Por francezët e ndershëm e patriotë i mundonte fakti se disa nga kolaboracionistët kishin fshehur veprimtarinë e tyre, nuk kishin marrë dënimin e merituar dhe, pavarësisht se dukej se gjithçka ishte mbyllur për hir të “ruajtjes së unitetit të kombit”, mbas 30 vjetësh u hapën arkivat e “bëmave të Vishisë” si dhe të proceseve gjyqësore të viteve të para mbas lufte kundër kolaboracionistëve. Në planin juridik dhe shoqëror, dokumentet e publikuara për këto procese kundër kolaboracionistëve patën rendësi të madhe për sqarimin e opinionit të gjerë francez, i cili në shumicën dërmuese i aprovoi dënimet e dhëna në atë kohë.
Njëkohësisht, hapja e arkivave, nxori në pah fajet edhe të disa kolaboracionistëve të tjerë që kishin arritur të fshiheshin. Mbi këtë bazë u zhvilluan disa gjyqe, ndërmjet të cilëve mbahet mend ai i vitit 1998, kundër Moris Paponit, i cili kishte fshehur bashkëpunimin me pushtuesit gjermanë, me firmë të të cilit ishin arrestuar dhe çuar nëpër kampe 1600 hebrenj (theksojmë se ai mbas lufte kishte arritur jo vetëm të fshihte të kaluarën por të zinte poste të rëndësishme deri atë të ministrit). Gjyqi që u zhvillua me shumë bujë e dënoi Paponin me 10 vjet burg…
Statistikat flasin qartë për urrejtjen dhe qëndrime të pafalshme ndaj kolaboracionistëve në Norvegji, Belgjikë dhe Holandë. Kështu në qoftë se në Francë janë dënuar 12 vetë ndër 10 mijë banorë, në këto vende janë dënuar nga 40 deri në 64 vetë për 10 mijë banorë.
Tepër të prerë e kategorikë kanë qenë holandezët ndaj kolaboracionistëve. Qeveria Holandeze që ndodhej në Londër prej disa vitesh, kishte filluar përgatitjet për “spastrimin e madh” Që në Londër ajo kishte bërë ndryshimet e duhura në Kodin Penal. Për këtë qëllim ishte ndryshuar dhe përfshirë në kodin e ri dënimi me vdekje për tradhtarët e atdheut. Po ashtu, për disa lloj krimesh ishin parashikuar dënime të rënda. Mbi këto baza janë arrestuar 200 mijë vetë, gjysma e të cilëve më vonë u liruan.
Atje u krijuan “Gjykata speciale” që kanë funksionuar deri në v.1950. Mbi 200 vetë janë dënuar me vdekje, rreth 5000 vetë janë dënuar nga burgim i përjetshëm deri në 5 vjet, ndërsa 6000 të tjerë deri 5 vjet burg. Po ashtu 17500 nëpunës u pushuan nga puna, ndërsa 6000 të tjerëve u dhanë masa disiplinore. Ndërmjet të dënuarve me vdekje ishte ish kryeministri A. Mjusert, si dhe disa ish ministra, që u dënuan për tradhti të lartë ndaj atdheut.
Në kuadrin e “spastrimit kombëtar”, në Norvegji kishin lindur pengesa kushtetuese, sepse, së pari, sipas Kodit Penal të v. 1902 nuk parashikohej dënim me vdekje. Së dyti, sepse duhej përcaktuar në mënyrë të prerë statusi politik i Norvegjisë në periudhën e pushtimit 1941-1945, pra, në se Norvegjia ishte e pushtuar apo ishte në gjendje lufte me Gjermaninë dhe, kjo sepse Mbreti dhe Qeveria kishin emigruar në Angli para pushtimit.
Këto “pengesa” u kapërcyen dhe kolaboracionistët u arrestuan menjëherë sipas listave të hartuara paraprakisht nga luftëtarët e rezistencës. Norvegjia konsiderohet vendi ku kolaboracionistët janë dënuar më rëndë se kudo në Europë. Megjithëse një vend me popullsi prej rreth 3.3 milionë banorë, në Norvegji u akuzuan për kolaboracionizëm 92 mijë vetë, u nxorën para gjykatave 46 mijë kolaboracionistë, nga të cilët 37150 vetë u dënuan me afate të ndryshme burgimi, ndërsa 60 vetë u dënuan me vdekje (kryeministri Kuisling u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në sy të turmave që kërkonin me ngulm ta shihnin me sytë e tyre vdekjen e tij).
