Më 8 qershor 2022 një atentat me armë zjarri ndodhi pranë fshatit Nikel ndaj Marklen Hakës, i cili kishte rënë edhe më parë pre e sulmeve të ngjashme me armë, ku kishte mbetur i plagosur rëndë.
Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ketë ngjarja të rëndë, ndërsa ka treguar edhe për rolin e dy mikeshave që e nxorën në kafe, para se ai të ishte pre e atentatit.
Iu ka shpëtuar dy atentateve, Lala: Marklen Haka refuzon statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ja arsyeja Marklen Haka kishte kohë që nuk dilte nga vila e tij luksoze në fshatin Nikël në Fushë-Krujë, që nga atentati i fundit në shtator të vitit 2019.
Atje u plagos rëndë në pragun e banesës së tij dhe humbi jetën më pas në spital halla e tij, Shpresa Basha.
Pas atentatit, ai kishte bërë veten të padukshëm për shënjestruesit e tij, të cilët kishin shprehur qëllimin e qartë për eleminimin e tij.
Madje, ai kishte vendosur të braktiste edhe Shqipërinë dhe të zhvendosej në Belgjikë. Megjithatë, edhe atje ai kishte preferuar të qëndronte në fortesën e tij në fshatin Nikël.
Megjithatë një telefonatë nga ish-kunata e tij e çoi atë përsëri në pritën e qitësve të tij, të cilët ishin në përditësim të çdo lëvizje të tij dhe kishin marrë çdo masë për eleminimin e tij.
Ata ishin të përgatitur dhe dispononin informacion në terren, kështu që kur Marklen Haka zgjodhi të dilte nga vila e tij, ajo u përfundua me atentatin që ndodhi mesditën e 8 qershorit 2022 kur një telefonatë miqësore për kafe nga ish-bashkëshortja e vëllait të tij të ndjerë, e cila ishte e shoqëruar nga një mikesha e saj, e nxorri atë edhe njëherë në rrugë, aty ku në kthim e prisnin sërish në pritë armiqtë e tij.
Më datë 8 Qershor 2022, rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga salla operative se në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël të Njësisë Administrative, Nikël-Krujë, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Marklen Lutfi Haka, i cili ka shkuar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor, provoi se në segmentin rrugor, 35 metra në anën lindore të kryqëzimit të fshatit Nikël, mbi asfalt, janë gjetur të shpërndara në mënyrë të çrregullt, 17 gëzhoja në formë cilindrike, 12 nga të cilat janë të shtypura me kapsollë të goditura me mbishkrimin në fundin e tyre 14 G.F.L, një predhë metalike e shformuar dhe një këmishë predhe.
Marklen Haka ia hodhi paq edhe këtë herë, si në sulmet e tjera me armë ku objektiv i armiqve të tij kishte qenë ai vetë dhe pjesëtarë të familjes Haka.
Ai mori një plumb në nofull, ndërsa dëshmitarë të batareve ndaj makinës së tij u bënë edhe të pranishëm të rastësishëm apo jo në vendngjarje.
Ata panë të tmerruar se si plumbat vërshuan edhe ndaj tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën. Disa prej qitjeve përfunduan edhe në lokalin ngjitur me skenën e atentatit.
Përparim Caca ishte duke shërbyer në lokalin e tij kur ndjeu së pari të shtënat e shumta që vinin nga jashtë kafenesë së tij të vogël.
Ai nuk pati mundësi të dilte dhe të shikonte menjëherë se çfarë po ndodhte në rrugë. Një vrimë tejshpuese e mbetur në xhamin e lokalit tregoi për terrorin që ai dhe të tjerë të pranishëm në kafene në atë moment përjetuan nga plumbat që vinin nga përtej rrugës.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në lokalin në pronësi të shtetasit Përparim Caca, u konstatua një vrimë tejshpuese në xhamin e dritares së kafenesë.
Po kështu nga kqyrja e automjetit model ‘Golf 5’, me targa AB 728 CB, 5 vendësh, me ngjyrë të zezë, e cila është në pronësi të shtetasit Kurt Hidri dhe që më datë 8 Qershor 2022, ka qenë në përdorimin e Marklen Hakës, u konstatuan vrima tejshpuese, me drejtim nga e majta në të djathtë, të cilat korespodojnë me xhamin e krahut të pasagjerit të parë të automjetit ne fjalë.
