Në fakt, problemi i vetëm i jetës, marramendshëm keq në Shqipëri, nuk është Sali Berisha, por ai është simboli i saj. Rrallë herë ndonjë njeri, qoftë edhe i shkallës më të lartë të politikës, ka bartur mbi vete në një periudhë pluraliste kaq zezime dhe kaq shumë maskarallëk, sa ai. Në njëzet vitet e fundit është e vështirë të mbash mend një mirësi të tij, por është e pamundur të mos shohësh para vetes malin e të këqija që ka sjellë, për më tepër pas asaj që mund të quhej fillesa e një shprese për një jetë ndryshe.
Në të gjitha periudhat e jetës së tij politike, që nga dita kur u bë komunist i devotshëm dhe deri para një çasti, kur hodhi poshtë të gjithë mundësitë për një sistem të saktë dhe ndëshkues të drejtësisë, rreth tij e prej tij, janë bërë aq shumë zullume, sa do të mjaftonin për një tufë despotësh në disa vende afrikane.
Që nga shembja e sistemit të vlerave njerëzore, kthimi i forcës politike që ka drejtuar e drejton në një bandë, ku mafia politike është minorene para mafias financiare; në drejtimin e turmave në shembjen e gjithçkaje që ishte ndërtuar në pesë dekada, nisur nga teoria famëzezë e “nivelit zero”; në rrënimin e mendimit shkencor, duke mbyllur njërin pas tjetrit të gjithë institucionet e mëdha shkencore; kthimin e natyrshëm të vemendjes nga perëndimi drejt asfiskimit radikal islam dhe kthimin e vendit në një çerdhe radikale salafiste; pjesa në vrasjet e llahtarshme në ngjarjet e vitit kob 1997 e deri tek vrasjet në mesin e Tiranës; të gjitha së bashku, janë vetëm maja e aisbergut që mbisundon në profilin politik, jetën praktike dhe në të gjithë qënien e tij.
Në fakt, asnjëherë ky vend nuk do të ketë qetësi, deri sa një pjesë e ndjeshme e mendimit opozitar tani e qeveritar më herët, do të sundohet nga ky njeri, të cilin Zoti e solli për të keqen e këtij vendi.
Të gjithë i dimë këto; ka të tjerë që dinë edhe më shumë se kaq, që nga “lidhjet” jo të natyrshme familjare e deri tek lidhjet enigmë të jetës në Francë. Dinë shumë më tepër sidomos ata që i kanë hequr mbi kurrizin e tyre ngjarjet makabre të vërshimit të tij gjithë llum politik; dinë më tepër se të gjithë ne së bashku ata që kanë punuar në shërbimet e fshehta, jo vetëm të këtij vendi; dinë shumë më tepër ata që e kanë shoqëruar, dhe për këtë dëshmon shembulli i shoqëruesit të tij kryesor në vitet e para, kur sundoi dora e tij e hekurt dhe mendja djallëzore solli rrënimin. Jam i bindur se Izet Haxhia di shumë më tepër se ato që po dëshmon.
Pra, i dimë disa nga “bëmat” e tij, në të cilat, ato financiare janë ndoshta më “ të falshmet”, megjithëse më të dukshmet. E dimë se si tallet me ne kur deklaron se vila në Lalëz nuk është e së bijës, e megjithatë, pak ditë më pas na përqesh të gjithëve duke pozuar si një hero para kësaj vile, më e larta në Lalëz, me kopshtin sa një fushë futbolli, ose sa të gjitha arat që kishte ai në Viçidol.
Na përqesh pa pikë droje kur flet për kodin e familjes dhe të gjithë e dimë se si ky kod është bërë zhele, jo vetëm nga një martesë e prishur, kjo mund t’i ndodhë kujtdo, por nga “morali” që përçoi në familjen e tij të ngushtë, ku janë katër vetë dhe katër vetë janë bërë pjesë e vjedhjeve masive. Na përqesh se nuk dinte asgjë për Gërdecin, megjithëse të gjitha dokumentat flasin qartësisht se jo vetëm e dinte, por kishte aty edhe baxhanakun e tij si mëkëmbës i të birit, por edhe tallet duke lexuar një emër; tallet me inteligjencën njerëzore kur deklaron gënjeshtrën e radhës se nuk ka pranuar të jetë mjeku personal i Enver Hoxhës, ndërkohë që sjell fotot me të birin e Hoxhës, duke i bërë temena të pacipë, dhe tallet aq keq me ne, sa që vjen koha dhe e pyet veten: jam në vete apo ai tjetri është i rrjedhur.