Viktima të urrejtjes popullore u bënë edhe 50 mijë vajza e gra që kishin pas marrëdhënie intime me oficerë apo ushtarë gjermanë, 14 mijë prej të cilave kishin lindur fëmijë nga këto marrëdhënie. Ato u arrestuan dhe 5 mijë prej tyre u dërguan nëpër kampe përqendrimi.
Sot duken të pabesueshme, por atëherë u përgatit edhe internimi i tyre në Australi (megjithëse qeveria australiane nuk i pranoi). Urrejtja për kolaboracionistët kishte arritur deri aty, sa edhe fëmijët e lindur nga marrëdhëniet e norvegjezeve me ushtarakët gjermanë, iu nënshtruan ofendimeve, sharjeve, abuzimeve e deri tek mbyllja nëpër spitale psikiatrike.
Në Danimarkë menjëherë mbas çlirimit u arrestuan 20 mijë vetë të akuzuar për A French woman has her head shaved by civilians as a penalty for having consorted with German troops, 1944 5kolaboracionizëm. Më 1 qershor 1945 parlamenti danez, ratifikoi një ligj të ri që parashikonte dënime të rënda për bashkëpunëtorët e pushtuesve. Para gjyqit dolën dhe u dënuan 15742 vetë, nga të cilët 3641 vetë me mbi 4 vite burgim, 62 vetë me burgim të përjetshëm dhe 78 vetë me vdekje.
Në Belgjikë kolaboracionistët u ligjëruan “me shtetësi të humbur’, madje u vu në përdorim një term i ri, “joshtetas” (pa shtetësi). Sot duken të pabesueshme ato që kanë ndodhur atëherë. Rreth 600 mijë vetë u vunë në listat e të dyshuarve si bashkëpunëtorë të pushtuesit. Para gjykatave u nxorën 57 mijë vetë, nga të cilët u dënuan 23584 vetë për “kolaboracionizëm politik”, 31831 vetë për “ndihmë ushtarake” pushtuesve, ndërsa 20652 personave ju hoqën të drejtat civile. 42 vetë u dënuan me vdekje, disa prej tyre u ekzekutuan në prani të turmave. Rreth 2 mijë vetë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa rreth 5 mijë vetë u dënuan me nga 10 deri në 20 vjet.
Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Për disa vite mbas lufte, çdo belg që donte të zinte një vend pune, ka qenë i detyruar të merrte një certifikatë garancie politike, ku kryesorja ishte qëndrimi i tij gjatë luftës…
Në Luksemburgun e vogël, janë dënuar për kolaboracionizëm rreth 10 mijë vetë, nga të cilët 12 prej tyre me vdekje.
Tepër ashpër u sollën me kolaboracionistët në Çekosllovaki, madje ekzekutimi i tyre kishte filluar pa mbaruar lufta. Dhe kjo lidhej me faktin se humbja e luftës nga pushtuesit gjermanë u shoqërua jo vetëm me “gjuetinë e shtrigave” ndaj atyre që kishin bashkëpunuar me gjermanët, por sidomos me fatin e rreth 3 milionëve gjermanosudetë që u dëbuan, ndaj të cilëve u aplikua “përgjegjësi kolektive”. ( Vëmë në dukje se dëbimi i gjermanosudetëve u bë në bazë të vendimit të marrë nga Treshja e Madhe, në Konferencën e Potsdamit). Në shumicën e rasteve, ngjarjet atje janë zhvilluar në mënyrë spontane, megjithëse ligjërisht ato mbështeteshin në dekretet e Presidentit Benesh, të nxjerra gjatë verës dhe vjeshtës së v. 1945 (shumica tyre janë në fuqi edhe sot, dhe megjithëse këto 25 vjet kanë qenë në pushtet të djathtë e të majtë, asnjë qeveri apo parlament çek nuk i ka prekur), e konkretisht në “Dekretin e ndëshkimit të madh”, mbi bazën e të cilit u krijuan Gjykatat Popullore.
Lidhur me numrin e viktimave nga radhët e gjermanëve të Çekosllovakisë, janë dhënë shifra të ndryshme, por komisioni i përbashkët çeko-gjerman, i krijuar për këtë qellim, ka arritur në përfundimin, se gjatë dëbimit të tyre nga Çekosllovakia, në vitet 1945-1947, janë vrarë 20 – 30 mijë vetë, por numri më i madh i tyre janë eliminuar, ditët e para mbas largimit të pushtuesve gjermanë, apo siç është quajtur, gjatë “dëbimit të egër”.
