Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla ishtë sot në Elbasan, ku mori pjesë në mbledhjen e Asamblese së PS-së, ku u zhvilluan edhe zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së për Bashkinë e Elbasanit.
Për Ballën zgjedhja e kryetarit të ri të PS-së për Bashkinë e Elbasanit është një proces mjaft i rëndësishëm organizativ, i cili i paraprin organizimit elektoral për zgjedhjet vendore të 2019.
“Për ne është shumë e qartë që në zgjedhjet vendore të 2019, të vetmit aleatë që do kemi do të jenë njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi dhe prandaj për ne procesi i bashkëqeverisjes me njerëzit është shumë i rëndësishëm“, tha Balla.
Në përfundim të takimit, Taulant Balla ju përgjigj edhe interesimit të mediave në Elbasan, lidhur me financimin rus të PD-së, i cili sipas tij është një shqetësim i drejtë dhe që cënon Sigurinë Kombëtare.
“Për ne, përbën një skandal të rëndë fakti që PD dhe kryetari i saj janë të përfshirë në një financim, jo vetëm të paligjshëm, por që dëmton rëndë sigurinë kombëtare, po të kemi parasysh dyshimet e thella dhe të rënda që kanë të bëjnë me një penetrim të financimeve ruse në mbështetje të një partie politike në Shqipëri.
Gjithmonë financimi i partive politike ka qenë një shqetësim i ngritur dhe nga BE dhe partnerët tanë, por fakti që partia më e rëndësishme në opozitë, Partia Demokratike, tashmë me fakte konkrete ka marrë financime ruse, ky është një akt tepër i rëndë.
Sa më shpejt Lulzim Basha dhe PD duhet të japin shpjegime, jo vetëm për publikun, por edhe para drejtësisë, sepse siç e thashë, prekin Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë.
“Përballë një opozite, të cilën e bashkon vetëm kundërvënia ndaj Reformës në Drejtësi, ne vazhdojnë punën duke qeverisur çdo ditë me njerëzit e thjeshtë të këtij vendi”, deklaroi Balla.