Për mua, Izeti ishte një djalë i zgjuar që në rininë e e tij nuk diti të përdorte dobishëm aftësitë që ishin të plota për një jetë të sukseshme. Ai ishte edhe i dhunshëm, ku së pari i referohej muskujve e jo mendjes; e njëkohësisht ishte edhe njerëzor, i besës tradicionale, edhe trim i çartur, edhe naiv në tradicionalitetin, në besnikërinë e tij ndaj “të parit të fisit”, në rastin konkret ndaj atij që, siç thotë, e kishte idhull, të përfaqësuar nga njeriu i krahinës së tij e të cilin vendosi ta mbështeste me çdo çmim. Tashmë, me të drejtë ai ndihet i fyer, i zemëruar dhe i revoltuar për përdorimin që i ka bërë ky njeri.
Shkruan: Sabit Brokaj
Kur gazetari i mirënjohur dhe miku im i vjetër, Xhevdet Shehu, më tha se materialin e intervistave të Izet Haxhisë, të botuara në gazetën ‘DITA’ dhe që tërhoqën si rrallëherë vëmendjen e opinionit publik shqiptar gjatë dy viteve të fundit, do t’i përfshinte në një libër dhe më kërkoi të bëja parathënien e tij, të them të drejtën, nuk e mora seriozisht.
Duke ditur marrëdheniet e dikurshme të Izetit me mua, mendova se Xhevdeti donte të më bente një sfidë, ndaj pa e menduar gjatë iu përgjigja se do ta bëja parathënien, pa qenë i bindur nëse do ta kryeja apo jo.
Më pas, duke gjykuar ftohtë dhe gjatë, vendosa.
***
Izetin e njoh qysh në vitet e rinisë së tij studentore. Kurbat e ecurisë së jetës e bënin atëherë Izetin një person interesant. Ai përfaqësonte një grup të rinjsh protagonistë, aktivë e njëkohësisht dëshmitarë të një periudhe të ndryshimeve të medha.
Për mua, Izeti ishte një djalë i zgjuar që në rininë e e tij nuk diti të përdorte dobishëm aftësitë që ishin të plota për një jetë të sukseshme. Ai ishte edhe i dhunshëm, ku së pari i referohej muskujve e jo mendjes; e njëkohësisht ishte edhe njerëzor, i besës tradicionale, edhe trim i çartur, edhe naiv në tradicionalitetin, në besnikërinë e tij ndaj “të parit të fisit”, në rastin konkret ndaj atij që, siç thotë, e kishte idhull, të përfaqësuar nga njeriu i krahinës së tij e të cilin vendosi ta mbështeste me çdo çmim. Tashmë, me të drejtë ai ndihet i fyer, i zemëruar dhe i revoltuar për përdorimin që i ka bërë ky njeri.
Duke medituar atje në syrgjynin e detyruar nga ish-idhulli i tij larg familjes dhe miqve, pas kaq vitesh, i ftohtë në logjikën e tij ai është vetë kritik, artikulon përgjegjësinë e tij veçanërisht duke u përqendruar në gabimet e bëra me pasoja jo vetëm për jetën dhe familjen e tij, por edhe për popullin dhe për gjithë vendin. Njeriu në një gjendje shpirtërore sikurse është Izet Haxhia aktualisht, flet vetëm me ndërgjegjen e tij. Kjo e bën atë të vërtetë e të besushëm në rrëfimin e tij, në faktet dhe argumentet që paraqet.
Shumëkush mundë të pyesë: Pse e bëri këtë Izeti? Ç’e shtyu në këtë rrëfim? E vërteta duket fare e thjeshtë. Erdhi nje moment që spekulluesit, mashtruesit kalemxhinj e mercenarë, që janë rracë jo e pakët te ne, u larguan aq shumë prej të vërtetave sa që Izeti nuk duroi më. Dhe shpërtheu. Unë do të shtoja se është edhe aftësia e gazetarit për të nxjerrë këto fakte, deri edhe brerjen e ndergjegjes të rrëfimtarit.
Në këtë libër na shpaloset portreti mjaft interesant dhe simpatik i Izet Haxhisë. Djalë i një familjeje patriotike, ku thuajse të gjithë ishin të shkolluar dhe me emër të mirë në krahinën e tij, me energjinë e të riut, me vrull ndonjëherë të pa kontrolluar mirë, por i pastër e i ndershëm në marrëdhëniet me atë që e beson, ai në procesin e jetës përdoret, zhgënjehet. Por ja, vjen momenti e përfundimisht ai në faqet e këtyij libri gjykon si një burrë i pjekur dhe me mençuri për veten, për vendin, për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen.
***
Rrëfimi i sinqertë i Izetit intrigon cilindo që kërkon të njohë ato situata që u bënë përcaktuese dhe ndikuese të rëndësishme edhe në zhvillimet e mëvonshme në vend.
Por unë kam edhe një arsye të fortë për të shkruar këtë parathënie të librit të Izetit. Kisha një detyrim personal ndaj familjes Haxhia. Dihet fakti që vëllezerit Haxhia u paguan për të më vrarë mua nisur nga e kaluara, që unë dikur kisha përjashtuar nga fakulteti Izetin. Ata nuk u bënë vrasës dhe e refuzuan kategorikisht Azem Hajdarin në këtë nismë ogurzezë.
Ky mendoj se është një nga faktet kokëfortë dhe tepër bindës që Izetin dhe njerëzit e tij nuk i etiketon dot si vrasës askush.