Shifrat e studiuesve më autoritarë çekë, flasin për rreth 100 mijë vetë të dënuar, që vlerësohet si një ndër vendet me qëndrim ndër më radikalët. Sipas të dhënave zyrtare, atje janë dënuar 713 vetë me vdekje dhe 741 me burgim të përjetshëm, ndërsa mijëra të tjerë me afate të ndryshme burgimi.
Në Austri u shpallën 130 mijë vetë në kërkim, nga të cilët 23 mijë iu nënshtruan proceseve gjyqësore, ku u dënuan 13.600 vetë, ndër të cilët 43 vetë me vdekje.
Tërheq vëmendjen qëndrimi i Vatikanit ndaj kryeministrit të “Republikës Sllovake” Tiso. Për qëndrimin e mbajtur gjatë luftës, Vatikani e dënoi, sipas ligjeve të tij, vendosi ta hiqte nga lista e prelatëve, madje siç shkruajnë disa studiues edhe e shkishëroi…
Ndërmjet vendeve ndërluftuese të Luftës Dytë, Bashkimi Sovjetik mbajti barrën më të rëndë, qoftë për nga shkatërrimet e dëmet e pësuara, qoftë për nga numri i të vrarëve. Vërtetë ai kishte numrin më të madh të atyre që luftuan me armë në dorë kundër pushtuesit, por ai kishte edhe numrin më të madh të kolaboracionistëve.
Për shumë vite ata cilësoheshin si tradhtarë, spiunë apo bashkëpunëtorë të pushtuesit, por rrallë e me raste, sepse propaganda hyjnizonte heroizmin e popujve sovjetikë gjatë Luftës Patriotike. Problemi i kolaboracionistëve shmangej me qëllim, madje si term filloi të përdorej vonë, mbas viteve 90-të.
Sipas të dhënave të arkivave gjermane, në zonat e pushtuara, në v.1943 gjermanët kishin përfshirë në reparte të rregullta ushtarake e policore rreth 800 mijë shtetas sovjetikë, madje rreth 75 për qind e legjionarëve të huaj të Vermahtit ishin shtetas sovjetikë. Po sipas këtyre të dhënave, numri i kolaboracionistëve sovjetikë ka arritur në rreth 1.5 milionë sovjetikë, nga të cilët 1.2 milionë u përfshinë në forcat e armatosura gjermane (trupat SS, Vermaht, polici, reparte ndihmëse) etj.
Me shtetas sovjetikë u krijuan njësi të tëra ushtarake në shërbim të Hitlerit si “Ushtria Çlirimtare Ruse”, “Ushtria Popullore Kombëtare Ruse,” “Korpusi Kazak i Kavalerisë”, “Korpusi Bjellorus”, “Divizioni Bjellorus i trupave SS”, “Ushtria Nacional Çlirimtare Ukrainase”, “Korpusi territorial Lituanes”, “Legjioni Letones”, e dhjetëra njësi të tjera mbi baza nacionale të popujve të përfshirë brenda Bashkimit Sovjetikë, duke filluar nga myslimanët e Krimesë e deri tek ata të Uzbekistanit, malësorët e Kaukazit etj.
Gjermania arriti të pushtonte një pjesë të mirë të territorit të shtetit sovjetik, territor ku jetonin mbi 90 milionë njerëz (nga 196 milionë që ishte popullsia e B.Sovjetik) por jo B. Sovjetik e as të merrte Moskën, që ishte objektivi kryesor i Hitlerit. Në ndryshim me vendet e tjera, ai nuk krijoi qeveri qendrore kolaboracioniste, megjithëse në disa nga vendet e pushtuara si në Ukrainën Perëndimore, Lituani, Letoni, Estoni etj. ai krijoi administrata, polici etj., vendase. Pikërisht në këto rajone të Ukrainës, apo republikave të Baltikut, që i ishin bashkuar me dhunë Bashkimit Sovjetik në v.1939 (sipas Marrëveshjes Molotov-Ribentrop) gjermanët gjetën shumë bashkëpunëtorë.
