Vettingu, megjithëse mund të ketë edhe ai gabimet e tij, po zbulon fakte skandaloze se si kanë bërë pasuri të përkëdhelurit e Bashës, ata që mbyllën dosjet e tij, që gjykuan Gërdecin e 21 janarin me sytë nga shefi i qeverisë, ministri i brendshëm dhe presidenti.
Bedri Islami
Është e pabesueshme se si një njeri, aq më tepër lider i një force politike, në kaq pak kohë, është transformuar në një mënyrë të pabesuar, duke u shndërruar në një sozie të pështirë të shefit të tij të mëparshëm.
Lulzim Basha, lideri i shqupasve të rinj, është menduar se, megjithë vjedhjet dhe fajet tragjike që ka mbi vete, të paktën për një kohë më të gjatë, do të ruajë koracatën e tij të njeriut të shkolluar, të qetë, të ndjenjësuar, për më tepër një figurë tipike holandeze, i cili, edhe sot e kësaj dite, gjysmën e trupit dhe gjysmën e kohës i ka atje, në vendin e mullinjve.
Me pamjen e tij të njeriut që qesh edhe kur të ngushëllon për një vdekje; ledhatar deri në ngjisje, i bindur se nuk bën asgjë të keqe edhe kur të gënjen se sa është ora, pushtetdashur pa e ushtruar pushtetin, dremitës në një post që i dhuruan dhe agresiv kur ishte fjala e ndaljes së dallgës së revoltës, ai, më në fund, ka shkundur atë pamjen e zakonshme, disi lozonjare e disi trullosëse dhe, ditët e fundit, furishëm, është shfaqur në një pamje krejt ndryshe. I tjetërsuar. I egërsuar. I shpërfytyruar. I çoroditur deri në asgjësimin e pamjes së tij të dikurshme dhe agresiv përtej së zakonshmes: foltores së Kuvendit.
Në pak ditë ai kërcënoi një arkitekt të shquar ndërkombëtar se do ia ndalonte hyrjen në Shqipëri, duke e shpallur person të padëshiruar, sapo të bëhej shef qeverie dhe, shkoi më tej, duke kërcënuar me vendosjen e minave shumëkatëshe që do të mund të ndërtoheshin në sheshin ku do të jetë edhe teatri i ri kombëtar.
Kërcënimi ndaj ndërtuesit Fusha, mik i tij dhe tenderues i vazhdueshëm i kohës bashkiake, duke paralajmëruar vendosjen e minave në mes të kryeqytetit, u përkrah nga analistë të pranësuar tek ai, të cilët kanë ëndrrën e minave, rrëzimit të pushtetit me dhunë dhe goditjes përmes forcës, ndërsa vetë rrinë në shtëpi dhe qërojnë gështenjat e dimrit.
Basha, në shpërfytyrimin e tij politik, e bëri kërcënimin e minave pikërisht për një kauzë që ia kanë gjetur dhe që nuk është as e tija dhe as nuk ka qenë kurrë: teatri i ri kombëtar; një sherr i vazhdueshëm mes qeverisë dhe sindikatës së artistëve, kjo e fundit një zgjatin linear i shqupit politik, që në këtë rast e banalizoi dhe e politizoi aq shumë, sa që tani ka kaluar pragun e tyre. Edhe ai vetë e di se kauza e dhuruar, si edhe të tjerat më pas, nuk është e tij, por toni i përdorur, si ato çjerrjet e zakonshme të shefit të tij politik, tregojnë se pas gjithçkaje të dukshme është edhe ana tjetër, ajo e padukshmja, por që nuk është e vështirë të kuptohet.
Përse ka degraduar kaq shumë, edhe në shfaqjen e jashtme, Lul Basha? Vërtet , nëse ndonjëherë bëhet shefi i qeverisë, do të mund të shpallë “person non grata”, një figurë të njohur në të gjithë botën për veprat e tij? Është e mundur që disa shumëkatëshe do i hedhë në erë duke i vendosur minat, apo i gjithë zemërimi dhe shpërfytyrimi i tij është diçka tjetër?
Jam i bindur se shpërfytyrimi i tij i jashtëm nuk ka lidhje as me Fushat, as me arkitektin danez, as me teatrin, as me sheshet, as me Ramën.
