Ilir Meta para se të përfundojë mandatin, ka nisur të shpërndajë dekorata pafund.
Së fundmi ai ka dekoruar një figurë të periudhës osmane.
Meta dekoroi me urdhërin “Naim Frashëri” kapedanin e Dukatit, Dervish Aliu, në një ceremoni me pjesëmarrjen e pasardhësve të tij.
Motivacion është pjesëmarrja e tij aktive në qëndresën antiosmane në gjithë krahinën e jugut.
“Dervish Aliu, i arsimuar në “Zosimenë” e Janinës, u kthye në Dukat për të mbajtur shtëpinë pas vrasjes së të atit. Dervishi i Dukatit, së bashku me Rrapo Hekalin dhe Tafil Buzin, udhëhoqën kryengritjet fshatare kundër reformës së Tanzimatit.
Emri i tij gjendet dhe në një letër të krerëve të Besëlidhjes Shqiptare, 1847, ku i kërkohej ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kryengritja fshatare, e cila kishte përfshirë të gjithë trojet shqiptare kundër sistemit të ri të administrimit dhe taksimit të kërkuar nga Perandoria Osmane, u shtyp.
Pas shpartallimit të forcave të kryengritësve, Dervish Aliu u arrestua dhe u burgos në kalanë e Gjirokastrës, duke u internuar më pas në Tersanë e Stambollit.
Me ndërhyrjen e konsullit francez në Stamboll, Dervish Aliu lirohet dhe vjen me ndihmën e varkëtarëve himariotë në Karaburun.
Në dhjetor të vitit 1851, Dervish Aliu u thirr në Vlorë për një marrëveshje me Turqinë. Bejlerët turkomanë të Vlorës e helmuan pabesisht në kafene. Varri i tij sot është në qytetin bregdetar”, thuhet në njoftimin e Presidencës.