Sali Berisha është thirrur të ndërhyjë në linjë telefonike në një studio televizive dhe ka nisur bisedën duke sulmuar me një fjalor të paprecedent gazetarin investigativ Artan Hoxha duke i thënë “vrasës” dhe “pjesë e bandave”.
Shkruan: Bedri Islami
Mbrëmë, në një emision të gazetares Eni Vasili, ndodhi një e papritur e paralajmëruar.
Në panelin e saj gazetarja e njohur kishte ftuar, mes të tjerëve, edhe gazetarin Artan Hoxha. Gazetar investigativ, i cili, sikur asgjë tjetër të mos kishte bërë, do të ishte e mjaftueshme dëshmia e tij televizive për 21 janarin, filmimi live i vrasjeve të ndodhura kur gjithçka po thyhej e njerëzit po iknin dhe hedhjen poshtë të pohimit të rremë e të fabrikuar të Berishës se vrasjet kishin ndodhur nga brenda demonstruesve, për të mbetur në gazetarinë shqiptare.
Kronika e 21 janarit e Artan Hoxhës, në mbrëmjen e vonë, kur po ngjizej mashtrimi dhe vrasësi po vishte dorëzat e bardha të pafajësisë, është një ndër ngjarjet më të spikatura, por i krijoi atij edhe hasmin e madh, Sali Berishën.
Berisha nuk ia ka harruar kurrë këtë Artan Hoxhës, por si duket edhe ky i fundit nuk ia harron Berishës vrasjet e shumta të ndodhura dhe që lidhen me emrin e tij.
Një përplasje që ndodh rrallë: gazetari investigativ, që sjell dëshmi me zë dhe figurë dhe, nga ana tjetër, pushtetari, i cili, pasi ka kapur dikur të gjithë shtetin, pra edhe mediat, mendon ende se kjo kapje duhet të vazhdojë deri në mbylljen e syve të tij.
Çartja e Berishës ka tri arsye themelore:
Së pari, do ë nënshkruhen disa marrëveshje të reja me shtetin grek. Njëra prej tyre është edhe ajo e Marrëveshjes për Detin.
Nuk ka histori më fatkeqe dhe fatkobe se sa kjo. E nënshkruar gjatë qeverisjes Berisha, nga ministri i tij i punëve të jashtme, Basha, e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, ajo në vetvete është një fillesë e tradhtisë kombëtare, e shfaqur në dhurimin, për shkaqe politike e ndoshta jo vetëm politike, të një sipërfaqeje të madhe të hapësirës detare shqiptare.
Marrëveshja e re , që është në horizont dhe që nuk ka fajet e Marrëveshjes Berisha, do të nxjerrë edhe më tej përgjegjësitë e pashembullta që u bënë nga vetë ai.
Në pamundësi për të mbrojtur atë që ka ndodhur, Berisha dhe një grup i njerëzve pranë tij , po bëjnë gjithçka është e mundur që, ose kjo marrëveshje të mos bëhet, të cilën edhe para dy muajve e ka mbrojtur egërsisht, ose të shtyhet nëpër dyer gjykatash, sikur të ishte gjithçka malli i tij.
Sa më shumë që afron koha e Marrëveshjes së re, aq më shumë do të çartet ai. Kështu që, ajo që ndodhi mbrëmje nuk është e para plasaritje e thellë mendore e një njeriu që nuk e duron dot shkundjen e pushtetit të tij, por nuk do të jetë as e fundit.
Së dyti, në emision, në studio, “hasmi” i tij gazetar sapo bëri një deklarim të hapur dhe të nevojshëm. Ai tha se , nëse Berisha akuzon dikë për spiun të një shërbimi të huaj, duhet ta dokumentojë dhe se, si do të ishte normale, prokuroria e shtetit duhet të hetojë këtë deklaratë. Sepse janë dy prononcime të ndryshme dhe nuk shkon përjetësisht kështu: hidh akuza dhe fshihu.
Kohët e fundit emri i prokurorisë po fillon e bëhet i zakonshëm në familjen Berisha. Çka më parë ishte një temë tabu dhe ku askush nuk ka guxuar të trokasë.
Ka njerëz që e ndjejnë se kur po u rrëshqet gjithçka. Berisha është njëri prej tyre. Ai po bën çka është e mundur që emri i tij dhe i familjes së tij të mos lidhet me emrin e prokurorisë, ku shumë nga njerëzit e dërguar nga ai tani nuk kanë më forcën e duhur. Ose, më saktë, kanë frikë.
Çfarë do të ndodhë në të ardhmen jo të largët.
Në Kosovë, partia më e fuqishme opozitare, VV, po përgatitet të dërgojë në gjyq presidentin aktual, Thaçi, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, pavarësisht se ajo mund të miratohet nga shumica parlamentare.
Llalla e mbylli denoncimin shtetëror për marrëveshjen e Detit të Berishës dhe të bashës.
Tani Llalla nuk është më. Ai është në hall për fatin e tij.
Po sikur zonja Marku ta hapë këtë çështje?
Së treti, në Shqipërinë postkomuniste nuk ka ndodhur asnjëherë që një burrë shteti të jetë kaq skajmërisht gojaç i pandreqshëm.
Që në ditën e parë të futjes në politikë, ai i dha gojës si askush, duke u marrë me gra, nëna, motra, dashnore, duke futur veshin brenda familjes, duke i dhënë gojës, duke përfolur, sajuar, ngritur teori seksiste dhe konspiracioni. Zoti e faltë!, do të thoshin besimtarët e devotshëm.
Ai e ndjen tani se gjuha e tij po bëhet e pabesueshme. Në media e duan për disa like më shumë, jo për idetë; gazetarë të shumtë e dinë tashmë se çfarë qëndron pas luhatjeve të tij psiqike,në vetë partinë e tij, në se do hiqej frika, do a kishin mbyllur derën.
Veten ai mund ta mbajë vetëm duke treguar forcë, agresivitet, dhunë dhe çoroditje.
Dhe, kur një gazetar i tregon se çfarë qëndron pas tij, dhe ia tregon me zë dhe figurë, e ndjen se toka po rrëshqet më shpejt se zakonisht dhe për të mbajtur i duhet të harbohet edhe një herë politikisht. Duke u çartur mendërisht!