Në këto intervista unë lexoj jetën e një djaloshi, pjesë e një grupi djemsh e vajzash të ndershëm e idealistë që në dhjetorin e vitit 1990 u ngritën me guxim kundër diktaturës. Mirëpo, sikurse del fare qartë në këtë rrëfim të Izetit, krahas tyre, brenda kësaj bashkësie njerëzish idealistë, kishte edhe individë e grupe të nisur nga motive të ndryshme, të këshilluar, të komanduar, intrigantë, interesaxhinj, spiunë, batakçinj, që u futën në levizje për qëllime të ndryshme dhe që në fund të fundit e dëmtuan në mënyrë ta pandreqshme atë lëvizje. Këto kontigjente janë të zakonshme në kohë turbullirash e revolucionesh. Kam parasysh këtu Revolucionin francez të vitit 1789, revolucionin e 1917-s në Rusi, por edhe Luftën tonë Antifashiste nacionalçlirimtare.
Një situatë e ngjashme u përjetua në vendin tonë në vitet ’90. Në këto situata dramatike është vërtetuar se janë të pasura me dëshmitarë e pseudo dëshmitarë, me analistë e opinionistë sharlatanë e servilë të paguar që për karrierë, bastardët i shndërrojnë në patriotë, ndërsa spiunët na dalin heronj.
Të vërtetat e dëshmuara nga Izeti në këtë libër kanë vlerë të veçantë edhe në këtë aspekt, pra për të pastruar historinë e këtyre periudhave nga mashtruesit dhe shtrembëruesit e tyre.
Është tashmë i pakontestueshëm fakti se zhvillimet komplekse e kontradiktore në nivelet drejtuese e organizuese të politikës pas përmbysjes së diktaturës, jo rrallë u karakterizuan më shumë me intriga se sa me politikë, më shumë me hile se sa me ndershmëri, më shumë me kurthe e pabesi deri në krime.
Izeti i asimiloi këto realitete dhe e kuptoi me vonesë thelbin e zhvillimeve që po ndodhnin. Ai nuk arriti të njihte në kohë njerëzit të cilëve u shërbente si dhe veprës së yre të mbrapshtë, jo në shërbim të demokracisë dhe të mirës së vendit.
Tashmë ai është i bindur se ata njerëz të cilëve u shërbeu kanë vepruar antikombëtarisht. Por, në vrullin e ndryshimeve që po ndodhnin dhe të pranisë së tij aktive në to, madje shpesh edhe si protagonist i tyre, i dominuar nga mentaliteti malësorit naiv, harroi se në krahinën e tij përveç malësorëve që mishërojnë njeriun e besës, trimërisë dhe karakterit, njihen edhe cubat që janë e kundërta e të parëve.
Ky libër që permbledh intervistat e Izet Haxhise ka një vlerë jo vetëm politiko-historike, por edhe juridike, të cilës do t’i jepja vlerë të veçantë. Po të flisja si profesor i Izetit, do t’i jepja notën maksimale. Sepse këto intervista tregojnë thelbin e çudisë (sekretin) e tranzicionit shqiptar, pjesën e pistë dhe kriminale të tij.
Gjithë rrëfimi i Izetit ngjan si një përsëritje e momenteve fatkeqe të historisë tonë, të daljes në krye të tradhtarëve, spiunëve, antishqiptarëve që kanë sabotuar apo dështuar përparimin e Shqipërisë. Një nga momentet padyshim më prekëse që dëshmohet në këtë libër, është ai i lindjes së Partisë Demokratike.
“Fëmija paska lindur i vdekur”, do të thoshte Kasëm Trebeshina.
Daut Gumeni, ish i burgosur politik, e pikasi ndër të parët këtë të vërtetë. Ai përcaktoi diagnozën e falsitetit të të ashtuquajturës opozitë demokratike dhe të ndryshimeve politike qysh në fjalët e para të Berishës, duke u bërë një nga kundështarët e rreptë të regjimit të ri politik, apo të farsës demokratike që nisi të luhej.
***
Shpesh thuhet se politikani më përcaktues në këto 25 vjet është Sali Berisha, madje vetë Berisha arriti në delir të thotë “Epoka Berisha”.
Por nga se karakterizohet kjo “epokë”?
Së pari nga dështimi i elementit bazë, themeltar të demokracisë, votës së lirë, zgjedhjeve përherë të pa rregullta e të karakterizuara nga parregullsëitë dhe manipulimi etj. Zgjedhjet e shantazhuara, jo të lira dhe korrekte, në historinë e pluralizmit në Shqipëri, kanë patur moment inaugurues vetëzgjedhjen e Berishës Kryetar të PD-së. “Unë dhe Azemi shkuam me pistoleta në mbledhje. Nqs nuk do të zgjidhej Berisha, do të shkatërronim PD-në me armë, do të futeshim në PD, do të vrisnim kundërshtarët”, shkruan Izet Haxhia për zgjedhjet e 19 Janarit 1991.
Kjo ka ndodhur pasi ishin anuluar zgjedhjet paraprake, të cilat u fituan nga Aleksandër Meksi. Në klimën e krijuar nga kërcënimet dhe manipulimet, të cilat, sikurse tregohet fare qartë në këtë dëshmi të Izet Haxhisë, karakterizojnë PD-në e këtyre më shumë se 20 viteve, e cila gradualisht u largua nga kontigjenti më idealist dhe i ndershëm i lëvizjes së Dhjetorit dhe themeluesve të PD.
“Pas ca ditësh askush nuk guxonte të fliste kundër Berishës” shkruan më poshtë Izeti. Kështu u shua demokracia në PD qysh në lindjen e saj.
Kjo është pikënisja e zgjedhjeve të parregullta në Shqipëri. Ky njeri që u zgjodh për vete në partinë e tij me shantazh e kobure, si mund të bënte më pas zgjedhje të rregullta kur flitej për pushtet, para dhe pasuri?
