Presidenti Ilir Meta i propozoi kuvendit emrin e Arben Shehut si kandidaturë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Deri më tani, maxhoranca nuk ka bërë, asnjë koment për këtë propozim të presidentit por është duke ndërmarrë një iniciativë ligjore në ndryshimin e ligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Top Channel disponon një kopje të projektligjit që do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare nga ku për herë të parë këtij institucioni i atashohet edhe një nënkryetar me atributet e kryetarit. Në nenin 25 të këtij projektligji parashikon mënyrën e zgjedhjes të zëvendëskryetarit të KLSH.
“Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron Zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i Kryetarit mbetet bosh për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit, sipas parashikimeve të nenit 23 të këtij ligji. Dispozitat e nenit 21 dhe 22 të këtij Ligji vlejnë dhe zbatohen për analogji edhe për Zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të gjitha rastet kur ai ushtron funksione si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për shkak të vakancës së krijuar sipas parashikimit të paragrafit 3 të këtij Neni”.
Në projektligj parashikohet edhe një dispozitë tranzitore.
“Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi verifikon menjëherë vakancën në postit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe pasi konstatohet gjendja në kushtet e paragrafit 6 të nenit 25/b të këtij Ligji, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e Zëvendëskryetarit të KLSH dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së Kryetarit të KLSH”.
Shumica socialiste në relacionin e këtij projektligji thotë se “Amendamentet kanë dalë si nevojë e rregullimit të situatës aktuale në Kontrollin e Lartë të Shtetit, por edhe vendosjen e rregullave ligjore për të ardhmen. Procedurat e emërimit të Kryetarit të ri të KLSH,theksohet në relacion, aktualisht kanë ngecur dhe vijimi i tyre ka mbetur në dorë të vullnetit të Presidentit edhe për shkak të mungesës së rregullave, afateve dhe procedurave ligjore për sa i takon zëvendësimit.
Ngërçi për drejtimin e KLSH nisi në Dhjetor 2018 kur zotit Bujar Leskaj i mbarojë mandati. Kandidaturat e Vitore Tushës, Bahri Shaqirit dhe Petraq Milos propozuar nga presidenti u hodhën poshtë nga shumica socialiste e cila zhbllokimin e kësaj situate e shikon tek ndryshimet ligjore. (Muhamed Veliu)