Nga Anri Bala
Edi Rama është piktor dhe të them të drejtën nuk jam njohës i mirë i artit pamor apo pikturës, por një gjë e di me siguri, që çdo pikturë ka ngjyrat e saj.
Mirëpo, kur ndërron profesion dhe bëhesh gjitholog universal, patjetër që si piktor i hershëm duhet t’i kesh ngjyrat me vete… jo në çantë, por në mendje.
Ndoshta, piktorit tonë do t’i hynin në punë ngjyrat për të bërë tabllon e larmishme të oborrit të tij qeveritarë, që çdo ditë më i zi duket! Mbushur me gjithfarë huri dhe rrypi, tablloja e piktorit është një arnë, që me shumë vështirësi dhe dhimbje, mund të riparohet nga qeveritarët, që do mundin artistin e fundit.
Ngjyra më e pështirë është ajo e fasadës së errët me analfabet funksional, që piktori na i servir si shkencëtarë, elitarë dhe asnjëherë ashtu siç janë… gomerë të duruar, të thirrur në dasëm për të mbajtur dru, pa u ankuar, edhe nëse hanë dru!
Ama, dikush duhet t’ia shpjegoi piktorit se: kjo turmë në telajon tënde kryeministrore nuk është se të ka verbuar, por ju jeni i vetmi piktor që vuani nga daltonizmi. Ju, si dalloni ngjyrat, ndaj e keni të pamundur të dalloni njerëzit.
Administrata juaj e mbushur me analfabet funksional, i’u duket si piktura juaj më e realizuar, por në fakt është vepra juaj më e shëmtuar, që nuk do të harrohet lehtë.
Nëse shqiptarët të akuzojnë për hajdutëri dhe korrupsion kanë të drejtë, sepse nëse ju kurrë nuk keni prekur një qindarkë të shqiptarëve, ata që i shërbejnë oborrit tënd kanë rrjepur çdo xhep e kasafortë, jo se duan, por nuk dinë as të shumzojnë dhe as të numërojnë, sepse vuajnë nga makutëria e barkboshit.
Ndaj, bëni mirë që ta ndryshoni këtë tabllo të zymtë ose kurohuni, që të shpëtojmë edhe ne nga ky hall, por edhe ti të kthehesh në profesionin tënd si piktor, deri sa të gjesh shkëlqimin profesional si artist i realizuar dhe jo si kryetari i bandave të hajdutëve./Ekskluzive.al