Ka të bëjë me dy gjëra themeltare:
Së pari, pushteti po rrëshqet gjithnjë e më shumë larg tij dhe, megjithë gabimet dhe mosrealizimet e qeverisë Rama, duket tashmë i pakapshëm.
Analizat e fundit të institucioneve europiane apo edhe indekset e pyetësorëve që po bëjnë furishëm, tregojnë se rritja e PD-së dhe , bashkë me të edhe figura e Bashës si lider i saj, nuk kanë njohur rritje, ose , në disa qarqe, ato janë në rënie të ndjeshme.
Asnjë indeks nuk tregon për rritjen e tij politike dhe as për mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme vendore të ketë ndonjë shenjë kthese. Të dhënat, me të cilat është njohur edhe ai vetë, tregojnë se mosbesimi ndaj Bashës është shumë më i ndjeshëm se sa zhgënjimi ndaj qeverisë Rama. Zona e bardhë e votuesve, pra të lëkundurit, është rritur ndjeshëm dhe është e mundur që bashkitë kryesore të vendit, përfshirë edhe tradicionalet pro pëdëistëve, të jenë bastione të reja të së majtës.
Shenja, ende në eter, dëshmojnë se bashkimi në një front mes së lësëistëve dhe pëdëistëve në zgjedhjet vendore, po bëhet gjithnjë e më i vështirë, deri sa të shkojë drejt së pamundurës. Ose Basha do të bëjë lëshime të mëdha, duke lënë bashki gati të sigurta në duart e aleatëve të rinj, ose mund të gjendemi para një kthese tjetër politike, e cila do e fundosë përfundimisht karrierën e tij dhe, më pas, do e drejtojë në dyert e strukturave të drejtësisë, ku prej shumë kohe e ka vendin e duhur.
Së dyti, para syve të tij po rrëshqet nëpër gishtërinjtë e drejtësisë një numër i madh i njerëzve të deleguar nga pushteti i tij në strukturat e saj. Shumë nga gjyqtarët e prokurorët e njohur për qëndrime thellësisht politike, duke shkuar edhe më tej se kaq, si vegla të goditjes së opozitës së kohës, tani po shpërfytyrohen moralisht e një ditë do të përgjigjen edhe penalisht.
Thuajse gjysma e një garnizoni në drejtësi, shumë nga të cilët janë plepistë apo të komanduar nga forca e tij politike, përmes shefit të qeverisë dhe një presidenti gjysmak në mendimin e tij politik, tani po shfaqen ashtu si njerëzit i kanë ditur: hajdutë të klasit të parë.
Vettingu, megjithëse mund të ketë edhe ai gabimet e tij, po zbulon fakte skandaloze se si kanë bërë pasuri të përkëdhelurit e Bashës, ata që mbyllën dosjet e tij, që gjykuan Gërdecin e 21 janarin me sytë nga shefi i qeverisë, ministri i brendshëm dhe presidenti.
Këto po largohen. Erën e goditjes e ndjen më shumë pikërisht njeriu i mbuluar me padi të mëdha, disa nga të cilat, të mbyllura me procedurë, mund të hapen një ditë dhe duhet të hapen.
Nuk do të jetë gjithnjë e mundur që për hir të sozias së tij politike, shefi i sotëm i qeverisë të shpërblejë shefin e opozitës, si në rastin kur, pasi i hodhi një pallat me leje të dyshuar në erë, i bëri edhe dhuratën disa milionë euro. Nuk do të jetë e mundur, megjithëse përkëdheljet i bëjnë punë më shumë ndaj një njeriu që më shumë të shikon nga duart se sa nga mendja.
Basha i shpërfytyruar është pamja e re e liderit të opozitës.
E kishim parë në foltoren e Kuvendit apo në deklarata çapraze , dhënë aty këtu, duke nxjerrë gjoksin para si një çupkë faqekuqe, por e kishim vështirë të besonim se njeriu që qesh mund të bëjë paralajmërime të tilla.
Një kohë e re po vjen: Basha ka hequr petkun e qytetarit dhe po vesh mantelin e kalorësit, të cilit, një ditë, si do të jetë e arsyeshme, mund t’i bien ushkurët e luftës dhe të dalë lakuriq.
Një njeri i trembur!