Aksioni i IKMT-së në zonën e “Astirit” sapo ka përfunduar. Mësohet se në këtë zonë janë shembur 33 objekte, ndërsa menjëherë ka filluar puna për largimin e materialeve inerte të banesave.
Kujtojmë që aksioni i INUK nisi që herët në mëngjes, ndërsa e gjithë ngjarja u shoqërua me përplasje mes policisë dhe banorëve të zonës që e kundështuan shembjen e banesave.
Si pasojë e përplasjeve të banorëve me policinë mbetën të lënduar 12 persona, ndër të cilët 7 banorë të Astirit dhe 5 policë.
Që të gjithë u nisën drejt spitalit të Traumës, aty ku edhe morën mjekimin e nevojshëm. Po ashtu, policia ka shoqëruar 20 banorë, të cilët dyshohen si përgjegjës të dhunë së ushtruar ndaj policisë.