Griechenland, erhängter Mann in OrtschaftJanë të shumta arsyet se perse gjermanët arritën të rekrutojnë një numër aq të madh njerëzish në shërbim të tyre. Kolaboracionizmi sovjetik ka qenë më i komplikuar dhe më i shtresëzuar dhe kjo, për shumë arsye, por ndër më kryesorët përmendim: pushtimi i republikave të Baltikut dhe Ukrainës Perëndimore në v. 1939, kolektivizimi i detyruar i bujqësisë, reprezaljet e viteve 30-të, emigracioni i pas Luftës Civile, një pjesë e së cilës u vu në shërbim të gjermanëve, politika shtypëse e diskriminuese e ndjekur që në kohën e carizmit e më vonë nga pushteti sovjetik ndaj popujve jo rusë, rekrutimi nga numri i madh i robërve sovjetikë të kapur nga gjermanët në fillim të luftës (vetëm gjatë v. 1941 janë kapur 3.8 milionë robër lufte) etj.
Siç del nga shumë dokumente të publikuara vitet e fundit, Qeveria Sovjetike është sjellë në mënyrë të diferencuar në qëndrimet dhe dënimet ndaj kolaboracionistëve. Në ndryshim me disa prej vendeve europiane të pushtuara, që në fillim të luftës, kur gjermanët, brenda një kohe shumë të shkurtër (qershor-nëntor) iu afruan dyerve të Moskës, Qeveria Sovjetike nxori akte ligjore për qëndrimin ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesve gjermanë (akti i parë mban datën 12 dhjetor 1941, i dyti, 18 shkurt 1942, i treti më 19 prill 1943). Sipas një Dekreti të Presidiumit të Sovjetit Suprem, ata kolaboracionistë që kishin kryer krime kundër popullsisë civile dhe robërve të luftës, dënoheshin me vdekje, ndërsa të tjerët duhej të dërgoheshin në kampe përqendrimi, ku do të behej “verifikimi dhe filtrimi’ i tyre.
Mbas lufte, Qeveria Sovjetike u ndesh me një aspekt të ri të problemit të kolaboracionistëve. Në territorin e Gjermanisë ndodheshin miliona shtetas sovjetikë, (sipas dokumenteve të botuara, 4.2 milionë prej tyre janë kthyer në B. Sovjetik, 273 mijë nga të cilët u dërguan ne kampe përqendrimi, nga të cilët 123 mijë ish oficerë të Ushtrisë Kuqe) shumica dërmuese e të cilëve ishin dërguar atje me forcë, si fuqi punëtore ose si rob lufte. Por, krahas tyre kishte edhe prej atyre që kishin bashkëpunuar me pushtuesin dhe kishin ikur vullnetarisht bashkë me gjermanët. Megjithëse edhe sot e kësaj dite nuk ka shifra të sakta, shumica dërmuese e tyre, fillimisht u dërguan në kampe “verifikimi dhe filtrimi” siç quheshin kampet e ngritura për këtë qëllim, ku u “verifikuan dhe u filtruan” miliona njerëz dhe, ku shumica e kaluan provën me sukses. Megjithatë shumë prej tyre nuk u lejuan të ktheheshin në vendbanimet e tyre, por u dërguan me punë në rajone të tjera, për një afat gjashtë vjeçar.
Dënimi i kolaboracionistëve atje ka filluar pa mbaruar lufta. Në territoret e çliruara, u krijuan menjëherë gjykata speciale dhe, ata që kapeshin, i nënshtroheshin gjykimit dhe dënimit të menjëhershëm. Madje ekzekutimet bëheshin publikisht. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet numri i saktë i të dënuarve në atë periudhë.
Por krahas qëndrimit të diferencuar ndaj kolaboracionistëve, që u gjykuan individualisht, gjatë kësaj periudhe, që në v. 1943, Kremlini filloi deportimin e disa popujve, kombeve e kombësive me akuzën “bashkëpunëtorë të pushtuesit”, ose që nuk kishin shkuar në radhët e Ushtrisë Sovjetike, ose që kishin dezertuar, duke aplikuar dënimin kolektiv. Kështu janë deportuar drejt Siberisë, Kazakistanit e Uzbekistanit kallmikët, çeçenët, ballkarët, karacajevët, tatarët e Krimesë, gjermanët e Povollzhjes etj. Sipas të dhënave të autorëve rusë, janë deportuar 10 popuj, nga të cilët 367 mijë gjermanë nga Republika Autonome e gjermanëve të Povollzhjes, 70301 mijë karacajevë, të gjithë çeçenët dhe ingushetët, 191044 tatarë të Krimesë e shumë të tjerë.
