Policia italiane ka zbuluar një plantacion të madh marjuane në komunën e Trinitapolit në Puglia. Në plantacionin e zbuluar nga Guardia di Finanza e Margherita di Savoia janë gjetur rreth 1700 bimë kanabis të lartësive të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave ishte gati për korrje dhe përpunim.
Gjatë aksionit të policisë, janë arrestuar 4 persona, konkretisht dy italianë, një shqiptar dhe një shtetas nga Venezuela. Gjithashtu një tjetër shqiptar është identifikuar si bashkëpunëtor dhe do të ndiqet në gjendje të lirë.
Plantacioni i bimëve narkotike ishte i pajisur me një sistem të përsosur ujitjesh si dhe i mbikëqyrur me kamera sigurie të vendosura në pemë. Pas konstatimit të plantacionit, policia italiane ka sekuestruar lëndën narkotike.
I gjithë plantacioni do të prodhonte rreth tre kuintalë marijuanë, nga e cila mund të merreshin 250 mijë doza, me një vlerë përfitimi të paktën 2,5 milionë euro.