Ndërsa GJKKO ka nisur gjyqin për Fatmir Mediun lidhur me masakrën e Gërdecit dhe hetimet po vijojnë, ende pas 15 vitesh nuk ka drejtësi, ndërsa për herë të parë kërkohet edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës. Petro Koçi ka rrëfyer sot në Report Tv prapaskenat e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur aso kohe nga ish-presidenti Bamir Topi një javë pas tragjedisë së Gërdecit.
Petro Koçi ka qenë i pranishëm mes zyrtarëve më të lartë të shtetit në këtë mbledhje, në rolin e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Petro Koçi tregon se çfarë ndodhi atë ditë në mbledhje dhe përpjekjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’ia atribuuar shërbimeve të huaja atë masakër të tmerrshme që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.
“Berisha bënte një përpjekje që gjithë këtë ngjarje t’ia aderonte shërbimeve të huaja. E quante veprim të shërbimeve të huaja. Nuk kishte ndonjë gjë konkrete, por kuptohet që ishte absurde që në një kohë aq të shkurtër të kishe nxjerrë aq konkluzione. Pra, kjo u vu re. Dukej që donte të shmangej nga përgjegjësia përkatëse që i takonte Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Petro Koçi.
Petro Koçi tregon se të gjitha institucionet bënin ‘ping-pong’-un, duke u përpjekur që të hiqnin përgjegjësitë nga vetja. Deputeti socialist thotë se SPAK duhet ta marrë si provë procesverbalin e mbledhjes.
“Çdo institucion mundohej ta hiqte përgjegjësinë nga vetja. Ky ka qenë reagimi i gjithëve, secili fliste për përgjegjësit të tjerëve. SPAK duhet ta marrë si provë, procesverbalin e mbledhjes. Nuk është materiali i vetëm që mbështet hetimi dhe gjykimi, por shërben për t’iu referuar provave të tjera që ka SPAK. Ishte më shumë një lloj formaliteti, se sa një mbledhje ku flisni zyrtarë të përkushtuar për të reflektuar mbi ngjarjen”, tha Koçi.
Koçi rrëfeu në studion e Report Tv edhe takimet që ka pasur me Kosta Trebickën, një ndër dëshmitarët kyç të Gërdecit, i cili më 12 shtator 2008, u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në një fushë mbi Voskopojë. Koçi tregon se në takimet që ka pasur me Trebickën, ky i fundit i ka treguar që është takuar me Shkëlzen Berishën për të folur për çmimin e fishekëve.
“Mbaj mend që më thoshte se janë takuar për të folur për procesin, fishkët etj. Ai akuzonte pushtetin për ndërhyrje në një biznes, që sipas tij i takonte atij. Fliste edhe për çmimet gjërat, mesa mbaj mend. Ai akuzonte familjen Berisha. Kishte një lloj, cenim të interesit të vet, por mua të paktën për standardin tim të moralit politik më dukej e papranueshme që djali i një kryeministri të përfshihej në një lloj biznesi apo afere që kishte të bënte edhe me sigurinë. Më dukej edhe një gjë e çuditshme”, tha Koçi