I pari që u mor në pyetje lidhur me ngjarjen ishte pikërisht Marklen Haka, njeriu që ishte edhe në qendër të sulmit më të fundit me armë ndaj tij. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas dëmtimit që kishte marrë në nofull, ashtu si edhe në atentatet e tjera të ngjashme ndaj tij, nuk dha asnjë informacion me interes për kundërshtarët e tij, që i ishin vënë nga pas për të qëruar hesapet me të.
Megjithëse nuk dha njohje për armiqtë e tij të mundshëm, Marklen Haka nuk mohoi dyshimet që ai pati në momentin kur makina e tij u vu në ndjekje nga një tjetër automjet, fill pasi kishte konsumuar një kafe me dy mikeshat e tij, një lokal jo shumë larg vilës së tij në fshatin Nikël. Ai tha se doli nga banesa rreth orës 12.00 të drekës, pas ftesës për kafe që i kishte bërë një e njohura e tij, të cilën e identifikon me emrin Alketa. E cila i tha se ishte e shoqëruar me një mikeshën e saj, të quajtur Rita.
Marklen Haka: Më datë 8 Qershor 2022, unë po qëndroja në banesën time kur rreth orës 12.00 u telefonova nga një mikesha ime, Alketa. Ajo më tha se jam me Ritën dhe më ftonin për kafe. E lamë të takoheshim te ‘Klajdi Park’ në Tapizë. Unë aty shkova me makinën time tip ‘Golf 5’ me ngjyrë të zezë. Kur shkova aty pashë që Alketa dhe Rita kishin mbërritur para meje dhe po më prisnin. Unë qëndrova me to në lokal përreth një orë. Pasi përfunduam kafen, unë u përshëndeta me Alketën dhe Ritëm dhe shkova të paguaj faturën.
Pasi u nda me vajzat, Marklen Haka tha për hetuesit se ai mori sërish rrugën e kthimit për në banesën e tij në fshatin Nikël. Megjithatë, me daljen nga lokali, ai vuri re nga pasqyrat e makinës një lëvizje të pazakontë të një automjeti që vinte pas tij. Ky automjet e ndiqte përgjatë gjithë kohës, pa iu ndarë për asnjë moment të vetëm. Kjo situatë shkaktoi dyshime te ai vetë, se automjeti që vinte pas tij dhe njerëzit në bord, nuk ishin përdorues të zakonshëm të rrugës.
Marklen Haka: Pasi pagova faturën dola dhe shkova te makina ime. Ndërkohë që Alketa dhe Rita po qëndronin në makinën e tyre në oborrin e lokalit dhe të dyja po merreshin me telefonin. Gjatë kësaj kohe unë u ngjita në makinën time dhe u nisa drejt Fushë Krujës, ndërsa vajzat u nisën për në drejtim të Tiranës me një automjet A Class. Por sapo u nisa unë pata dyshime, pasi në ndjekje të automjetit tim u vu një tjetër makinë, Audi A8.
Dyshimet e Marklen Hakës në atë moment nuk rezultuan thjesht të tilla. Manovrat që ai kreu në rrugë e bindën se automjeti me xhama të zinj që po e ndiqte nga pas ishte aty pikërisht për të. Ai nuk mundi të shquajë asgjë nga brenda automjetit përveç xhamave të zinj dhe targës së huaj në pjesën e saj të përparme. Ndërkohë, e vetmja mundësi shpëtimi për të ishte të jepte gaz sa më shumë të mundej makinës së tij, e cila ishte disa kuaj kubik më pak e fuqishme se Audi që po e ndiqte.
Marklen Haka: Nuk kisha ecur as 200 metra nga lokali kur vura re një automjet tip Audi A8, prodhim i viteve 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me xhama komplet të zinj, me targa të bardha të huaja, me gërma të vogla, që më bëri shumë përshtypje. Në këtë moment i dhashë gaz makinës dhe e parakalova Audin. Por aty vura re se kjo makinë po vazhdonte të më ndiqte dhe qëndronte pranë meje në një distancë rreth 100 metra.
