Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Parlament ditën e djeshme, u ndal tek një çështje e nxehtë. Sipas Berishës, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka dërguar njerëz që i bëjnë presion për zgjedhjen e kryetarit të KMSH për çështjen e Gylenit.
Ish-kryeministri tha se Erdogan duhet falënderuar për xhaminë, por nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjen e kreut të KMSH. “Ka dërguar njerëz për ti bërë presion kryetari të KMSH për të dhënë dorëheqjen sepse këtë do Erdogan. E denoncoj. Nuk lejohet asnjë ndërhyrje.
I bëj thirrje presidentit të Turqisë, të sjellë çdo dosje, por që të fajësojmë ne njerëz pse janë shkolluar me fondet e Gylenit kjo nuk mund të ndodhë. Me gjithë respektin që kam për ju dhe vendin tuaj. Nuk duhet ndërhyrë për të caktuar kryetarin e KMSH.
Xhaminë të falënderojmë për ndërtimin. Por PD nesër në pushtet do të paguajmë çdo qindarkë, se për ne autonomia është shumë më e çmuar se ndërtesat e kultit” tha Berisha. Më tej ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për deklaratat e prokurorit Arjan Ndoj i cili thotë se ka regjistruar Ramën duke folur me banditë. Sipas Berishës, gjatë kohës që Rama sulmonte Ndonjën, mbi të u bë një atentat.
“Kërkoj një komision hetimor parlamentar për prokurorin Arjan Ndoj i cili thotë se e ka të regjistruar kryeministrin duke biseduar me banda dhe banditë. Mbi Ajran Ndojën u shkrepën bateri kallashnikovi. Në të njëjtën kohë Rama lëshonte breshëri mbi atë.
A ka qenë Rama mbrapa atentatit? Duhet të hetohet! S’e mbron dot Ramën nga këto. Telefoni i famshëm BQ është në analizë, po analizohen zërat. Po zbardhen mesazhet e tyre”, tha ai.
Spiropali i përgjigjet Berishës
Por akuzave të bëra nga Sali Berisha, iu është përgjigjur menjëherë ministrja për Shtetin, Elisa Spiropali. Gjatë fjalës në Kuvend, Spiropali tha se Berisha nuk ka faj që e përqesh SPAK-un pasi ende nuk e kanë arrestuar, për korrupsion dhe për vrasje. Ajo gjithashtu foli edhe për deklaratat e Berishës se Rama e ka frikë, duke theksuar se nuk ka rivalë më të lehtë për Ramës se sa Berisha.
“Sali t’i nuk ke faj që flet për prokurorë, vrasje, grabitje përderisa SPAK të sheh jo vetëm gjallë por me armën ngrehur, përndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që ende nuk jep llogari. Korrupsioni jot lemerit nga boronicat e Gërdecit tek kompleksi “Partizani” i dhëndrit, ti e bën mirë viktimën, përdersa SPAK-u nuk i dëgjon ulërimat e të vrarëve. Dua ta them këtu edhe pse me keqardhje, se është kjo shumicë që e ka mbështetur fuqimisht Reformën në Drejtësi, kur ju dilnit në rrugë pikërisht sepse Reforma në Drejtësi kërkonte vota në Kuvend. Ju i bënit presion politikës dhe drejtësisë.
Ti bën mirë që e përqesh SPAK-un e dhe quan SKAP përderisa s’të ka kapur dhe të të çojë në të vetmen karrige ku duhet të japësh llogari. Ti thua se Edi Rama po i bën presion SPAKU-ut se ka frikë nga ty politikisht, po ku ka rivalë më të mirë se ty. Rama nuk mund të gjente dot sot një rival më të damkosur se ty. Po të ishte për Ramën dhe PS kandidatura jote do ishte më mirë se asgjëja, të dalësh dhe të kundërmosh siç ke bërë për 31 vite. Ne jemi ndryshe dhe duam t’ia heqim këtë erë politikës shqiptare”, deklaroi Spiropali.
