Mero Baze
E gjithë dita e sotme dhe reagimi i institucioneve të drejtësisë dhe shtetit rreth krimit makabër në Gjykatën e Tiranës, është një përpjekje për të shfrytëzuar krimin e rëndë për hallet e tyre. KLGJ kërkon më shumë policë, Ministria e Brendshme më shumë fonde, Gjykatat më shumë roje, Ministri i Drejtësisë ka fiksim të rrisë dënimin për armëmbajtje pa leje, Berisha të theksojë dështimin e Reformës në Drejtësi, Kryeministri të shpejtojë punën për Kodin e ri Penal, e kështu me radhë.
I gjithë ky reagim, në të vërtetë, nuk prek plagën që i është hapur shoqërisë shqiptare. Plaga që ka shoqëria shqiptare sot është se ka përfunduar në një shoqëri të padrejtë.
Dhe për këtë, nuk është fajtore thjesht drejtësia, por rendi shoqëror që qeveris shqiptarët nuk ka prodhuar drejtësi. Dhe ky është një problem shumë herë më i madh se armëmbajtja pa leje, gjumi i atij punonjësi që rri tek skaneri, primitivizmi fisnor që do të vrasë gjyqtarët, e gjithë ato që dëgjojmë këto 24 orë.
Pafuqia jonë për të bërë një shoqëri të drejtë buron nga fakti se kurrë nuk i dhamë zë përballjes së qytetarit me drejtësinë këto tridhjetë e pesë vjet, dhe kurrë nuk prodhuam një kuadër ligjor që t’ua lehtësojmë hallin çdo qytetari.
Kur Reforma në Drejtësi hyri në krizë nga protagonizmi politik i disa prokurorëve të SPAK dhe varësia e gjykatave ndaj tyre, tejkalimi i çdo procedure ligjore dhe sjellja si një Republikë Prokurorësh, që u shfaq në ndalimin dhe paragjykimin e disa politikanëve të lartë, ishte një taktikë djallëzore, për të testuar padrejtësinë tek njerëz nga ku mund të merrnin mbështetjen e turmave.
Duke qenë politikanë të lartë dhe duke qenë aq shumë të linçuar nga “drejtësia e re”, për hesape politike, kishte dy të këqija: e para, që shkelja e ligjit ngjallte më pak irritim sesa ka shoqëria për vet politikanët, dhe e dyta, që justifikonte dështimin e drejtësisë së re me statistika burokratike, që në fakt nuk thonë asgjë për drejtësinë. Në drejtësi mund të kesh 90 vendime të drejta dhe mjafton një e gabuar që të hedhë në erë gjithçka.
Por në fakt, ato sjellje demonstrative të arrogancës së drejtësisë ndaj ligjit, janë pika që derdhin gotën dhe që duhet të na detyrojnë të gjithë të kthejmë kokën, se çfarë u bën drejtësia qytetarëve të thjeshtë.
Për 35 vjet askush nuk i ka dëgjuar ata. Mijëra njerëz kanë ëndërruar këto 35 vite të marrin pronën dhe nuk kanë asnjë shans, pasi çdo qeveri e bën këtë ëndërr edhe më të largët e të dhimbshme. Gjyqet e konflikteve të pronës zgjasin deri 30 vjet dhe ata që i nisin, nuk jetojnë dot deri në fund të gjyqit, duke e bërë atë një drejtësi të mohuar.
Sistemi i ri i drejtësisë është bërë dhe më burokratik, dhe më i mbingarkuar nga hallkat ndërvepruese dhe më i pakontrolluar nga vetë sistemi, duke lënë gjithçka në dorë të ILD, që në fakt nuk ekziston fare. Nëse e keni vënë re, ILD flet si avokate e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo si kontrolluese e tyre. Është njësoj sikur të dëgjoni Kryetarin e Kontrollit të Shtetit, të thotë “mos t’u bëj njeri presion ministrave kur vjedhin se cenohet qeverisja”.
Reforma e re në Drejtësi e burokratizoi më shumë drejtësinë, e bëri atë më statistikore dhe më të pashpresë për qytetarin e thjeshtë. Spektakli që bëhet me arrestimin e disa politikanëve është një ushqim për turmat e egërsuara që mungesën e drejtësisë në Shqipëri e lidhin me politikën. Është më së shumti një truk i njerëzve të drejtësisë për të shpëtuar përgjegjësinë ndaj asaj që kanë bërë dhe bëjnë vetë.
