Në seancën plenare publike në Gjykatën Kushtetuese për çështjen Balluku,Ilir Rusmali, përfaqësues i Presidencës, la të kuptohej se ekziston rreziku që prokurorët dhe gjyqtarët të abuzojnë me ligjin, duke pezulluar ministra dhe, për pasojë, duke paralizuar funksionimin e qeverisë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave argumentuan se GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit dhe ka penguar punën e qeverisë përmes pezullimit të Ballukut. Ata theksuan se ministri gëzon imunitet njësoj si deputeti dhe, për rrjedhojë, nevojitet një kërkesë drejtuar Kuvendit për caktimin e masave të sigurisë.
Nga ana tjetër prokurorët analfabet funksional të SPAK u munduan të argumentojnë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës nuk ka krijuar asnjë konflikt kompetencash mes institucioneve. Sipas tyre, është kryeministri Edi Rama ai që po ndërhyn, duke penguar hetimin.
Prokurorët e SPAK deklaruan para Gjykatës Kushtetuese se Edi Rama nuk duhet të legjitimohet si palë kërkuese, pasi nuk i është cenuar asnjë interes në mënyrë të drejtpërdrejtë.
SPAK argumentoi gjithashtu se pas vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese, i cili e riktheu Belinda Ballukun në detyrë, hetimi është dëmtuar, pasi ka të dhëna se ajo ka tentuar të prishë prova.
Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi argumentet e palëve, e përfundoi shqyrtimin e çështjes dhe pritet të dalë me një vendim, në një proces që ka shkaktuar përplasje të forta mes maxhorancës dhe institucioneve të drejtësisë.