Vetëvrasja e të riut në Komisariatin e Kavajës përplas PD-në dhe PS-në
Ndërkohë seanca e djeshme në Kuvend ka nisur me debate mes deputetes demokrate Grida Dumës dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçit për rastin e vetëvrasjes së Ilvi Metës. Nga foltorja e Kuvendit, Duma nxori dy foto të qelisë në komisariatin e Kavajës, ku duket lidhësja e bluzës me të cilën dyshohet se është vetëvrarë 31-vjeçari Ilvi Meta.
Demokratja hedh akuza se Meta nuk është vetëvrarë dhe fotot sipas saj e tregojnë qartazi, madje nuk ka as nevojë për ekspertizë për të vërtetuar se ai nuk vrau veten. “Sa herë ndodhte një vjedhje e kapnin e rrihnin dhe ishin mësuar me faktin se ka gabuar dhe do jetë gjithmonë fajtori.
Mendoni sesa janë ata që nuk mbrohen dhe nuk nxjerrin dot të drejtën e vet. Problemi më i madh është një njeri që dikur, për shkak kjo shoqëri nuk ka një sistem vlerash, një institucion riedukimi, mund të çojë deri në vdekje të fshehura apo vetëvrasje të ndodhur nga depresioni, s epo i rrëshqit këmba të varfrit je i mbaruar”, tha Duma.
Çuçi mohon akuzat: Janë aludime politke nga Partia Demokratike
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili thotë se akuzat e bëra nga opozita se Ilvi Meta është rrahur barbarisht nga policët nuk janë të vërteta. Ai tha se çdo moment, nga momenti kur ka qenë në oborrin e komisariatit e deri në momentin kur është dërguar në mort.
“Më vjen keq që aludoni për gjëra që nuk qëndrojnë dhe akuzoni strukturat sikur ata janë kriminelë dhe vrasës, ta lëmë pas këtë retorikë të vjetër dhe ju si përfaqësuese e re e këtij parlamenti duhet të jeni në pararojë të shkëputjes nga kjo retorikë, faktet janë të plota është ekspertiza mjekoligjore, janë 25 mjekë, 3 punonjës policie në burg për një neglizhencë dhe dosja është e plotë është e zbardhur, janë të filmuara çdo sekuencë që nga momentin që është ndaluar nga policia, është proces verbali, dhe janë të filmuara që kur ka qenë në oborr dhe deri sa është larguar drejt mortit, ju ftoj që të shikoni të gjitha”, tha ministri Çuçi.
Duma i kërkon dorëheqjen Çuçit, Ministri: Ngrini komision parlamentar
Por Duma shkoi edhe më tej, duke i kërkuar ministrit të mbajë përgjegjësinë dhe të japë dorëheqjen për vrasjen e një të riu në komisariat.
“Komisariati që duhet të sigurojë jetën përfundoi që një i ri të vrasë veten brenda Komisariati, të merrni përsipër dorëheqjen tuaj? Së dyti, thashë do respektoj hetimet, po fakti që Avokati i Popullit thotë që ka raste të përsëritura, ku një i ri kapet dhe ka qenë në depresion, edhe pse familjarët nuk e pranojnë, po ju pyes ju si prind, babai më tha kam shkuar 5-7 pasdite, askush nuk me jepte asnjë përgjigje”, tha deputetja Duma.
Por, Çuçi i tha deputetes se nëse mendon se gjykata, policët janë korruptuar mund të kërkojë hetim parlamentar. “Të të jap një përgjigje, ju thoni që bisedova me të atin. Në sekondën që është ndaluar i ndjeri Meta është shoqëruar për kontroll banese dhe ka qenë i ati në banesë nuk ka bërë asnjë kundërshtim.
Ju keni të drejtë për të bërë një hetim parlamentar nëse doni, i keni të gjithë faktet, nëse mendoni se prokurori, mjeku, gjykata, policia janë të korruptuar dhe kanë bërë komplot nuk di ca të them se kjo është përtej meje”, tha Çuçi. /Ardit Dedja