Por kur mendoi se i shpëtoi kurthit të radhës, Marklen Haka nuk llogariti se ndjekësit e tij do ta godisnin pikërisht në momentin kur ai do të merrte frymë lirisht dhe ia kishte hedhur pa u lagur shënjestruesve të tij. Ai tha për hetuesit se sapo hyri në Nikël, një tytë arme zjarri doli nga xhami i zi i ulur i makinës që e kishte ndjekur përgjatë gjithë rrugës, dhe qëlloi në drejtim të automjetit të tij, që në këtë moment ishte ndalur në anë të rrugës.
Marklen Haka: Kur mbërrita në vendin e quajtur stacioni i Niklës, mora kthesën për në fshat. Aty pashë djalin e xhaxhait tim që duhet Tani Haka. Ai po qëndronte në këmbë në rrugë para lokalit dhe ma bëri me dorë që ta merrja. Unë ndala makinën dhe Tani mu afrua që të hipte në automjet. Në këtë moment, pranë makinës sime u afrua Audi A8, i cili uli xhamin dhe nga aty u qëllua me armë. Unë u shtriva në sedilje, ndërsa të shtënat vazhdonin. Ndërkohë që një plumb më kapi në nofull.
Edhe pse në atë gjendje, Marklen Haka tha se ende pati fuqinë ti jepte makinës dhe të largohej nga vendi ku u derdh ndaj tij breshëria e plumbave. Ai tregoi se u drejtua drejt Fushë Krujës për të kërkuar ndihmë te miqtë e tij në këtë qytet, të cilët më pas e dërguan në Spitalin e Traumës në kryeqytet, pas plagës që kishte marrë në nofull. Spitali i Traumës, që për të ishte kthyer në stacion të zakonshëm kurimi, sa herë ai binte pre e atentateve, ashtu si edhe në këto pamje të shtatorit 2019, ku edhe në atë kohë u plagos rëndë pas një prite që i ishte organizuar në orët e vona të mbrëmjes në derën e vilës së tij në fshatin Nikël në Fushë-Krujë.
Marklen Haka: Pas asaj që më ndodhi unë i dhashë makinës indietro dhe u largova drejt Fushë Krujës. Aty u ndala për një moment dhe u nisa sërish dhe shkova të kalçeto ‘Çangu’. Ku mbërriti Adi Haka i cili më pas më dërgoi në spital.
Nga shtrati i spitalit ku ndodhej, Marklen Haka tha se nuk i njihte atentatorët e tij dhe se nuk kishte dyshime për asnjë emër të veçantë që mund të lidhej me motivet e ekzekutimit të tij. Ai rrëfeu për hetuesit se ishte kthyer në Shqipëri më 5 qershor 2023, vetëm tri ditë para se të ishte pre e sulmit me armë, informacion që duket se e kanë siguruar edhe kundërshtarët e tij.
Gjatë kësaj kohe, ai kishte qëndruar në Bruksel, por nuk dha shpjegime se cila ishte arsyeja e qëndrimit të tij në kryeqytetin belg, ku ishte rezident për vetëm dy javë. Lidhur me atentatin ndaj tij, u pyetën nga grupi hetues edhe persona të cilët mendoheshin se kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Një prej këtyre personave të pyetur ishte edhe Geraldo Haka, kushëri i Marklen Hakës, i cili ishte i pari që u njoh me atentatin që i ishte bërë të afërmit të tij dhe bëri shoqërimin e tij deri në Fushë Krujë, si dhe më tej në spitalin e Traumës në kryeqytet.
Geraldo Haka: Unë ndodhesha në lokalin tim pranë shkollës 9-vjeçare Nikël, kur kushëriri im Marklen Haka, më thirri me zë të lartë; ‘Merr makinën tënde dhe më ndiq, pasi më kanë qëlluar’. Sapo e pashë, e ndoqa nga pas Marklenin derisa parkoi makinën te kalçeto.
Aty ai më pas u ngjit në makinën time dhe jemi nisur për në spital. Gjatë rrugës Markleni më tha se nuk e di kush më ka qëlluar. Nuk folëm shumë gjatë, pasi ai kishte gjakderdhje nga goja, pasi kishte marrë një plumb në nofull.
