku me të ndjerin Bob Dole, të cilët kanë bërë aq ligje e rezoluta në Kongresin Amerikan për Kosovën, sa asnjë politikan shqiptar ndër vite.
Le ta lëmë Joe Biden, i cili ka qenë një nga promotorët e çlirimit të Kosovës, po thjesht të rendisim çfarë ka bërë Sali Berisha për Kosovën, për ta thyer me fakte, mitin e rremë të “veprave të tij të mëdha për Kosovën”.
Sali Berisha zgjidhet President i Republikës në vitin 1992. Gjatë mandatit si President Berisha, ka në “fondin e artë”: zhdukjen pa gjurmë dhe vrasjen e Remzi Hoxhës, një prej njerëzve më të forte të rezistencës së armatosur të Kosovës.
Njerëzit e familjes së Remzi Hoxhës, që kurrë nuk e morën të drejtën e nuk ju dhanë eshtrat e të atit, mbrojnë fort argumentin se i ndjeri ka faktuar takimin e famëkeqit Arkan me pushtetarë të kohës së Berishës dhe të vetë presidentit të kohës me Sllobodan Milosheviçin.
Në vitin 1991, në Kosovë nisën të stërviten mjaft shqiptarë të Kosovës, në bazë të një marrëveshje të Ibrahim Rugovës, por edhe të strukturave të LPK-së me Presidentin e atij viti Ramiz Alia.
Siç dihet, në grupin e parë të atyre që u stërviten në repartet e ushtrisë shqiptare, ishte edhe Adem Jashari, që ka dalë edhe në një foto me Sali Berishën e Ibrahim Rugovën në Tiranë.
Pasi Sali Berisha bëhet President dhe merr në dorë shërbimin sekret, shumë nga personat që stërviteshin, janë arrestuar nga autoritetet jugosllave, sapo kalonin në Kosovë. Ka pasur akuza e fakte konkrete, që shërbimi sekret jugosllav është sinjalizuar nga Tirana.
Ndërkaq, po në Tiranë, nga ana e shërbimit sekret shqiptar, në kohën e qeverisjes së parë të Sali Berishës, janë arrestuar mjaft figura të njohura të rezistencës si: Zahir Pajaziti, Hashim Thaçi; është vrarë një nga eksponentët e njohur të UÇK-së: gazetari Ali Uka etj etj.
Gjatë kohës së Sali Berishës-President, Shqipëria siç e ka pranuar edhe vetë ai, ka furnizuar Jugosllavinë me karburant, ndërsa shteti i Millosheviçit ishte nën embargo nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Pra ka ndihmuar direkt makinën ushtarake të Sllobodan Millosheviçit.
Në vitin 1996, kur u përplas me SHBA për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare, Sali Berisha hyri në konflikt të ashpër me Ibrahim Rugovën, me të cilin nuk foli më kurrë, pasi tentoi të përkrahte Adem Demaçin si lider radikal, në mënyrë që ta përdorte Kosovën si “mish për top” për të ndikuar me konfliktin e tij që ju hap me Amerikën.
Në kohën kur Sali Berisha ra nga pushteti dhe u bë lider i opozitës, ai ndikoi dhe frymëzoi ndarjen e palëve ushtarake gjatë nisjes së luftës së UÇK-së, duke përdorur njerëz pranë tij, që ishin mbështetës personalë dhe të PD-së.
Disa nga këto persona kanë vrarë një prej zyrtarëve të rëndësishëm të UÇK-së, Ilir Konushevcin dhe mjekun nga Tropoja Hazir Malaj, i cili ishte edhe mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Legjenda urbane e hedhur nga Ramush Haradinaj në lidhje me kullën e Berishës në Viçidol është e ekzagjeruar. Në Tropojë të Vjetër, kulla e vjetër e Berishës (jo ajo aktualja e rindërtuar nga djali i Berishës kur i ati ishte kryeministër) shërbeu për të plagosurit e UÇK-së apo edhe si bazë e saj, me lejen e një të afërmi të Saliut, edhe sepse ishte e lirë e nuk kishte njerëz që banonin.
Por, në fshatrat e të gjithë zonës pranë kufirit me Kosovën, nuk ka pasur shtëpi, njeri, zyrtar, materiale, etj, që nuk janë vënë në shërbim të luftës së armatosur të UÇK-së. Nuk ka pasur asnjë, fare, aktor e faktor që nuk i është vënë në dispozicion luftës, ndaj nëse përmendet shtëpia e vjetër e Berishës, (i cili nuk ka shkuar asnjëherë që kur u largua për në Tiranë në moshën 14 vjeç) duhet të përmenden të gjithë zotëruesit e shtëpive në Tropojë të Vjetër, Padesh, Kërrnajë, apo të gjithë fshatrat e krahinës së Tropojës, Hasit e Kukësit, pasi të gjithë kanë kontribuar.
Ndërkaq, Sali Berisha, ka ndikuar politikisht në vjeshtën e vitit 1998 për të rrënuar në maksimum imazhin e trupave që luftonin për çlirimin e Kosovës. Pasi një pjesë të trupave të FARK, nën influencën e Bujar Bukoshit, morën pjesë në grushtin e dështuar të armatosur të 14 shtatorit 1998, si përpjekje për t’u rikthyer me dhunë në qeveri, pasi iku me vota në vitin 1997.
Në vitin 1999, pra në kulmin e ndezjes së situatës së Kosovës, Sali Berisha ka bërë deklaratë publike, që është e filmuar e inçizuar, ku i bën thirrje delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit për të mos firmosur Marrëveshjen e Rambujesë që ju kërkua nga SHBA.
Kur erdhi si kryeministër i Shqipërisë në vitin 2005, Sali Berisha financoi tunelin e Thirrës, që ishte thelbi i rrugës së Kombit. Rrugë që nisi të shtrohej nga ushtria e SHBA që në vitin 1999 në segmentin Milot-Rubik, më pas qeveria e Pandeli Majkos, dhe ajo e Fatos Nanos e çuan deri në Rrëshen.
Berisha një buxhet të madh për ta bërë rrugën autostradë, të cilën ja dha kompanisë amerikane Bechtel e e asaj turkes Enka. Të cilat më pas ndërtuan edhe segmentin nga Morini në Prishtinë. Kjo rrugë ishte një shtysë strategjike nga SHBA, e me gjasë do të financohej nga kushdo që të ishte në zyrën e kryeministrit.
Megjithatë, merita i takon atij që ka firmosur, e për këtë Sali Berisha e ka të regjistruar si aksion i tij. Megjithëse, sipas hetimeve të prokurorisë, qeveria e tij është akuzuar për abuzime në shifra të mëdha, deri në 250 milionë euro.
Ndërkaq, në vitin 2009, Sali Berisha tentoi të ndikonte politikisht në Kosovë, duke shtyrë LDK-në që të bënte Ramush Haradinajn kryeministër, e këtu u armiqësua me Hashim Thaçin, me të cilin nuk u pajtua më.
Sali Berisha, krenohet edhe se e ka bërë Kosovën e pavarur, por nëse ka naiv që e beson edhe këtë tezë, atëherë e kotë që të përdoren fjalët e logjika. Kush mendon vërtet se ka bërë të mira le ta mbajë në kokën e tij. Veçse fakte e argumente nuk ka asnjë. Po asnjë fare fare!/Pamfleti