Nga Anri Bala
Pasi gënjyen e mashtruan, qan e u betuan, se Shtatori, si revolucioni i Tetorit me Leninin digjital, do digjte e thante gjithçka… opozita u tha dhe u dogj, u tkurr dhe u poq, sa as nuk ngrihet, e as nuk i ngrihet… delli i mosbindjes, sepse nuk e ka! Jo se nuk ka dell, se vetëm delli i ka mbetur, por nuk ka nerv me gjak, sepse e ka shteruar për të nginjur pangopsinë e saj… për pushtet.
Të vjen keq, por edhe të vjen mirë, që këta “derbeder”, kurrë nuk e kuptuan, se janë ulur në vend të gabuar. Aty ku duhen burra… janë shqepur gra, e aty ku duhen vajza… janë qepur burra, që megjithëse janë shqyer e çaplyer, betohen për virgjërinë… e atyre.
Mirëpo, hajde besoi e më keq… hajde dëgjoi ankimet e mallkimet e tyre, kundër atyre që i paskan çvirgjëruar duke u marrë zanatin, atë më të vjetrin në botë, që për faqen e zezë të tyre, tani po e bëjnë falas.
A e dini pse, sepse nuk ka kush i paguan?! Sepse janë aq të lodhur, sa nuk bëjnë as për të të hequr çoprapet e jo më, për të vënë kapuçin.
Tani nuk kanë gjetur rrugën e premtimit dhe janë futur në atë të nënshtrimit. E patë si e “mbrojtën” teatrin magazinë, që u rrënua e u shemb, që kur ata i’u afruan për ta mbrojtur?! I patë si ndenjën sot të heshtur, pasi morën premtim, se do garonte kush të donte për ta shembur, por edhe për ta ndërtuar… kur ne prisnim “tym e flakë”, që zjarri imagjinar në kokën e tyre, që ishte ndezur nga vapa e gushtit, të ndizej aty… siç mashtruan?!
Po kush ta ndizte zjarrin, kur nuk ekzistonte as shkrepëse, as fitil e as barut, veç një shkëndijë në fikje e imagjinatës së tyre, e i ftohtë i indiferencës së qytetarisë, që i kthyen me këmbë në tokë ata, por edhe ato… të gënjyerit e fundit.
Tani, unë nuk mund ta njollos emrin e opozitës së vërtetë dhe të më falenderoi kjo “paidentitet”, se po e pagëzoi me emrin, që i takonte… “pompozitë”, si një abstraksion i fryrë nga fuqia imagjinare, i të fortit të “cofun”.
Nuk i ka mbetur asgjë, që të mund ta ndihmoi, që të kthehet aty ku ishte ose aty ku duhet të ishte, sepse ka dy ylber për të kaluar: Ylberin që të kthehet “opozitë” dhe ylberin që të bënë “pozitë” …e ky është mision për vizionar!
A mund ta bëj?!
Vështirë se mundet t’i mbjetoi “gjyles”, që i ka rënë në mesin e shtëpisë së saj, ku mblidhen gjithfarë kryetarësh tribush, pa asnjë anëtarë dhe duan të jenë të parë. Për të mos i fyer fiset indogjene, se edhe ata kanë rregullat e tyre, që nuk i pranojnë as majmunët e jo më kafshët e egra, si pjesë e tribusë, ne mendojmë se “pompozita” ua kalon… me larminë e ngjyrave, llojeve, racave me brekë, pa brekë, me gjethe, pa gjethe, me turp, pa turp, me surrat, pa surrat dhe… krenarinë se po “shtohet”.
Shtimi nuk është bashkim, por një rrezik i madh për zhdukje, në luftën midis llojeve për mbijetesë ose seleksionim natyral. Pra “pompozita”, në vend që të mbushi pisqollën për të trembur pozitën, ka lagur brekët edhe atë pak barut, që i ka mbetur, duke i shpërthyer në dorë… duke e verbuar.
Na vjen vërtet keq, se si u katandisën ushtritë e kryetarëve pa ushtarë, në një garnizon imagjinarë, me pisqolla të ndryshkura, e me barut të lagur, që tashmë asnjë muze nuk i pranon as si relike.
Kur shikon një turmë “kollaresh”, që duan të na i varin ne në qafë, që numërojnë mijëra ushtar me… mend, nuk ka si të mos ndjehesh keq, e të ulërasësh: Kush janë të marrët në këtë vend, ne që i kemi lejuar të na drejtojnë “më të mirët e të këqinjëve”, apo ato që presin që t’i udhëheqin ato, që flasin me vete, më të këqinjtë e të këqinjëve… të çmendurit!/Ekskluzive.al