Shpërthen konflikti mes organeve të reja të drejtësisë dhe politikës. Që kur nisi reforma në drejtësi dhe deri më sot, drejtësia është përballur me presione dhe ndërhyrje të vazhdueshme nga ana e politikës.
Ndërhyrjet e presidentit te organet e drejtësisë janë të pafundme, ndërsa në disa raste edhe Kuvendi është bërë protagonist. Por Këshillit të Lartë Gjyqësor duket se i është sosur durimi me këto ndërhyrje të vazhdueshme. Para se të mbyllej sesioni parlamentar, ndaj KLGJ pati valë kritikash nga ana e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, nga kreu i Komisionit të Ligjeve dhe nga disa deputetë.
Gjatë raportimit të kryetares Naureda Llagami në Komisionin e Ligjeve pati mjaft kritika, të cilat vijuan dhe në seancën plenare. Më pas Kuvendi doli dhe me një rezolutë për KLGJ, e cila nuk është pritur aspak mirë nga ana e “qeverisë së gjyqësorit”. Gazeta ka siguruar procesverbalin e datës 9 korrik të KLGJ, ku kryetarja ka prezantuar rezolutën e Kuvendit, e cila është pritur me mjaft kritika.
KLGJ kundër Kuvendit
Kuvendi ka dalë me një sërë rekomandimesh ndaj KLGJ, sidomos sa u takon emërimeve në Gjykatën e Lartë, por për dy anëtarë kjo rezolutë dhe kritikat e artikuluara publikisht janë një shkelje e hapur e privatësisë. “Parimi i ndarjes së pushteteve më detyron që në këtë rast të riflas dhe të ritheksoj atë që dhe kam folur seancën e kaluar.
Është një nga parimet më të rëndësishme të Kushtetutës të përcaktuar në nenin 7 dhe synon mbi të gjitha të mënjanojë rrezikun e përqendrimit të pushtetit të një organi apo personave të caktuar, e cila në vetvete sjell edhe rrezikun, shpërdorimin e pushtetit.
Për këtë qëllim, pavarësisht se pushteti shtetëror është një dhe i pandarë, brenda tij ka një sërë ndërthurjesh dhe raportesh të ndërsjella që Kushtetuta krijon nëpërmjet segmenteve të caktuara të tij. Pra në thelb, në bazë të këtij parimi, tri pushtetet qendrore duhet të ushtrohen jo vetëm në mënyrë të pavarur, por edhe në mënyrë të balancuar”. ka thënë anëtari Alban Toro.
Madje ai ka përmendur dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e përcakton qartë pavarësinë mes institucioneve. Sipas zotit Toro, ligji për raportimet e Kuvendit e përcakton qartë që KLGJ i merr parasysh rekomandimet vetëm nëse ato nuk cenojnë pavarësinë e saj. Por ai ka shtuar se ato janë më shumë urdhra sesa rekomandime. “Le t’i rikthehemi dispozitivit, nëse mund ta quaj kështu, të Kuvendit, të ashtuquajtur rekomandim të sjellë nga Kuvendi, i cili thotë:
“Kuvendi i Shqipërisë, për vitin 2020 i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor, shpalljen menjëherë të gjithë vendeve të lira…”, pra në gjuhën shqipe, forma quhet “formë urdhërore”, që do të thotë, kemi një urdhër që duhet të bëjmë disa gjëra”, tha ai.
Presidenca e Kuvendi ndërhyrje në KED
KLGJ nuk është i vetmi institucion ku ndërhyjnë institucionet politike, pasi në listë është padyshim dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili për më shumë se një vit është kthyer në tabelë qitje nga Presidenca. Gazeta ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së datës 10 shtator 2020, ku kryetarja Vitore Tusha informon se Kuvendi dhe Presidenca i kanë dërguar nga një letër, ku kërkojnë të mbyllet sa më shpejt procesi i verifikimit për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese.
“Vitore Tusha informon se Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit kanë përcjellë një shkresë me datën e sotme në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, ku inkurajojnë dhe mbështesin veprimtarinë e KED-së që të veprojë sa më shpejt.
Gjithashtu, Kuvendi ka paraqitur edhe opinionin e përkthyer nga ekspertja, përkthyesja zyrtare Adelina Ibrahimi, pas vërejtjeve që u bënë në mbledhje e shkuar”, thuhet në procesverbal. Pra duket se ndërhyrjet e politikës nuk rreshtin në organet reja të drejtësi dhe KLGJ ka filluar të japë sinjale se kjo gjë nuk i pëlqen. Sinjalet janë të qarta se lufta mes politikës dhe drejtësisë po nxehet dhe nga ana tjetër po tregohet se koha kur KLD ishte në shërbim të politikës po merr fund, pasi KLGJ i ka dhënë një mesazh të qartë politikës se nuk duhet të fusë shumë hundët në sistemin e drejtësisë.