Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, figuron i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali me 3 vite burg. Gazeta Tema boton të plotë dosjen penale të vitit 2000, kur gjykata e Milanos e ka deklaruar fajtor ish-ministrin e Mbrojtjes në vitin 2008 për akuzën e përkrahjes së personave të inkriminuar.
Në vendim thuhet se Fatmir Mediu ka favorizuar Gazmend Mahmutaj dënuar me dhjetë vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik droge, për të kaluar tranzit nga Shqipëria në Itali me emër të rremë. Mahmutaj me ndihmën e Fatmir Mediut i është bashkëngjitur një delegacioni nga Shqipëria i ftuar nga Parlamenti Evropian për një takim lidhur me krimin e organizuar.
Trupi gjykues në Itali ka arritur në përfundimin e se Mediu e ka ndihmuar Mahmutaj t’i shmanget drejtësisë italiane duke mos vuajtur dënimin. Mediu u dënua me 4 vite e 6 muaj burg dhe pas procedurës me gjykim të shkurtuar ai përfundimisht u dënua me 3 vite burg. Në arsyetimin e vendimit gjykata argumenton se Fatmir Mediu nuk përfitoi lehtësira, pikërisht se veprimi i tij ishte në mbështetje të personave të përfshirë në veprimtari kriminale, në rastin konkret për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik droge. /Agjensia e Lajmeve Sot News/