Numërimi mbrapsht për pushtetarët e korruptuar shqiptarë ka nisur. E gjithë kjo luftë politike po bëhet për shkak të reformës në drejtësi dhe për ndërkombëtarët është shumë e qartë. Kosa e SPAK do presë nga të gjitha krahët dhe sinjalet janë se shumë politikanë nuk e duan dhe po bëjnë gjithçka për të mos lejuar ngritjen e organeve antikorrupsion.
Por të gjithëve duket se po u ngec sharra në gozhdë, pasi situatën e kanë marrë në dorë amerikanët. Në kulmin e përplasjeve politike, SHBA ka nisur procedurat për të bërë gati terrenin për SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Burime shumë të sigurta të gazetës pranë Policisë së Shtetit kanë bërë me dije, se ditët e fundit në Tiranë ka mbërritur një grup prej 12 agjentësh të FBI, të cilët do të merren me ngritjen e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ata janë stacionuar te godina ku qëndron njësia Task Forcë “Forca e ligjit”. Kjo njësi u ngrit në kohën e Fatmir Xhafajt si një Byro Hetimore e vogël.
Por gazeta ka mësuar se aty pritet të vendoset Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do jetë një polici gjyqësore për SPAK. Agjentët e FBI janë vendosur aty prej disa ditësh dhe kanë nxjerrë jashtë loje pjesën më të madhe të personelit shqiptar.
Ata kanë kërkuar që të lihen vetë dhe kanë larguar policë, hetues e prokurorë. Sipas burimeve ata kanë sjellë me vete pajisje të ndryshme speciale që do vihen në dispozicion të BKH, ndërsa po ashtu po hartohen plane trajnimi për gjyqtarë e prokurorë shqiptarë që do jenë pjesë e SPAK.
Në ligjin për organet e luftës antikorrupsion është bërë e qartë se prej 2 vitesh ndërkombëtarët do kenë një zyrë të tyren dhe do jenë ata që do merren me gjithçka. SHBA ka miratuar një fond prej rreth 1.6 milionë dollarësh për reformën në drejtësi dhe në kuadër të këtij fondi, FBI po investon që të korruptuarit në nivele të larta të shkojnë pas hekurave.
Prej ditësh agjentët punojnë te godina e ish-Ministrisë së Shëndetësisë. Ata po bëjnë gati gjithçka që të mos ketë asnjë pengesë në lutën antikorrupsion. Javën që vjen mbyllet vetingu për të gjithë kandidatët e Prokurorisë së Posaçme dhe brenda pak ditësh bëhet përzgjedhja e emrave.
Ngritja e BKH
Sapo të jetë ngritur Prokuroria e Posaçme, menjëherë do nisë puna për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Amerikanët e kanë treguar se vëmendja e tyre është te BKH, pasi ky organ do ketë në fokus vetëm korrupsionin në nivel të lartë, duke filluar te presidenti e kryeministri, e duke përfunduar te anëtarët e KLGJ, KED apo KLP. Edhe më herët është thënë se Byroja do ngrihet me asistencë të FBI.
Si duket, ardhja e 12 agjentëve lidhet me faktin se amerikanët nuk duan të humbet kohë. Sapo Prokuroria e Posaçme të ngrihet, menjëherë nisin procedurat për BKH. FBI ka gati pajisjet, ndërsa po ashtu po piketohet dhe stafi që do ndihmojë hetuesit.
Pra sinjalet janë se brenda verës organet antikorrupsion ngrihen dhe vjeshta do sjellë reprezalje. Fakti që SHBA po nxiton, ngrihen dyshime se lidhet dhe me klimën politike. PD e LSI, bashkë me presidentin Meta janë kthyer në armiq të reformës dhe po bëjnë gjithçka është e mundur që jo të bllokohet.
Plani i tyre është të rrëzojnë qeverinë dhe më pas të ndryshojnë ligjet. Një skenar i tillë është i pamundur, por gjithsesi amerikan të kanë vendosur të marrin masa duke përshpejtuar procedurat, në mënyrë q çdo skenar bllokues të dështojë.
Sinjalet janë se skenari kroat do vijë dhe te ne. Shumë politikanë e dinë se nuk e kanë të sigurt ë ardhmen, prandaj po bëhet luftë e gjithanshme. Megjithatë, deri më tani çdo sulm ndaj reformës ka dështuar dhe ky është një sinjal se SPAK e BKH nuk do pyesin për ngjyra partie apo ndikim politik në drejtësi./ Kliti Topalli