Çdo proces zgjedhjesh që nuk do të fitohej nga Berisha nuk do të pranohej asnjëherë prej tij.
Dhe kjo filloi qysh në zgjedhjet e para pluraliste që u mbajteën më 31 mars 1991, të cilat pa asnjë dyshim ishin më të rregulltat se zgjedhjet e mëpasshme, dhe që berisha nuk i njohu dhe shkaktoi tragjedinë e 2 Prillit.
Izeti shkruan me sinqeritet për një nga ngjarjet më tragjike të fillimeve të tranzicionit shqiptar dhe askush i bë pikat mbi “i”. Azemi shkoi në Shkodër më 1 Prill dhe mori me vehte një grup që i la atje.
Nuk është e vështirë të kuptosh kush e bëri masakrën e 2 Prillit dhe sa të drejtë ka oficeri trim dhe i ndershëm Gjek Çelaj, i cili dëshmon si askush me vërtetësi për 2 Prillin e’91-shit. Vetë Azemi ka kërcënuar në një moment që nuk kontrollonte veten (ishte i dehur) “ do t’jua bëj si në Shkodër” u tha të vetëve në PD, dëshmon Izeti.
Izeti jep një detaj të “vogël” mjaft domethënës kur u pyetën dy gazetarë amerikanë, pasi u mor rezultati i votimit të 31 marsit, ku njeri, Dejvid Bajnderi, po pyeste i dehur se ç’farë të bëjmë. Të nesërmen erdhi Elez Biberaj e tha “mos njihni zgjedhjet”, për të imponuar zgjedhje të parakohshme!
Me gjakosjen e 2 Prillit sikur u plotësua edhe një pikë e doktrinës Truman dhe të Alen Dallesit, të luftës me intesitet të ulët, për përmbysjen e pushteteve komuniste. Pas lojës me intelektualët, grevat e sindikatave, sabotimet etj., dhe kur populli nuk vepronte, hyri në zbatim një skenar tjetër i zi: atëhere mund të bëhen edhe vrasje.
Kjo ngjarje ku njerëzit e Berishes vranë demonstrues dhe akuzuan policinë, i shërbeu atij edhe si precedent për grushtin e shtetit në vitin 1998, duke akuzuar Nanon për vrasjen e Azemit, në mënyrë që të justifikonte marrjen e pushtetit me dhunë. Veçse, ka një ndryshim thelbësor: nëse më 1991 amerikanët miratonin, këshillonin ose mbyllnin sytë para veprimeve kriminale të Berishës, në 1998 ata e nxorrën “për leckash” nga zyrat e shtetit që kishte dhunuar e pushtuar. Për të ilustruar këtë në mënyrë logjike, jepen fakte interesante nga Izeti në intervistat e tij që përfshihen në këtë libër.
***
Historia e demokracisë shqiptare është nga më të çuditshmet jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe në Europë dhe në planet. Dhe kjo ka ndodhur për disa fakte të pakontestueshme që tashmë i njohim të gjithë.
Dhuna dhe manipulimi i votimeve vazhdoi me referendumin për Kushtetutën në 1994, masakrën e zgjdhjeve të përgjithshme të 26 majit 1996, dhe me bandat që kryen krimet më 1997… E, pikërisht kur nuk kishte asnjë rrugëdalje, pra në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, në kohën kur Berishes iu mbyllën shtigjet e manipulimit të zgjedhjeve dhe dhunimit të zgjedhësve, ai përdori të vetëquajturin “mbret” për të sulmuar KQZ-në për ndryshuar rezultatin ose për t’i bërë zgjedhjet të pa vlefshme.
Ky është padyshim një nga momentet më groteske që përshkruhet në rrëfimin e Izet Haxhisë. Leka Zogu u përdor paturpësisht nga Sali Berisha në atë kohë. Por kjo vërteton më së miri faktin se nuk ka patur zgjedhje në të cilat të mos ketë ndërhyrë, manipuluar dhe dhunuar banda e Berishës.
Unë kam qenë dhe mbetem një socialist i palëkundur në bindjet e mija dhe mund të them se sa kishte ndikuar kjo psikozë në PS. Unë mund të dëshmoj se aq shumë ishte rrënjosur kjo psikozë në PS, edhe kur ajo ishte në pushtet dhe organizonte zgjedhjet, sa që t trembeshin se ç’farë do bënte Berisha për t’i deformuar ato.
Duke përshkruar disa nga protagonistët kryesorë të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90 dhe të themelimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist, momente në të cilat spikat dukshem niveli i formimit ose karakteri i atyre që do të bëheshin protagonistë të të ashtuquajturave ndryshime demokratike në vend, Izeti na tregon një sërë detajesh të panjohura. Nuk është e vështirë që prej ketyre hollësive të kapura me zgjuarësi prej tij të kuptosh se cila ishte klasa politike që do të merrte në dorë zhvillimet politiko-shoqërore në Shqipëri.
E pra, nga këto zhvillime të vrullshme dhe dramatike që ndodhën në atë kohë në Shqipëri, lindi një klasë politike e paaftë, e korruptuar, e privuar nga çdo princip moral dhe politik, përgjegjëse e shkatërruese për gjithçka që ndërtoi me sakrificë një popull i varfër për shumë e shumë vite me radhë. Të korruptuar, komprometuar apo kërcënuar, disa nga e kaluara e tyre, nga babëzia për t’u pasuruar, me ndërgjegje, apo të diktuar, në fundin e shekullit XX, ata e kthyen Shqipërinë në një koloni. Ata bënë Shqipërinë një tezgë për të shitur mallrat e të tjerëve, madje dhe të atyre që punojnë kundër interesave kombëtare.