Në fund të fundit, secili plot mund të hedhë faktet e tij, por e vërteta mbetet një: me të gjitha këto hyqyme, ai është përsëri aty, njeriu i fortë i politikës pëdëiste, që e ka mbërthyer partinë e tij në një lak, prej të cilit jo vetëm nuk mund të dalësh, por nuk nxjerr dot as gishtin; ai e ka kthyer SHQUP-in në një garnizon në mesin e Tiranës, ku je i lirë të futesh me mendtë e tua, por duhet të dalësh domosdo me mendtë e tij.
Duam apo nuk duam ka një dyanësi; politika sillet rreth Berishës dhe ai e sjell politikën rreth vetes. Asnjë ligj, qoftë edhe nëse miratohet një ligj i ri për këmbësorët, nuk miratohet dot nëse nuk ia do qejfi atij; asnjë dëshmi shqupase nuk jepet dot nëse nuk i lëviz atij qerpiku; askush nuk mund të bëjë dy herë rrjesht të njëjtën deklaratë, nëse pas herës së parë nuk ia ka miratuar ai, qoftë edhe vetë kryetari formal i PD-së, rinushi Basha. PD-ja, që nga dita kur me revolverët e Izet Haxhisë dhe të Azem Hajdarit u bë kryetar Berisha është në duart e tij.
Le të shkojmë edhe më tej: asnjë ligj, për të cilin Basha u ka dhënë miratimin ndërkombëtarëve, cilido qoftë prej tyre, nuk mund të miratohet në se nuk ka nënqeshur sado pak Berisha. Shihni shembujt e fundit, qoftë për Ligjin e ri për Drejtsinë, qoftë për byronë e Hetimeve. Basha, Paloka, Ristani, Halimi, Alibeaj, dreqi e i biri, mund të thonë gjithë ditën e ditës në parlament e në media se jemi pro këtyre ligjeve dhe do i miratojmë, mund edhe të venë firmat e tyre, por nëse ata nuk kanë pranë “B-në” e madhe të Berishës, nuk kalojnë, janë kot, bosh, hiç gjë.
Nuk ka ndërkombëtar që nuk e di këtë. Edhe në Departamentin e Shtetit, edhe në Bruksel, edhe në Strasburg, edhe në Beograd, e dinë këtë. Paradite, të deleguarit fuqiplotë të institucioneve ndërkombëtare bëjnë sikur flasin e merren vesh me Bashën, por në fakt mendojnë se si do e kalojnë pasdite me Berishën. Dhe duke e ditur se të trokasësh në dyert e tjera të PD-së , është si të troksësh tek shurdhi, atëherë e gjejnë rrugën drejt zyrës komode të “njeriut të varfër” që nuk dihet kush e financon dhe presin të marrin bekimin prej tij.
Ata që mendojnë se tani që nuk është në pushtet, nuk ka dorë të të rrjepë, janë të gabuar. E pra, përse ai vazhdon të livadhisë? Cila forcë e mban atë ende në këmbë dhe e lejon të bëjë të fortin, edhe kur është i përmjerrur?
Tri janë të tilla:
Së pari, Berisha, aq sa ishte produkt i Katovicës, aq është edhe produkt i një klani perëndimor, i cili ka ende pushtet në administratën amerikane dhe të disa vendeve perëndimore, si Franca , dhe që në kohwra të ndryshme ishin të lidhur fuqishëm, me interesa financiare, me botën e tmerrshme serbe.
Zv.Sekretari i shtetit, Igëllberger, i njohur për lidhjen e tij me botën financiare serbe do të jetë njëri ndër nunët e parë politikë të Berishës dhe jo më kot ai dërgoi këtu, menjëherë pas dhjetorit të vitit 1990, njeriun më të besuar, i cili, si nuk do të ndodhte asnjëherë më vonë, do të vinte nga Beogradi, ku “rastësisht” kishte mësuar gjuhën shqipe.
Ky taraf politik, jo vetëm përtej Atllantikut, por edhe më pranë nesh, u josh fillimisht nga ideja e përmbysjes së komunizmit, të cilit në fakt asaj kohe i kishin rënë patkojtë; pastaj u josh se gjetën pranë vetes një njeri të gatshëm për çdo gjë, në hirën e pushtetit; joshja vazhdoi nga besimi që u dha se për Kosovën nuk do të kërkonte asgjë më shumë se sa llafet e zakonshme nacionaliste, si strehë e vagabondit politik, dhe në fund, lidhjet vazhduan me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare për të “madhëruar” një pushtet autokratik që po kthehej në despotik. Njerëz të politikës evropiane, edhe kur gjithë bota shihte se si vidheshin votat e vitit 1996 dhe rriheshin opozitarët në mesin e sheshit, si një parathënie e vrasjeve të mëvonshme, i quante të rregullta, pasi, më pas, kompani të lidhura me to, do të kishin koncensionet e tyre të mëdha, të kromit të bakrit, të lojrave të fatit etj etj.
