Bullizmi nuk është një fenomen që ndodh “diku tjetër”, apo thjesht një “shaka fëmijësh”.
Ai është një krizë që po prek miliona fëmijë në botë dhe është i pranishëm edhe në korridoret e shkollave tona, në kafenetë ku ulemi dhe, më e rëndësishmja, në ekranet e telefonave që fëmijët tanë mbajnë në duar çdo sekondë.
Shifrat janë alarmante: 1 në 3 nxënës në botë, përfshirë Shqipërinë, përjeton bullizëm.Edhe më tronditës është fakti se 1 në 10 nxënës mungon në shkollë vetëm për të shmangur ankthin e bullizmit.
Në këtë realitet të vështirë, një video ndërgjegjësuese që po qarkullon në rrjete, e realizuar nga studentët e Universitetit Bedër në kuadër të fushatës “Peace and Harmony”, po tregon se brezi i ri ka forcën për ta thyer këtë cikël dhune.
Në këtë video, të rinjtë nuk flasin me teori, por me emocione të zhveshura.
Ata tregojnë se si një fjalë fyese, një tallje për shkak të pamjes, besimit apo prejardhjes, lë plagë të përhershme emocionale që ndikojnë në vetëbesimin dhe zhvillimin e një njeriu për gjithë udhëtimin e jetës së tij. Bullizmi nuk ndodh vetëm ballë për ballë; ai tashmë i ndjek fëmijët edhe online, duke i çuar ata drejt ankthit, depresionit dhe vetëizolimit.
Mesazhi i studentëve është një goditje në ndërgjegje: “Bullizmi nuk të bën të fortë, të bën të dobët”.
(Kliko mbi videon e më poshtme për më shumë)
Ky projekt editorial, i koordinuar me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëmnë bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, pjesë e fushatës për paqe, harmoni dhe kohezion social, vë në dukje një të vërtetë të hidhur: bullizmi është shpesh hapi i parë drejt radikalizmit.
Kur një i ri ndihet i përjashtuar dhe i vetmuar, ai bëhet pre e lehtë e ideologjive ekstremiste. Prandaj, ky video-mesazh është një manifest për dinjitetin njerëzor.
Të dish të njohësh shenjat e bullizmit është hapi i parë drejt parandalimit, dhe shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt ku çdo fëmijë ndihet i mbrojtur.
Komuniteti, mësuesit dhe prindërit duhet të jenë zëri që thyen heshtjen. Besimet tona mund të jenë të ndryshme, por vlerat tona janë të përbashkëta: mirësia, respekti dhe harmonia sociale. Vlera dhe forca e një shoqërie tregohen nga mënyra si ajo trajton dhe mbron më të dobëtit.
(Grafikë e fletëpalosjes me informacion dhe fakte: 1 në 3 nxënës…).
Nëse ti je dëshmitar i bullizmit, mos qëndro spektator! Heshtja është miratim që kthehet në normalizim të dhunës. Fakti është se çdo herë që dikush kundërshton bullizmin, ai ka 50% më pak gjasa të vazhdojë. Bëhu ti ai zë.
Bëhu krahu mbështetës për shokun apo shoqen tënde, për nxënësin tuaj, për fëmijën tënd, apo këdo që në heshtje vuan. Çdo akt i vogël mirësie ka rëndësi. Gjithçka nis me ty. Ngrihu. Fol. Ji ndryshimi që dëshiron të shohësh. Bashkë mund të ndërtojmë një botë ku asnjë fëmijë nuk ecën vetëm.
Na ndiqni për më shumë rreth fushatës sonë në: www.knfsh.al
Kjo fushatë ndërgjegjësimi u zhvillua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në
kuadër të Programit Botëror për Forcimin e Rezistencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm
(STRIVE), të zbatuar nga Hedayah në partneritet të ngushtë me Qendrën e Koordinimit kundër
Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri dhe Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH). Vetëm autorët mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen e saj, e cila nuk pasqyron domosdoshmërisht
pikëpamjet e Bashkimit Evropian.