Mjafton të kujtojmë situatat destabilizuese që krijoi Berisha gjatë kësaj kohe. Gjatë asaj periudhe dy herë Shqipëria humbi sovranitetin, pasi u desh që, për të ruajtur stabilitetin në vend të ndërhynin ushtritë e huaja.
Një nga diskutimet më spekulluese që ka qenë dhe vazhdon të bëhet, është aktivizimi i Berishës me lëvizjen e studentëve dhe me zhvillimet e mëvonshme. Zgjatja e këtij debati për një fakt tashmë të njohur dhe legjendimi i saj tregon mosseriozitetin tonë dhe prirjen për të manipuluar situatat.
Nga dëshmitë e shumta që dolën gjatë kësaj periudhe treguan faktin që ai u dërgua nga Ramiz Alia. Kjo konfirmohet me fakte të shumta edhe nga Izet Haxhia. Futja e Berishës dhe Azemit në lëvizjen studentore përfaqësonte përpjekjen për të kontrolluar dhe manipuluar lëvizjen, pohon Izeti.
Në vitin 1990, veçanërisht në gjysmën e dytë të atij viti, ndryshimet në Shqipëri ishin të pashmangshme. Ramiz Alia po bënte lëvizje diku testuese (takimi me intelektualët), diku për të ndryshuar (mbledhjet e organizatave të PP të hapura) përgatitja e dispozitave kushtetuese etj., që lejonte konkurrim në zgjedhje edhe nga subjekte politike përveç PPSH-së. Në mungesë të disidencës, ai ishte i detyruar nga situata e brendshme, edhe si detyrim ndërkombëtar, por edhe për të siguruar klasën drejtuese dhe vetë atë që këto ndryshime t’i kishte nën kontroll. Mënyra vetvetiu do të ishte duke vendosur ai njerëzit që do aktivizoheshin.
Nisur nga arsyetimi i mësipërm, zgjedhja e Berishës nga ana e R. Alisë nuk mund të qortohet, pasi Berisha ishte një komunist fanatik i provuar, ishte i njohur i familjeve të udhëheqësve, R.Alisë, H.Kapos të cilëve edhe u detyrohej, i familjes Hoxha (nëpërmjet miqësisë me Sokol Hoxhën).
Veprimet në dëm të interesave kombëtare të Berishës, roli i tij në shkatërrimin e vendit, furnizimin e serbëve me armatim dhe me naftë, takimet që përmend Izet Haxhia, marrëdhëniet me Fazlliçin, të cilin e futi deri në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, veprimet kundër UÇK-së, faljen e një hapësire detare grekëve, përpjekjet e Berishës për të shkaktuar luftë civile, ngrenë në mënyrë të pashmangshme, por jo patjetër real, dyshimin pse R. Alia zgjodhi pikërisht S.Berishën për të drejtuar PD-në.
“Unë e çova Berishën te studentët se ishte nga Tropoja, se në protestë kishte mjaft studentë nga ajo krahinë”, thotë Ramiz Alia, i ndodhur në pozitë të vështirë nga bëmat e Saliut. Ai justifikohet se nuk e njihte më parë.
R.Alia nuk është plotësisht i sinqertë. Ai e njihte Berishën të paktën prej vitit 1978, në Klinikën Speciale ku R. Alia vinte të vizitonte H. Kapon e sëmurë. Personi që i dilte përpara për ta informuar për gjendjen e të sëmurit zakonisht ishte Sali Berisha. Në vitin 1979 kur R. Alia erdhi në Paris për të qenë pranë H.Kapos si i dërguar i udhëheqjes, me të erdhi dhe vajza e tij që ndërkohe kreu disa konsulta mjekësore. Shoqëruesi i saj, për pothuajse një muaj ishte pikërisht Saliu. Është e pamundur që cilido baba të mos njohë paraprakisht shoqëruesin e vajzës në një vend të huaj.
Fillimi i nxjerrjes në skenë të Berishës ishte ftesa e R. Alisë për të, në gusht të 1990-s, tek i ashtuquajturi takim me intelektualët. Deri atëherë njihej si pedagog dhe kardiolog shumë i mirë, por njëkohësisht si një komunist fanatik. Në periudhën që ishte sekretar partie përjashtoi komunistë për cene në biografi. Dihej këmbëngulja e Berishës për largimin e pedagoges M. Kostaqi dhe internimi i saj për arsye politike, veprim që krijoi opinion të keq për Saliun.
***
Që Saliu ishte i dërguar i R.Alisë si dhe për misionin e tij, tregon dhe rasti i mëposhtëm.
Në ditën e protestave, çdo natë dekanët e fakulteteve thirreshin në rektorat lidhur me zhvillimin e protestave. Në një nga këto takime erdhi Sekretari i KQ të PPSH-së, Xhelil Gjoni. Midis porosive që ai dha, ishte dërgimi pranë fakulteteve të disa autoriteteve të partisë, të cilët do të ndihmonin punën e Partisë, u tha aty. E filloi me fakultetin e Ekonomisë, mirëpo Dekani Prof. A. Grazhdani refuzoi personin e rekomanduar, pasi ai nuk ishte pritur mirë nga studentët dhe së fundi i erdhi radha fakultetit të Mjekësisë. “Juve e kontrolloni situatën, tha Xh. Gjoni, megjithatë do t’i themi Saliut t’ju ndihmojë”. Pra Saliu do të ishte ndihmësi i rekomanduar nga udhëheqja e Partisë së Punës.