Pas marrjes së dëshmisë së kushëririt të objektivit të atentatit, grupi hetues u kthye edhe njëherë në vendngjarje për të marrë thënie të reja, që mund të shërbenin për të zbardhur skenën e krimit. Një ndër këto persona ishte edhe Përparim Caca, pronari i lokalit përballë ku ndodhi ngjarja. Ai tregoi se i tmerruar, ishte më shumë i interesuar të fshihte kokën se sa të shikonte se çfarë po ndodhte jashtë apo kush ishin autorët.
Përparim Caca: Në momentin që dëgjova të shtëna me armë, unë u ndjeva i frikësuar dhe u futa poshtë banakut dhe nuk kam parë se çfarë ka ndodhur. Unë më pas dallova një plumb që kishte përshkuar xhamin e dritares së lokalit. Në momentin e ngjarjes, në ambjentin e brendshëm të lokalit nuk ka patur klientë. Ndërsa në verandë kanë qenë të ulur një djalë dhe një vajzë, të cilët sapo dëgjuan të shtënat u shtrinë përtokë.
I vetmi që mundi të shquajë diçka rreth identikitit të autorëve të krimit ishte Dritan Haka, kushëri me Marklen Hakën. Personi i cili i shpëtoi mrekullisht plumbave ndërsa po bëhej gati të ngjitej në makinën e të afërmit të tij. Gjatë momentit kur Marklen Haka ishte ndalur në kryqëzimin e fshatit Nikël, pas shenjës që kushëriri i tij i kishte bërë me dorë për ta marrë me vete në makinën e tij. Edhe pse në fillim Dritan Haka dha detaje interesante në lidhje me karakteristikat pamore të autorit që qëlloi ndaj kushëririt të tij, më vonë në dëshminë e tij para hetuesve, ai i tha këtyre të fundit se nuk i mbahej mend mirë portreti i atij që shkrehu armën.
Dritan Haka: Më datë 8 qershor 2022, rreth orës 14:00, isha duke qëndruar në këmbë në kryqëzimin e stacionit Nikël, me qëllim për të gjetur ndonjë makinë të rastit, për të shkuar në fshat. Gjatë kësaj kohe para këmbëve të mia ndaloi me makinën e tij, Marklen Haka, që është edhe djali i xhaxhait tim. Pikërisht në këtë moment, paralelisht me makinën e Marklenit pashë që u afrua edhe një automjet tjetër tip Audi, me ngjyrë të zezë, ku nga sedilja e pasagjerit u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës, ku ndodhej kushëriri im. Unë arrita ta dalloj personin që qëlloi. Ai nuk kishte maskë në fytyrë. Ishte brun dhe mendoj se duhet të jetë diku te rreth 40 vjeç.
Dritan Haka kujtoi më pas, se autorët, ndoshta të trembur, i drejtuan armën edhe atij, por nuk qëlluan më në vazhdim. Ai mundi të shikojë vetëm ndërsa ata morën rrugën nga kishin ardhur dhe u larguan të qetë në drejtim të rrugës Kamëz-Fushë Krujë për të humbur gjurmët edhe sot.
Dritan Haka: Unë arrita të shquaj vetëm faktin që mjeti i autorëve u kthye mbrapsht. Dhe në atë moment më drejtuan edhe mua armën. Nga sa pashë pas atentatit ata morën rrugën nacionale Kamëz-Fushë Krujë.
Pavarësisht deklarimit të tij të parë se ai arriti ta shikojë në sy një nga atentatorët, në dëshminë e tij të dytë dhënë për hetuesit, Dritan Haka u shfaq i mjegullt në lidhje me portretin e qitësit që për një moment desh i mori jetën edhe atij vetë.
Dosja Hetimore: Pavarësisht se Dritan Haka, thotë se e ka parë drejt e në sy personin që qëlloi mbi kushëririn e tij, Marklen Haka, në dëshminë e dytë, ai është tërhequr nga ky deklarim, duke thënë se nuk është në gjendje ta identifikojë përsëri këtë person. Ai po kështu thotë se nuk e ka fiksuar me çfarë arme është qëlluar, por ai që ka qenë armë e gjatë dhe jo pistoletë. Dhe të shtënat kanë qenë me breshëri dhe jo tek e tek.
