Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, përshëndeti nismën e ndërmarrë nga artistët më të njohur të vendit, të cilët përmes një peticioni drejtuar institucioneve më të rëndësishme, kërkojnë ndërtimin e një teatri modern. Teksa u shpreh, se Tirana nuk ka më kohë për të humbur, Veliaj shprehu vendosmërinë e institucionit që drejton për të çuar përpara projektin për t’i dhënë kryeqytetit një teatër të ri.
“Jam i vendosur që të ecim përpara me teatrin. Sapo më informuan që të gjithë artistët kanë bërë një peticion, artistët më në zë të vendit, drejtuar autoriteteve, Presidentit të Republikës, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të Bashkisë, delegacionit Evropian, OSBE, me një apel shumë të thjeshtë, le të mos humbasim kohë!
Sot deri dje u bënim ne apel artistëve, sot jemi bërë aq qesharakë, sa i bëjnë apel artistët politikës sonë: Mos humbisni më kohë, çfarë po na lodhni, tani që u bindëm, hajde ecim përpara, se realisht nuk do na falë historia për këtë humbje spektakolare kohe”, tha ai.
Kreu i Bashkisë deklaroi se forma e zgjedhur për ndërtimin e teatrit të ri në Tiranë është aplikuar më parë me sukses edhe në qytete të tjera të Europës, të cilat kanë bashkëpunuar me privatin për të financuar ndërtimin e një vepre të re.
Veliaj e cilësoi papjekuri qëndrimin e mbajtur nga kryetari i PD, Lulzim Basha që tenton të bllokojë ndërtimin e teatrit të ri, ndërsa e krahasoi atë me Haxhi Qamilin.
“Kryetari i Bashkisë së Firences, prishi teatrin e vjetër, nga një ofertë e ngjashme nga një privat, prishi teatrin e vjetër, tek teatri i vjetër po bëhet ndërtesa e privatit, tek një vend tjetër po bëhet teatri i ri. Ne do na kishin kryqëzuar të bënim të tillë gjë. Ne themi teatër i ri 30 milionë euro pa asnjë lek nga shteti dhe nga Bashkia, ultra modern.
Del Luli që nuk nguli një gozhdë dhe tha Bjarke Ingels non grata. Si mund të jesh kaq kalama i papjekur, duhet të jesh komplet kalama. Ne themi jo, non grata, se për Haxhi Qamilin, për sa kohë që kemi të gjithë llumin me vete, çfarë na intereson ne të zhvillohet vendi, si mund të ketë një kalama drejtues opozite dhe thotë non grata arkitekti më i famshëm sot në botë”, deklaroi Veliaj.
Më pas Veliaj ka thënë se nuk është i habitur nga këshilltarët e PD-së, të cilët braktisën mbledhjen dhe u larguan, dhe u kujtoi se partia mëmë e tyre, që sot e ka selinë në SHQUP është marrë me një VKM të qeverisë Berisha mbi një pronë publike.
“PD vodhi me VKM SHQUPIN” “Po hyjmë në një fazë destruktive para zgjedhjeve. Më thoni çfarë pune bëni që të bëj. Vini vetëm për të marrë lekët. S’bëni asnjë punë. Mirë mo ndiqeni të gjithë Lulin, por e dini të gjithë se ku do përfundojë kjo histori. Jam i vendosur që të ecim përpara me Teatrin. Dy shkolla në Tiranë kanë marrë emrat e dy artistëve, njëra prej tyre të Drita Pelingut”, tha Veliaj.