Mendohet se 1 milionë euro do të ishte shpërblimi për vrasësin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, e planifikuar në muajin shkurt, pikërisht gjatë nisjes së fushatës për zgjedhje.
Mediat serbe kanë hulumtuar lidhur me informacionin për vrasjen, duke mësuar se për vrasjen e presidentit të Serbisë është punësuar një profesionist nga Çeçenia.
Emri nuk është bërë ende me dije por ekzekutori është një vrasës profesionisht me përvojë të madhe në luftat që ka kaluar vendi i tij e me precizion të paparë në përdorimin e snajperit.
Çeçeni, ishte punësuar prej njërit nga liderët e klanit “Kavaç”, Radoje Zvicer, i njohur me pseudonimin Miki Plavi Debeli, i cili ndodhet në arrati.
Ka dyshime që ai mund të ketë ikur në vendet e Amerikës Latine, por mendohet se në fakt është më i sigurtë në Mal të Zi. Kjo edhe sepse i ruhet grupit rival që do ta ekzekutojë.
“Zvicer fshihet jo vetëm nga policia, por edhe nga anëtarët e grupit rival, të cilët e mbajnë nën kontroll prej kohësh. Kur i shpëtoi kurthit në Kiev, pasi doli nga spitali, u kthye në Mal të Zi.
Ishte vendi më i sigurt për të. Prej aty ai menaxhonte kontrabandën e kokainës. Aty ai kishte mbrojtjen e majës së shtetit”, thotë burimi për mediat serbe.
Alarmi për atentatin ndaj Vuçiç u dha nga Europoli më 14 janar për autoritetet serbe, të cilat kanë marrë masa.
Ndërkohë që dyshohet se porositësi i atentatit ishte presidenti malazez Milo Gjukanoviç, i cili po bashkëpunon ngushtë me liderin e arratisur të klanit Kavac, Zvicer.
Në foto Radoje Zvicer