Thellohet konflikti në radhët e demokratëve. Edhe pse kreu demokrat Lulzim Basha refuzoi të merrej me firmat e mbledhura nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit vijon të këmbëngulë tek vërtetësia e tyre. Ditën e djeshme ka hyrë në lojë edhe deputeti demokrat Agron Shehaj i cili shkoi në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka, për të kontrolluar firmat e delegatëve të njësisë 5 dhe 7 të Partisë Demokratike në Tiranë.
Deputeti gjatë verifikimit, në mënyrë rastësore ka zgjedhur dy nga delegatët që kishin emrin në dosjen me firma. Shehaj i ka marrë në telefon për t’i pyetur lidhur me qëndrimin e tyre për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar. Sipas tij, delegatët e kanë konfirmuar dhënien e firmave me vullnetin e tyre për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më datë 11 dhjetor.
Reagon dega 5 dhe 7 e PD
Lidhur me këtë situatë, dega 5 dhe 7 e Partisë Demokratike ka reaguar një deklaratë të përbashkët. Në reagimin e tyre ata kanë shpërthyer në akuza ndaj deputetit Agron Shehaj të cilin e kanë quajtur të interesuar vetëm për protagonizmi e tij personal.
Njësia 5 dhe 7 thanë se verifikimi i Shehajt është një dështim pasi ai nuk i njeh aspak delegatët e këtyre degëve dhe madje nuk i respekton ata. Sipas tyre, deputeti si drejtues politik i këtyre degëve as nuk i ka vizituar një herë demokratët.
Dega 5 dhe 7 tha se nuk do të lejojë deputetin dhe askënd tjetër të nëpërkëmbë dinjitetin e demokratëve. Qëndrimi i tyre sipas deklaratës, është në krah të demokratëve dhe kundër regjimit të kryeministrit Edi Rama për të rikthyer Partinë Demokratike në pushtet. “Show mediatik i Agron Shehajt me demokratët konfirmoi se interesi i tij i vetëm është protagonizmi personal.
Agron Shehaj dështoi të verifikojë firmat e demokratëve, sepse ai as nuk e njeh bazën e partisë, as nuk e respekton atë. Si drejtues politik i degëve 5 dhe 7 në Tiranë, Agron Shehaj nuk ka bërë asnjë takim me demokratët që prej ditës që u zgjodh deputet. PD në degën 5 dhe 7 në Tiranë e kudo ka vendosmërinë për të mos lënë demokratët në baltë dhe të mos lejojë nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre.
Ne jemi në krah të demokratëve dhe interesit të Shqipërisë, me misionin e vetëm për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet”, thuhet në deklaratën e përbashkët të degës 5 dhe 7 të PD-së. Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha depozitoi 4200 firma në zyrën e Këshillit Kombëtar për thirrjen e Kuvendit, i cili pritet të mblidhet më 11 dhjetor.
Berisha deklaroi se çdokush që ka dëshirë të shohë firmat mund të vejë t’i shohë, teksa u shpreh se nuk do të bëhen publike. Ish-kryeministri u justifikua se me këtë zgjedhje po respektohej ligji për garantimin e të dhënave personale. Ndërkohë që shumë zëra dyshojnë në vërtetësinë e këtyre firmave pasi ish-kryeministri pas mbledhjes së tyre nuk i dërgoi në zyrën e protokollit të PD për verifikim nga komisioni por i kyçi në kasafortën e Palokës.