Mëngjesin e ditës së djeshme ka nisur aksioni për shembjen e banesave në lagjen “5 maji” në Tiranë. Forcat policore kanë rrethuar zonën pasi një pjesë e banorëve e kanë kundërshtuar fort shembjen e banesave të tyre.
Këto apartamente po shemben në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe për këtë zonë është hartuar një plan me blloqe të reja banesash. Shumë prej banorëve e kanë kundërshtuar këtë projekt pasi sipas tyre shtëpitë nuk duhet të shemben sepse nuk kanë pasur dëme. Por fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit nisën shembjen e 7 banesave nga 430 në total, çka çoi në tensione dhe përplasje mes banorëve e Policisë.
Banorët kanë bërë rezistencë duke theksuar se kishin bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinin se ku të shkonin. Ka pasur edhe nga ata banorë të cilët kanë qenë të pajisur me dokumente të rregullta, por përsëri shtëpia e tyre është shembur.
Po ashtu një prej banorëve kishte vendosur pranga dhe nuk zbriste nga çatia e apartamentit të tij duke bërë rezistencë. Por pavarësisht qëndrimit të tij, Policia e neutralizoi dhe më pas e shoqëruan në komisariat. Në një moment kur fadromat e IKMT-së kanë mbërritur shumë pranë banesës së tyre, dy banorë janë vetë prangosur brenda mureve të shtëpisë, për të kundërshtuar shembjen e banesës.
Ato janë lidhur me pranga edhe me portën kryesore të shtëpisë. Fillimisht ndërhynë forcat e policisë bashkiake, dhe punonjësit e inspektoratit e mbrojtjes së territorit. Më vonë hynë në zonë edhe dhjetëra forca speciale. Fillimisht banorët bën rezistencë ndaj efektivëve të policisë, por në fund u dorëzuan. Pasi janë nxjerrë nga banesat banorët kanë denoncuar dhunën me të cilën janë përballur duke akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj dhe kreun e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Mariglen Qato për shkelje të ligjit.
Debate në Komisionin e Ligjeve
Opozita në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve e ngriti si shqetësim prishjen e banesave në lagjen “5 maji”. Anëtari i PD, Gazment Bardhi kërkoi që të ndalohej prishja e banesave dhe të zhvillohej një seancë dëgjimore mes banorëve që preken nga këto shembje dhe Bashkinë e Tiranës. Bardhi u shpreh se nuk duhet parë mërzitet apo jo kreu i baskisë, por duhet parë interesi i qytetarëve.
“Të mos kalohet vetëm me një fjali që kemi kërkuar informacione, por t’i bëjmë thirrje në mënyrë të përbashkët, pa marrë meritën njëra apo tjetra palë, të gjithë bashkë t’i bëjmë thirrje institucioneve të ndërpresin procedurat, policia të tërhiqet, inspektorati i territorit të tërhiqet, të bëjmë seancë dëgjimore me banorët dhe bashkinë e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira dhe të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për qytetarët.
Nuk duhet të kemi frikë se na mërzitet Erion Veliaj, po t’i bëjmë thirrje policisë të tërhiqet në këtë moment. Ka më shumë se dy mijë policë. Ky është terror. Dhe është detyra jonë të bëhemi zëri i atyre qytetarëve”, tha ai.
Reagon Veliaj
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë takimit me përfaqësues të kompanive ajrore. Veliaj deklaroi se asnjë trafikant apo kriminel nuk mund ta ndalojë punën e nisur për strehimin e të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?!
Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton agjendën e qytetit.
Agjendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”, u shpreh ai.