Asgjë me rëndësi në dëshminë e saj nuk dha edhe një nga klientet e lokalit, përpara të cilit u luajt e gjithë skena e krimit, e cila atë ditë u përball bashkë me një të njohurën e saj, me momentet e frikshme. Por që për fatin e saj të mirë, plumbat e kursyen, ndërsa iu desh të kthehej e tronditur në banesë.
J.M: Më datë 8 qershor 2022, në orën 07.00 kam dalë nga shtëpia ime që ndodhet në fshatin Mukje dhe kam shkuar në punë në një mobileri në fshatin Shelqet. Rreth orës 13:00 pasi mbylla punën u nisa për në kryqëzimin e Niklës dhe u ula në verandën e lokalit të shtetasit Pap Caca për të pirë kafe bashkë me një të njohurën time. Pak më vonë dëgjova krisma arme dhe të dyja u ulëm poshtë tavolinës. Pas ngjarjes, u largova në drejtim të shtëpisë në fshatin Mukje. Marklen Hakën nuk e njoh dhe nuk e kam parë ngjarjen sesi ndodhi dhe as autorët.
Deri në këtë pikë të hetimit, askush nuk i njihte autorët e atentatit, edhe pse kishin mundur ti shquanin portretet e tyre brenda makinës me të cilën tentuan të kryenin eleminimin e Marklen Hakës. Kjo sugjeron se qitësit më shumë gjasa nuk i përkisnin zonës përreth. Në lidhje me ngjarjen, grupi hetues u ndal edhe te makina e përdorur nga Marklen Haka ditën e ngjarjes, kur ra pre e plumbave. Nga kjo u konstatua se automjeti në përdorim të shënjestrës së atentatit ishte në pronësi të një shtetasi, me gjasa familjar i tij i afërt.
Dosja Hetimore: Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, është pyetur shtetasi Kurt Hidri. Ai ka deklaruar se automjetin që përdorej nga Marklen Haka me targa AB 728 CB, i përket përket shtetasit Agustin Haka, të cilit ia ka shitur para një viti dhe këtë gjë mund ta vërtetojë nëpërmjet aktit noterial që ka bërë te noteri.
Por në dëshminë e tij, Kurt Hidri, tha se nuk e njihte Marklen Hakën. Ndërsa me të vetmin person që kishte njohje ishte Agustin Haka, të cilit i kishte shitur edhe makinën. Megjithatë, dëshmia më interesante për grupin hetues ishte padyshim e vajzave me të cilat Marklen Haka konsumoi kafenë e fundit para se të binte pre e plumbave, veçanërisht e njërës prej tyre, e identifikuar me emrin Alketa.
Ajo kishte telefonuar Marklenin për të dalë nga banesa ku ndodhej në ngujim të plotë dhe për të pirë kafe me të. Policisë iu arrit të identifikojë shoqërinë e Marklen Hakës me dy vajzat përmes pamjeve filmike, si edhe të bizneseve në zonë, për të parë ndjekjen që i bëri më tej makina e vrasësve.
Alketa: Marklen Hakën e njoh prej shumë vitesh, pasi kam bashkëjetuar me vëllain e tij të ndjerë, Roland Haka. Atë ditë rreth orës 12.30 e kam takuar Marklenin së bashku me një shoqen time në një lokal pranë Tapizës. Pasi pimë kafe u larguam në dy drejtime të ndryshme. Ai drejt shtëpisë, ne për në Tiranë. Ngjarjen e kam mësuar përmes lajmeve.Por kjo dëshmi duket e cunguar në thëniet e saj.Pasi jo vetëm Alketa nuk tregon për qëllimin e takimit por mungon edhe dëshmia e shoqërueses së saj në tavolinë, atë ditë. Kush është kjo vajzë dhe pse grupi hetues nuk e ka marrë edhe dëshminë e saj.
Dëshmi që mund të hedhë dritë, nëse vajzat u përdorën si karrem apo u ndoqën në lëvizjet e tyre, me qëllim që grupi i qitësve të binte në gjurmët e Marklen Hakës.