Klani perëndimor që e mori nën sqetullat e veta Berishën, herë pa here, bënte sikur zemërohej me të, por tarafi që ishte i paguar, i sillte shpejt në gjendjen e mëparshme dhe Berisha, megjithë kablogramet skandaloze për të, kishte karrocatën e pagesës.
Së dyti: si e kam thënë edhe në shkrime të tjera, Shërbimi Inteligjet në Shqipëri ka qenë gjithnjë i dyzuar. Ata mw shumë kanw punuar për Berishën, sesa për vendin. Sepse vendin e kanë parë përmes syve të Berishës: Nëse u jep fuqi, pushtet e para, është vend i mirë; nëse u kërkon drejtësi dhe vullnet, atëherë në dreq të shkojë. Janë të paktë ata punonjës të këtij Shërbimi, në dy periudhat e qeverisjes berishiane, që nuk kanë sot bizneset e veta, më së shumti lokale, firma ndërtimi, etj. Besnikëria e tyre shkon tek ai që i bëri pasha, kur ishin raja. Këto njerëz, pa din e pa iman, punuan zellshëm për Berishën, mbushën dosjet e tij me përgjime, raporte sekrete, ndjekje të figurave politike, sajime të ngjarjeve, mbledhjes së provave të rrejshme dhe mbi bazën e tyre u krijuan skedat e reja. Pjesë të këtyre sedave nuk janë vetëm shqupasit, të cilët nuk guxojnë as të bëzajnë, pr edhe ata që qeverisin sot. Sepse, dorën në zemër, jo çdo akuzë që bën Berisha, është e sajuar; herë – herë, edhe ai ka të drejtën e tij; por i shton aq shumë zullumet e krijon aq shumë fantazi, sa që është i pabesuar për një pjesë të mirë që nuk e duan.
Këto SHIK-as, ish policë, qofshin koliqianë apo shehrianë, nuk kanë bërë vetëm këtë. Pranë vetes Berisha ka pasur gjithnjë një klan të fuqishëm, si një gardë pretoriane, që i ka mbyllur gojën, shpejt e shpejt, kujtdo që ka qenë i rrezikshëm për të, apo thjeshtë ka rënë në mërinë e tij. Kjo gardë është edhe sot e kësaj dite e gatshme të bëjë atë që bwnte dikur, djegjen e një gazete, rrahjen makabre të një politikani apo të një shkrimtari, janë të gatshëm të terrorizojnë vendin, qoftë edhe përmes unformave të dikurshme, të hedhin në erë shtyllat e tensionit të lartë, pra, të bëjnë gjithçka që vendi të jetë nën psikozën e terrorit. Kjo ndodh sa herë Berisha largohet nga pushteti, dhe, kështu do të ndodhë deri sa ai të ketë në duart e tij forcën e kësaj garde pretoriane, që të gjithë e dinë se është, por që të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin.
Së treti: qeveria. Nuk ka pasur e nuk ka në botë qeveri më të tërhequr, për të mos thënë, më frikacake, se sa qeverisja socialiste në Shqipëri. Vetëm një herë ajo u dëshmua se mund të veprojë, kur u bë arrestimi i Berishës që ishte mbyllur në veturën e blinduar, por edhe ajo kaloi shpejt.
Në vitin 1997 veprimi më i paktë që do të kishte mundur të bënte qeverisja socaliste e Nanos do të ishte largimi nga politika e Berishës, qoftë edhe përmes plebishitit popullor. Kjo nuk ndodhi, sepse socialistët ishin ende të thekur për paqe sociale, duke e ditur se paqe nuk do të kishte, e duke u akuzuar, një ditë pasi ishin dhunuar, se kishin qenë dhunues.
Edhe qeverisja e sotme bën sikur nuk di dhe nuk ndjehet sepse nuk ka zë. Të tërhequr deri në skaj nga ideja e marrëveshjes, e mbipaqëtimit, e konsensusit ( “me konsensus” i vrau Berisha katër demonstrues në mesin e Tiranës dhe prishi të gjitha provat e vrasjeve), të joshur nga idea e të qenurit modern dhe bashkeevropianë, ata kanë mbetur tek batutat kryeministrore, të cilat harrohen sapo dëgjohen. Në tetë vitet e fundit të qeverisjes Berisha u bënë zullumet më të mëdha në Shqipëri; pasojat janë ende të pranishme e do të jenë për shumë e shumë kohë, por asgjë nuk trashitet; gjërat po mbyllen, e do të jetë një ditë qe çdo gjë do u kthehet si një boomerang gjigand.
Kjo nuk është e re. Megjithëse duket sikur nuk trazohen në punët e Shqipërisë, kancelaritë dashamirëse trazohen nga kjo gjendje e mjerë, ku drejtësia e kapur fort nuk mund të lirohet përmes miratimit të një ligji nga njeriu që e ka kapur fort këtë drejtësi.
Ndaj edhe livadhis Sali Berisha…/dita