Partia Demokratike do e shfrytëzojë sesionin e ri parlamentar për të goditur dhe tentuar zhbërjen e reformës në drejtësi. Dje Lulzim Basha propozoi 7 pika për konsensus me mazhorancën, ndërsa gazeta ka mësuar nga burimet detaje nga ajo se çfarë do të ndodhë në vjeshtë.
Plani është që në fund të shtatorit të ngrihen KLGJ e KLP, dy organe shumë të rëndësishme të reformës. Por Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa nene dhe KLGJ e KLP nuk marrin dot vendime për asgjë. Këshilli i Legjislacionit ka nisur diskutimin e neneve, por puna është bllokuar. Për miratimin e neneve duhen 84 vota dhe pikërisht PD ndryshimin e neve do e kushtëzojë me miratimin e 7 pikave që Basha prezantoi dje.
Por nëse dhe ky plan dështon, atëherë demokratët kanë në mendje një plan të dytë. Gazeta ka mësuar se PD do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sapo ajo të ngrihet. Në shumë ligje të reformës që u ankimuan, si ai i statusit të gjyqtarëve apo ai për organet e reja, nuk pati dot vendim pasi Kushtetuesja nuk siguronte dot votim me shumicë të cilësuar siç kërkojnë këto ligje.
Plani është që sapo gjykata të jetë gati, të njëjtat nene të riankimohen. Kjo do të thotë se do kemi një luftë me ndërkombëtarët. SHBA e BE kanë dalë kundër lëvizjeve të opozitës dhe kjo ka bërë që PD dhe LSI të sulmojnë ambasadorët Lu e Vlahutin, e madje komisionerin Hahn. Shpresat e opozitës janë te dy ambasadorët e rinj që do vinë.
Por deri më tani sinjalet janë se plani i tyre që të marrin mbështetjen e tyre do dështojë. BE do sjellë në Tiranë një ekspert të drejtësisë dhe qëllimi i ardhje së tij është që të mbyllet reforma në drejtësi. Ai është zgjedhur nga Mogherini , e cila e ka mbështetur këtë reformë. Ndërsa ambasadorja e SHBA është një emër që ka shërbyer që në periudhën e Hillari Klinton dhe nuk i përket administratës së Trump, sikundër shpresonte opozita.