Ashtu si në drejtësinë e vjetër, kur një gjyqtar bënte një shërbim politik dhe pastaj lironte trafikantë droge, disa prokurorë të SPAK bëjnë një spektakël politik me dy-tri politikanë dhe pastaj fshehin masakrën që bëhet ndaj qytetarëve nga drejtësia në rrethe dhe në Tiranë.
Nëse Shqipëria do të organizonte një dëgjesë maratonë për hallet e qytetarëve të thjeshtë me drejtësinë, dhe të ngrinte një komision të përhershëm ku njerëzit të dëshmonin se çfarë heqin nga drejtësia, atëherë do të shikonit se sa qindra njerëz ka pa zë nëpër bodrume që nuk i merr njeri në pyetje, sa mijëra njerëz ka me dosje nëpër duar, sa çështje civile banale të nisura nga sherre gardhesh e muresh shkaktojnë viktima larg syve tanë. “Heronjtë” e drejtësisë së re janë thjesht ca autorë të kësaj kasaphane, por që tani kanë ndërruar lëkurë dhe duken sikur kanë rënë nga qielli për të sjellë drejtësi, duke bërë një spektakël politik me leje, për të treguar sikur po luftojnë korrupsionin për llogari politike.
Kur zëri i qytetarëve që askush nuk i dëgjon të dëgjohet, atëherë nuk duhet të vihet në punë thjesht drejtësia, por së pari politika, për të bërë korrigjimet e duhura ligjore në favor të qytetarëve, në thjeshtimin e procedurave ligjore, në shkurtimin e afateve për gjykimin e çështjeve, në ndoshta krijimin e gjykatave lokale civile për zgjidhjen dhe parandalimin e konflikteve banale që janë bazë e konflikteve në fshatra, dhe pastaj në reformimin real të Kodit Penal e Kodit të Procedurës Penale, jo me idetë e Ulsiut, se ai di të bëjë vetëm atë që ka bërë tek kjo dosja e pronës në Shkodër, por me një përgjegjshmëri të lartë për t’u kthyer shqiptarëve drejtësinë.
Mos prisni që drejtësia t’u rikthehet qytetarëve nga gjyqtarët e prokurorët. Duhet t’u kthehet nga politika, për atë që votojnë qytetarët. Kjo është arsyeja që sot na duket makabër mllefi primitiv i atyre që i gëzohen vrasjes së një gjyqtari shembullor. Shembulli i tij si gjyqtar i ndershëm, nuk i vlen askujt brenda një sistemi të pandershëm drejtësie. Ashtu siç nuk i duhet askujt uji i pastër që bashkohet me ujërat e zeza.
Këtu ka arritur puna që, nëse ju referohesh të drejtave themelore të njeriut në një proces gjykimi, të gjithë i kap e qeshura, sikur flet për diçka të panevojshme. Harrojnë se diferenca mes Drejtësisë së Diktaturës dhe asaj në demokraci janë vetëm të Drejtat e Njeriut. Sistemi i drejtësisë i komunizmit, nëse nuk do të shkelte të drejtat e njeriut, do ishte më perfekti i historisë sonë. Gjyqtarët ishin të pakorruptuar, prokurorët të pakorruptuar, konfliktet civile — nga fshati më i thellë deri në kryeqytet — i zgjidhte gjykata e lagjes. Çështjet penale dhe civile trajtoheshin me rregullsi. Por mjerisht mijëra njerëz shkonin në burg për arsye politike dhe nuk respektohej asnjë liri e tyre.
Po të hiqej kjo e fundit, qytetarët e tjerë merrnin më shumë drejtësi nga gjykatat e komunizmit sesa nga këto sot. Ndaj injorimi i të drejtave dhe lirive njerëzore nga drejtësia e re, i bashkuar me korrupsionin dhe drejtësinë burokratike, e kanë bastarduar sistemin dhe e kanë kthyer atë në një institucion të urryer për qytetarët shqiptarë.
Qytetarët shqiptarë ndihen të pafuqishëm përballë drejtësisë shqiptare, dhe këtë gjë ua ka bërë të pamundur politika. Me Reformën e re në Drejtësi, duket se në vend që t’u jepnim shpresë, u shtuam edhe disa gurë më të rëndë në qafë të qytetarëve, por duke e justifikuar me disa prerje kokash politikanësh. Kjo thjesht i shton listës së viktimave që deri më sot kanë qenë qytetarët dhe disa politikanë, por nuk rikthen drejtësinë.
Shikoni debatin përse janë të shqetësuar të gjitha palët pas vrasjes së gjyqtarit dhe do të kuptoni çfarë i shqetëson për të ardhmen e tyre.