“Saliun mbaje ti me Ramizin me lojërat që bëni”, i thashë. Ndërsa shtova “Fakulteti ynë ka plot personalitete”, dhe përmenda Y. Popën, P.Gaçen P. Bogën, B.Elezin etj që kishin më shumë autoritet dhe priteshin më mirë nga studentët.
Në pushim para se të largohej, Xhelili më thotë: “Po ti ç’pate ashtu?” Unë që e njihja situatën, i thashë “Lërini lojrat me Saliun…”
***
Berisha dhe Hajdari i dhanë PD-së në veprimet e saj, tiparet e tyre si “hidh gurin e fsheh dorën”, shpifjen, kërcënimin, shantazhin, mashtrimin, gënjeshtrën, pabesinë etj, të cilat tani njihen mjaft mirë. “Po ti ç’ke që del në skenë, ka plot njerëz që mund të bëjnë këtë gjë”, duket se e qorton Saliu Izetin, pasi në një veprim kriminal që kishte urdhëruar Saliu, Izeti ishte angazhuar vetë.
Kështu ndodhi në 2 prill, me vrasjet në Shkollën e Bashkuar etj, për të cilat Saliu shpesh përdorte Azemin, herë Izetin e besnikë të tjerë të tij.
Inati dhe hakmarrja e Berishës për cilindo kundërshtar që e kritikonte ose pengonte në rrugën drejt pushtetit, ose e rrezikonte, nuk bënte dallime, është i opozitës, brenda ose jashtë partisë, shqiptar apo i huaj.
Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mariza Lino, e cila mbajti qëndrim kritik për sjelljen kriminale në vitet 1996-97-98, Saliu e bëri “lanet”, madje i kërkoi Izetit të shpërthente eksplozivë në Ambasadë. Ose, meqenëse Erdogani u miqësua me Nanon, Saliu i zemëruar dhe xheloz nuk pranoi as të ishte i pranishëm në Parlament kur Erdogani foli aty.
Inati atij i errëson arsyen, aq sa urdhëron dhe bombardimin e ambasadës amerikane. Kapërcimet psiko-emocionale të Berishës janë dobësitë e tij. Kjo është dëshmuar herë pas here nga rrëfimet e sinqerta të tij të tipit “do t’jua bëj si më 21 janar” etj. etj., si dhe në rastet e panikut, siç është rasti kur Berisha bën gati helikopterin të ikë dhe për këtë e pengon Izeti; kur urdhëron të hidhen në erë ura që të mos vinin në Tiranë kryengritësit e jugut, kur thirri kontingjente nga veriu që ta mbronin në Presidencë; kur urdhëroi armatosjen e kontingjenteve të PD dhe hapjen e depove të armëve dhe municioneve etj.etj. Këto janë dëshmi të Izetit, njeriut të afërt të Berishës në momentet e rrezikut më të madh gjatë atyre viteve.
***
“Në do të njohësh një njeri, jepi pushtet”. Duket sikur kjo thënie e shkëlqyer është sajuar enkas për Sali Berishën dhe për njerëz si ai. “Për këtë njeri atdheu është karrigia e tij, para karriges së tij të bjerë edhe atdheu edhe populli”, shkruan Izet Haxhia, bazuar në jetën politike të Berishës. Qysh në momentin që Berisha nuhati pushtetin dhe për këtë i duhej të krijonte besimin tek ata që kishin qenë armiq të komunistëve, të atyre që ai u kishte shërbyer, ai futi në burg atë që e futi në lojën politike të së ardhmes, duke manifestuar një nga aktet më flagrante të mosmirënjohjes.
Më tej, për pushtetin e tij, ai do të futej në krime, do të likuidonte aleatë dhe miq, krijoi polici kriminale, shkatërroi drejtësinë, inkriminoi policinë e shtetit dhe shërbimin informativ, etj. etj., pra të gjitha këto i bëri për pushtetin e tij.
Për pushtetin e tij ai futi dy herë vendin në rrezikun e ekzistencës, ku siguria dhe sovraniteti i Shqipërisë u sigurua nga prania e forcave të huaja.
Për pushtetin e tij ai pranoi emërimin e Janullatosit në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, duke vënë në pikëpyetje autoqefalinë e saj.
Për pushtetin e tij ai kreu aktin e tradhtisë kombëtare, miratimin e një marrëveshjeje që u jep fqinjëve qindra km katrorë hapësirë detare, madje të pasur me naftë.
Për pushtetin e tij ai rrezikoi të fusë vendin në luftë civile, bëri grusht shteti, dogji vendin, shkatërroi ushtrinë, madje implikoi në këto veprime trupat ushtarake të Kosovës (FARK).
Intervistat koncize të Izetit janë shumë të pasura për të dhënë këtë aspekt të portretit të Berishës. Faktet që jep Izeti janë mëse të mjaftueshme për të mos pasur asnjë dyshim për karakterin e pandryshueshëm të Saliut si një keqbërës i madh i këtij kombi.
***
Kurdoherë që Berishës i duhej të krijonte frikën, pasigurinë, psikozën se pushteti i socialistëve nuk siguronte stabilitet në vend, fillonte ‘stina e tritolit’.
Izeti, në atë periudhë njeri i brendshëm i bandës së Berishës, ndriçon shumë ngjarje tronditëse për kohën, të cilat deri tani janë vetëm të dyshuara. Strategu i këtyre veprimeve kriminale ka qenë Berisha. Shpërthimet në shtyllat elektrike, te lokali i Lush Përpalit, te gazeta “Koha Jonë”, te VEFA , kundër gazetares së guximshme Zenepe Luka etj. etj. E, tani të gjitha këto ngjarje të shëmtuara e kanë autorin të njohur.
