Protesta e së premtes ka ndezur përplasjet brenda Partisë Demokratike. Teksa të gjithë prisnin që të kishte tensione dhe të dërgohej një mesazh se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, nuk ndodhi aspak kështu. Protesta ishte tërësisht paqësore, pa prodhuar shumë lajm. Por një gjë e tillë nuk është kapërdirë nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ai është arkitekti i skenarit destabilizues dhe ka filluar të kuptojë se Basha po i del nga rreshti. Pas protestës, Basha mblodhi në një takim gjithë strukturat e partisë, për të diskutuar mbi mënyrën se si do të vijohet në ditët në vazhdim. Por takimi ka kaluar jo pa debate. Sipas burimeve, Berisha dhe disa ish-deputetë pranë tij kanë mbetur të pakënaqur nga protesta e së premtes dhe protesta e fundit.
Një burim i tha gazetës se Berisha ka shpërthyer në kritika të forta. Ai ka deklaruar se kështu si po vepron opozita po bëhet e pabesueshme. “Ne u premtuam qytetarëve se do e rrëzojmë Ramën dhe nuk po bëjmë asgjë. Nuk mund të veprohet më kështu sepse nuk na beson më njeri. Ky është rasti më i mirë për të larguar një herë e mirë Ramën. Nuk po shfrytëzojnë aspak dekretin e presidenti për shtyrjen e zgjedhjeve dhe përgjimet e “Bild”.
Ky shans nuk ka për të na ardhur më. Nuk vijohet më kështu. Nëse e rrëzojmë tani mirë, nëse jo, atëherë nuk kemi për ta rrëzuar më”, mësohet të jetë shprehur Berisha në takim. Sipas burimeve, ai e ka bërë të qartë se nuk duhet të ketë protesta paqësore, por duhet ashpërsuar doza e reagimit sepse nuk ka më kohë. 30 qershori po afron dhe sipas tij, pas kësaj date nuk ikën Rama.
Pra është e qartë se ish-kryeministri e do tym e flakë Shqipërinë. Në disa dalje publike ai është shprehur hapur se vendi do shkojë te përplasja civile, por Basha nuk po i përgjigjet. Kjo ka bërë që ish-kryeministri të lëshojë kritika. E njëjta gjë po ndodh dhe me ish-deputetë dhe anëtarë të PD në degë, të cilët janë të zhgënjyer me mënyrën si po veprohet.
Tërheqja e beftë e Bashës
Përgjimet e publikuara nga gjermania “Bild”, ishin një sinjal i qartë se PD e LSI po bënin gati terrenin për të shkaktuar kaos dhe tension. Madje u trumbetua se në përgjime ishte dhe kryeministri që bënte pazare votash, që si e si të nxitej reagimi publik.
Por edhe protesta e mëparshme, dhe ajo e së premtes ishin flluskë sapuni. Por pse PD e LSI u tërhoqën në mënyrë të pabesueshme nga dhuna? Përgjigjen e ka dhënë Lulzim Basha në takimin që pati me strukturat. Ai ka deklaruar se presioni ndërkombëtar është rritur ndjeshëm kohët e fundit dhe ja kanë bërë të qarët se nuk do të tolerojnë asnjë skenar dhune.
Basha ka deklaruar se ka qenë i detyruar t’u bindet ndërkombëtarëve. Dje në media qarkulluan teori se kërcënimi ka ardhur nga SHBA. Një përfaqësues i ambasadës ka shkuar në zyrat e Bashës dhe Kryemadhit dhe ja u ka bërë të qartë se nëse ka skenarë dhune, atëherë do hyjnë në listën e zezë të DASH dhe do shpallen të padëshiruar. Basha e Kryemadhi e dinë se çfarë do të thotë një gjë e tillë dhe kanë bërë një hap pas.
Mbetet të shihet se çfarë do ndodhë javën që vjen, pasi 30 qershori është 1 javë larg dhe ora po numëron mbrapsht për opozitën. Në korrik e gusht njerëzit ikin me pushime dhe askush nuk e ka mendjen te politika. Edhe sikur të rinisin në vjeshtë protestat, gjithçka është zbehur. Pra kjo javë është vendimtare për PD e LSI dhe mbetet të shihet se si do të veprojnë./ Kliti Topalli