Sali Berisha publikoi ditën e sotme videon ku një grup të miturish dhunonin barbarisht një bashkëmoshatar të tyre dhe ushtronin dhunë psikologjike ndaj tij. Pamjet skandaloze të xhiruara nga vetë dhunuesit, u risollën nga Berisha duke i shfaqur edhe fytyrën djalit të dhunuar. Lidhur me publikimin e kësaj videoje, gazeta “TemA” bëri një ankesë pranë “Facebook” ku shprehu shqetësimin lidhur me materialin e shpërndarë i cili jo vetëm cënonte dinjitetin e të miturit të dhunuar, por duke i shfaqur identitetin i shkakton atij një traum të përsëritur.
Ndërkohë, pasoja ka edhe te fëmijët e tjerë që e shohin këtë video pasi referuar studimeve, duke ndjekur një model agresiv, të miturit e imitojnë atë, madje mundohen të krijojnë mënyra të reja për të stimuluar sjellje të dhunshme.
Fill pas ankesës, kompania ka marrë masa duke e bllokuar materialin e shpërndarë.
Edhe pse ligjërisht dhe institucionalisht kuadri i mbrojtjes së fëmijës duket i garantuar, nevojitet më shumë përgjegjshmëri kur bëhet fjalë për “të miturit” pasi ata nuk mund të përdoren si mjet nga politika për të justifikuar qëllimet.
Dhe në këtë rast Berisha është i pamëshirshëm për të përdorur jo vetëm fëmijët, por edhe të vdekurit.
(TemA)