Struktura më kriminale që krijoi Berisha dhe i shërbeu atij si e tillë ishte SHIK-u. faktet dhe hollësitë që jep Izeti mbi veprime antikombëtare të këtij institucioni shtetëror dhe drejtuesve të tij në bashkëpunim me armiq të kombit në dëm të sigurisë dhe interesit kombëtar, e veçanërisht në çështjen e Kosovës, kanë vlerë jo vetëm politiko-historike, por veçanërisht juridike.
Në ditët që masakrohej e vdiq Remzi Hoxha, krimineli Ilir Kumbaro takoi disa herë Berishën pa qenë ai shefi i SHIK-ut, dëshmon Izeti.
Në këtë rast, pyes unë, por edhe shumë të tjerë si unë: Çfarë duhet më shumë për të kuptuar implikimin e Berishës në këtë krim?
SHIK-u ka vepruar si Gestapo, thotë Izeti. Kush ka parë zyrat-qeli të Shik-ut me gjak në mure e në dysheme, me gjurmët e torturave të kryera nga Shik-asit e Gazidedes, do t’i jepte të drejtë Izetit në krahasimin që bën.
Berisha drejtonte jo me institucionet, ose jo përherë me titullarët, por me të besuarit e tij.
Midis shumë rasteve, Izeti tregon se ish ministri i Brendshëm, Agron Musaraj nuk kishte as dijeni se çfarë kishte organizuar Zv.Ministri A. Shehu në protestën e 28 Majit 1996. Ne socialistët kemi fakte të shumta të veprimeve kriminale ndaj nesh që provojnë situata të mësipërme, e na duhej të komunikonim direkt me ministrin për t’u shpëtuar pritave e ndjekjeve vrastare të bandave të Berishës.
***
Një nga krahinat që e pësoi më keq nga Saliu ishte pikërisht krahina e tij, Tropoja. Nëse urrejtja ndaj Vlorës nxori në pah karakterin hakmarrës të tij dhe mentalitetin primitiv haxhiqamilist anti-jug, anti-lab të Berishës, ngjarjet e dhimbshme të Tropojës zbulojnë më shumë elemente të këqija të karakterit të tij.
Në Tropojë Saliu bëri gjithçka që të justifikonte një luftë vëllavrasëse, shkruan Izeti. Inati i Berishës filloi qysh në mitingun anti-berishë, të parin në vend, në Tropojë, por veprimet vrasëse filluan pas krimit në qafën e Luzhës dhe zhvillimeve kriminale të mëtejshme.
Njohësi më i mirë i Berishës dhe i veprimeve të tij, Izet Haxhia, djali i asaj krahine, i cili kishte marrëdhënie shoqërore, miqësie e fisnore me disa nga protagonistët e ngjarjeve të dhimbshme, ndjen pikëllim dhe revoltë për gjendjen që u krijua në Tropojë.
***
Me hollësi Izeti flet për 14 Shtatorin, si u përgatit, si u fut në kurth Azemi, kush e çoi drejt ekzekutimit dhe pse u krye vrasja e tij. Pikërisht ky episod është jo vetëm nga më të rëndësishmit, por edhe kulmi i rrëfimit të Izetit në këtë libër.
Si asnjë tjetër më parë që ka trajtuar këtë ngjarje, Izeti argumenton se vrasja e Azemit u bë ide fikse e Berishës për dy arsye, që kushdo që njeh karakterin e Berishës dhe faktet që provojnë këtë, do të pranonte arsyetimin e Izetit.
Së pari, Azemit, duke parë rënien e Berishës, iu rrit ambicia që ai mund të merrte drejtimin e PD-së. Për më tepër, Azemi për shumë mbështetës të PD-së ishte më i besuar dhe me rritje të mbështetjes nga ana e tyre.
Së dyti, denoncimi nëpërmjet kasetave që i dha plakut të Haklajve, të cilat ishin akuzë për vrasjet e Berishës në Tropojë, ku Sali Berisha denoncohej si autor dhe përgjegjës për krimet, luftën vëllavrasëse dhe armiqësitë e krijuara në Tropojë.
Mjaftonte një prej arsyeve që Azemi të likuidohej nga Saliu, e jo më të dyja. Në një moment rreziku për jetën e tij, Azemi e tha vetë: ‘Njëshi di shumë dhe ai zhduket’.
Izeti shpreh dhimbje për eliminimin e këtyre djemve të mrekullueshëm të Tropojës, të cilët, nga krimi që futi Berisha në Tropojë, mjerisht u futën në vorbullën asgjësuese të kalkuluar dhe të komanduar prej tij.
Me sinqeritetin, vërtetësinë dhe guximin që Izeti portretizon Azem Hajdarin prej Tropojës, e tërë veprimtaria e tij që kurse hyri në lëvizje si i komanduar, por dhe me veprimet shkatërruese e kriminale për Shqipërinë, është portreti më i plotë dhe më i pamëshirshëm i bërë deri më sot.
Ky portretizim për Azemin nuk është i pari, është në mendjen e shumë prej atyre që e kanë njohur, por heroizimi i tij i stisur ka bërë që njerëzit, në këtë pisllëk të përgjithshëm të degradimit të vlerave, të mos merren me vlerësimin real të tij. Për më tepër, duhet thënë se Azemi, ai u bë viktimë e kurthit që i ngriti ai të cilit i shërbeu.