Një fakt për të cilin është folur pak në të kaluarën, ka qenë se që gjatë lufte, por edhe mbas saj, në rajonet e Ukrainës Perëndimore, në Lituani, Letoni, Estoni në disa rajone të Kaukazit etj. njësi të rregullta ushtarake të këtyre vendeve, organizuar nga gjermanët vazhdonin të luftonin kundër Ushtrisë së Kuqe. Kështu vetëm në periudhën shkurt-tetor 1944 janë vrarë 44 mijë vetë prej tyre, janë zënë rob 37 mijë vetë, dhe janë internuar 100 mijë vetë. Gjatë vitit 1944 janë vrarë apo kapur rob 76 mijë vetë, ndërsa gjatë v.1945 janë vrarë 29 mijë vetë dhe janë kapur 36 mijë vetë.
Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare ruse, të botuara mbas viteve 90-të, në periudhën 1945-1953 në B. Sovjetik janë arrestuar 164 mijë vetë të akuzuar si kolaboracionistë.
Në ndryshim me shumë vende të tjera ku personat që kalonin në anën e armikut dënoheshin me burgime të gjata deri në dënim me vdekje, udhëheqja sovjetike, për shumë arsye, për shumicën e kolaboracionistëve vendosi dënimin e tyre me gjashtë vjet internim në kampet e përqendrimit. Në fillim të v. 1951 në këto kampe numëroheshin 355 mijë kolaboracionistë.
Në shtator të v. 1955 Presidiumi i Sovjetit Suprem nxori dekretin “Mbi amnistinë shtesave sovjetikë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjatë Luftës Patriotike 1941-1945”.
Studiues të ndryshëm japin të dhëna të ndryshme për dënimet e kolaboracionistëve sovjetikë, por të dhëna të sakta, sipas tyre, nuk mund të jepen sepse shumë dokumente e materiale të asaj periudhe mbahen akoma në arkiva të pahapura.
Me gjithë dënimet që u dhanë fillimisht, menjëherë mbas lufte, shumë njerëz në të gjithë Europën nuk ishin të kënaqur dhe i konsideronin ato tepër të zbutura. Në maj të v.1945 në Belgjikë shpërtheu një valë demonstratash, ku njerëzit kryenin vetëgjyqësi ndaj kolaboracionistëve, madje në mjaft raste fyenin edhe familjet e tyre. Në Danimarkë ku kolaboracionizmi nuk kish qenë aq i dukshëm, mbi 10 mijë vetë dolën në demonstrata duke kërkuar dënime më të ashpra, madje u organizua dhe një grevë e përgjithshme.
E dhimbshme ishte situata që u krijua mbas lufte për viktimat e pafajshme, fëmijët e lindur nga marrëdhëniet e gjermanëve me vendase. Sipas të dhënave të përafërta në Francë kanë lindur rreth 200 mijë fëmijë të tillë, në Norvegji 10-12 mijë, në territoret e pushtuara të B. Sovjetik rreth 100 mijë etj. Shumica e këtyre fëmijëve u poshtëruan në mënyrën më mizore. Për shembull, në Norvegji 90 për qind e tyre u shpallën me të meta mendore dhe i dërguan në çmendina, ku i kanë mbajtur deri në vitin 1960. Vetëm në v. 2005 parlamenti skandinav u kërkoi falje zyrtarisht këtyre viktimave të pafajshme dhe vendosi për dëmshpërblimin e tyre. Në B. Sovjetik u dërguan në shtëpi fëmijësh ku iu ndërruan emrat dhe u fshehën prejardhjen…
Kjo ishte situata që u krijua në këto vende menjëherë mbas lufte dhe qëndrimi ndaj kolaboracionistëve. Po me kalimin e kohës gjërat gradualisht filluan të ndryshonin. Ra dufi e urrejtja për ta, e kryesorja ndaj familjeve, fëmijëve e pasardhësve të tyre, që nuk u përndoqën, nuk i tregoi kush me gisht si bij të kolaboracionistëve. Me kohë filloi të “harrohej” ky problem. Dukej sikur ai i përkiste historisë, e që nuk duhej marrë më me të. Madje u vjen turp për të kaluarën e tyre dhe nuk duan ta kujtojnë dhe nuk merren me rehabilitimin e tyre dhe për më tepër me “heroizmin” e tyre…Nga Shaqir Vukaj / titulli orgjinal: Si janë ndëshkuar bashkëpunëtorët e fashizmit në Europë?!