Ambasadorja amerikane në Tiranë është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano. Pas takimit Yuri Kim tha në një prononcim për mediat se me Nanon kanë folur në lidhje me mundësinë e rritjes së imazhit dhe besimit që ka policia e shtetit në raport me qytetarët.
Kim u shpreh më tej se është shumë e nevojshme që në të mirë të funksionimit të institucioneve, të zbatohen me rigorozitet ligjet në vend.
Yuri Kim: Faleminderit, pata një takim shumë të mirë me zotin Nano, erdha për ta përgëzuar për pozicionin e ri, gjithashtu rikonfirmova se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes dy vendeve tona për çështjet e ligjit. Ne do të vazhdojmë të japim sa më shumë mbështetje që është e mundur, diskutuam për mënyrat si policia të rritë besimin në sytë e publikut.
Ne jemi mbështetës të prezencës së policisë, e dimë që policia e shtetit merr rreziqe të mëdha, duke humbur jetë për të ruajtur rendin. Diskutuam rëndësinë sesi ligjzbatimi të mbetet i pandryshueshëm.