Indirekt, Izeti bëri një akuzë për të gjithë ne. Çfarë shoqërie jemi ne, kur na përdhosen vlerat kombëtare? Kur nga varret e dëshmorëve zhvarrosën Komandantin e të parës çetë Antifashiste në Europë, Myslym Pezën, që nderoi Shqipërinë në botë, dhe në ato varreza, para të cilave bie në gjunjë çdo shqiptar, varrosin Azemin, portretin e të cilit besueshëm e paraqet Izeti, dhe jo vetëm ai?
Me një formulim të shkurtër dhe të qartë, Izeti paraqet autorin dhe ekzekutuesit e grushtit të shtetit më 14 shtator: “I përgatitur nga Berisha, i ekzekutuar nga krahu i armatosur i PD, i ndihmuar nga forcat e armatosura të qeverisë Bukoshi, FARK”.
Me ndryshimin e sistemit politiko-shoqëror dhe me hapjen e Shqipërisë me botën, me gëzim dhe ngrohtësi u prit ardhja e shqiptarëve nga Kosova. Ndarja gati shekullore, dëshira shumëvjeçare e dyanshme, ishte llogaritur nga agjentura e Serbisë për të futur njerëzit e saj që do të vinin në Shqipëri. Ky fakt i rëndësishëm nuk i shpëton Izetit.
Nga ana tjetër me shkatërrimin e Sigurimit shqiptar, nuk u ruajt as kundërzbulimi, sigurimi i jashtëm agjentura anti-UDB, etj., por u shkatërrua tërësisht, për rrjedhojë u lehtësua depërtimi i agjenturës serbe.
Për pasojë, ndërsa UDB-ja krijonte e zgjeronte terrenin e veprimtarisë antishqiptare, Shërbimi Informativ Shqiptar nën drejtimin e një Drejtori të lidhur me maqedonasit dhe një kryeministër të lidhur me serbët, ndiqte dhe eliminonte patriotët shqiptarë nga Kosova. Shembujt dhe faktet janë jo të pakta. Mjaft prej tyre dihen dhe rikonfirmohen, dhe disa dalin për herë të parë nga rrëfimet e Izet Haxhisë. Përndjekja e shumë udhëheqësve të UÇK-së, patriotëve të shquar të Kosovës dhe të diasporës shqiptare, dukej se ishte detyra e SHIK-ut. Ibrahim Kelmendi u detyrua të largohej nga Shqipëria, ndërsa Remzi Hoxha u masakrua etj.
Në mënyrë të veçantë, në këtë kuadër mendoj se me interes janë paraqitur marrëdhëniet e Berishës me Rugovën; megjithëse Berisha (lëvizjet politike të tij) është faktori që i prishi ato marrëdhënie, Izeti jep hollësi lidhur jo vetëm mbi marrëdhëniet midis tyre, por portretizon si asnjë tjetër më parë Rugovën. Me pjekuri politike, ekuilibër dhe guxim (po të kemi parasysh mbështetësit fanatikë të Rugovës në Kosovë). Ai e konsideron minimal pozitiv pacifizmin e Rugovës dhe nënvizon qëndrimin konsekuent anti UÇK të tij. Është e pabesueshme se si ky pacifist kundërshtonte bombardimin e Beogradit nga NATO, ndërkohë që bashkëqytetarët e tij në Kosovë masakroheshin nga serbët. Patriotizmi, humanizmi, dhembshuria e tij janë të dyshimta, bazuar qoftë vetëm në faktin që nuk nderoi si çdo shqiptar Jasharët e lavdishëm dhe të ngushëllonte të mbeturit e paktë gjallë të asaj familjeje, të cilët përjetësisht do të nderohen nga kombi shqiptar.
Izeti nga pozicioni i tij i afërt me Berishën dhe me situatat që ka përjetësuar me udhëheqës e pjesëmarrës të luftës për çlirimin e Kosovës, rikonfirmon qartë mjaft dëshmi dhe fakte mbi rolin sabotues të Berishës ndaj UÇK-së, prej burgosjes dhe spiunimit të militantëve të saj, deri në përcaktime për UÇK-në si marksiste, UDB-ashë, islamistë e deri në pengimin e veprimtarisë së saj.
Dua të shtoj këtu se nuk jam në një mendje me Izetin lidhur me barazimin e Nanos me Berishën lidhur me rolin e tyre me UÇK dhe luftën e saj.
Është e vërtetë që në një periudhë të shkurtër kohe, më shumë nga presioni ndërkombëtar, Nano është luhatur, ka ndërprerë përkohësisht dhe pjesërisht furnizimin e UÇK-së, por në tërësi ai ka ndihmuar, pavarësisht aventurës së tij politike në takimin me Millosheviçin. Ai, mendoj se ishte një veprim i ushqyer nga deliri që kanë politikanët shqiptarë të pamaturuar e mburracakë, që para se të bëhen udhëheqës të vendit të vet, duan të tregohen politikanë të rangut rajonal dhe evropian.
Të barazosh Nanon me Berishën është njësoj si të vendosësh në balancë veprimet e një njeriu të papërgjegjshëm, në disa momente të lëkundur, por që në tërësi problemit themelor të çështjes së Kosovës iu përgjigj e nuk e pengoi, me Berishën që veprimtarinë armiqësore ndaj UÇK-së dhe sabotimin e çështjes së Kosovës e kishte mision.
Sepse krejt i ndryshëm është qëndrimi i Berishës ndaj serbëve. Prej angazhimit të tij në krye të PD-së dhe qeverisë, fshehur apo dukshëm, janë denoncuar veprimet në dobi të Serbisë, disa prej tyre dihen si furnizimi me karburant, armatim, takime të fshehta, përpjekjet për destabilizimin e Shqipërisë kur Serbia kishte problem të madh me Kosovën.
Të konfirmuara, apo të denoncuara për herë të parë nga Izeti. Eliminimi i shumë patriotëve e luftëtarëve kosovarë është qëndrim i ngjashëm me atë të Zogut në eliminimin e anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës, atdhetarë të vërtetë dhe armiq të Serbisë antishqiptare. Saliu bëri veprimin skandaloz, të paprecedent në politikat e sigurisë kombëtare: futjen në mbledhjen e këtij këshilli të Fazlliçit, duke u tallur me ligjin, rregulloren e këtij institucioni, por veçanërisht është e dënueshme për dinjitetin e shtetit.
Në taktikën e Saliut “hidh gurin e fsheh dorën”, edhe përdorimi i të tjerëve për qëllimet e veta ka dhe skena humori e groteske. Veçanërisht groteske është skena e “betejës” së mbretit Don Kishot në sulmin kundër KQZ-së në fillim të korrikut ’97, për të manipuluar rezultatin e referendumit për mbretërinë. Në përshkrimin e kësaj skene dhe jo vetëm të saj, Izeti tregon se nuk i mungon sensi i humorit.
Turma “Haxhi Qamiliste” e prirë nga ‘Mbreti’ me kobure që donte të pushtonte KQZ-në, pas një breshërie në ajër u zhyt nëpër ferra e shkurre, pak më tej një drejtues i PD që kish vajtur për të përforcuar trupat e ‘mbretit’, u lag jo vetëm nga pellgu në të cilin u zhyt, por edhe nga ujërat e organizmit të vet, përshkruan Izeti. Thirrjet në TV se “e morëm pushtetin” dhe ikja me bisht në shalë e kontingjenteve demokrato-legaliste, të kujton skenat e estradave të dikurshme me temë lufte që paskan qenë më shumë realiste sesa me ngarkesa e me parime ideologjike.
Kur luftëtarët e Saliut hanin drekën e Azemit me çorbë e pilaf, ndërkohë që heroin, i cili ishte motivi i grushtit të shtetit, e varroste në shpërfillje e braktisje komunalja e qytetit dhe fare pak mbështetës të tij, janë material për poema satirike si ajo e Shefqet Musarait (Epopeja e Ballit Kombëtar) apo në duart e Pëllumb Kullës do të përbënin perla të humorit në realitetin tragji-komik shqiptar.
Qesëndisjet e Izetit “se jemi të zënë me rrahjen e së majtës”, përbëjnë tiparin karakteristik berishian të viteve 1991-1998, kur rrahja e socialistëve edhe me këmbë karrigesh ishte argalisja e zakonshme e banditëve të Salës. Izeti është një dëshmitar i rrezikshëm e, megjithëse i kërcënuar për t’u vrarë atje ku është, i përgjigjet me humor: Hajdeni t’ju qeras me ndonjë salep, po më dhatë mundësinë… Humori i Izetit tregon se ai është i qetë shpirtërisht në katarsisin e jetës së tij, pavarësisht vuajtjeve dhe largimit nga familja.
Tërësinë e karakteristikave që Izeti i përshkruan për politikanin shqiptar pas viteve 1990, Dr. Kevin Barret e përmbledh në mënyrë të shkëlqyer te tabloja klinike e ‘Psikopatit’.
Ja si e përshkruan Barret: “Psikopatët i lejojnë vetes të gënjejnë, të vrasin, të mashtrojnë, të vjedhin, të torturojnë, të manipulojnë dhe në përgjithësi të shkaktojnë vuajtje të mëdha për njerëzit e tyre pa ndonjë pendim, në mënyrë që të sigurojnë qetësinë e tyre përmes dominimit”.
Po t’i kishte rënë në dorë ky material i Dr. Kevin Barretit, Izeti do të ishte përqendruar kryesisht në përshkrime mjekësore të politikanit ose politikanëve që i bënë gjëmën Shqipërisë.
Por, megjithatë, Berisha është produkt i yni. Në cilin vend politikanët dhe populli do të mbanin një njeri që vetëm shkatërron, që prania e tij në politikën dhe drejtimin e vendit është shoqëruar me shkatërrim të shtetit, institucioneve, me vrasje, tradhti, trafik, përpjekje për luftë vëllavrasëse e luftë civile, likuidim të sovranitetit dhe tjetërsim të territorit “hapësirë detare”? Imuniteti i tij ndaj drejtësisë dhe ndëshkimit është siguruar jo vetëm nga mbështetësit e tij, por njëherësh dhe atyre që kanë pozicionin e kundërshtarit politik të tij.
Shqiptari i thjeshtë Izet Haxhia ndjen përgjegjësinë për gabimet e bëra, megjithëse nuk kishte asnjë post dhe fuqi në shtet e politikë. Cili politikan bëri një vetëgjyqësi e katarsis si Izeti?
Zhvillimet e vrullshme e me kthesa të forta në jetën e Izetit të kujtojnë proverbin e lashtë kinez “Fisi, (në këtë rast personi) dhe lumi dalin nga shtrati, por kthehen përsëri në shtratin e vet”.
Përgatitësi i librit, gazetari dhe shkrimtari Xhevdet Shehu, i ka ndërthurur intervistat me komente dëshmitarësh dhe personalitetesh njohës të realiteteve dhe situatave që u krijuan dhe u zhvilluan në Shqipëri dhe që njihen për gjykime objektive. Ky kompozim mendoj se ia ka rritur vlerat këtij libri që kemi në duar.
Ky libër lexohet me kënaqësi jo vetëm se nxjerr në dritë çfarë ndodhte pas perdes, por i shkruar qartë dhe i plotë në të vërteta, mundëson njohjen e plotë të thelbit të ecurisë së mbrapshtë në këto vite.