Koncesioni i shërbimit të laboratorëve ka përfunduar në Strukturën e Posaçme Kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Koncesioni i laboratorëve është i katërti në shëndetësi pas Check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të sallave kirurgjikale, ndërkohë që pritet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 13 miliardë lekë në 10 vjet ose rreth 100 milionë dollarë.
Por ashtu si “Check up-i”, edhe Koncesioni i shërbimit të laboratorëve dyshohet se është dhënë në shkelje të ligjit. Alarmin e ka dhënë Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në përmes një njoftimi bën me dije se gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lidhur me procedurën e dhënies së këtij koncesioni. Për pasojë, KLSH thekson se ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme 8 funksionarë të lartë të ministrisë dhe 2 punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë ushtrimit të auditimit financiar dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e tetë funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftimin e tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon edhe abuzimet që kanë ndodhur në Koncesionin e shërbimit të laboratorëve, sikundër janë shkeljet me pajise luftarake. Ndërkohë në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhjetë punonjës të lartpërmendur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Por edhe pse bënë me dije se i ka kallëzuar penalisht, KLSH nuk ka zbuluar emrat e punonjësve të përfshirë në abuzime.
Drejtor i kabinetit të Ministrisë së Shëndetësisë, Erjona Hoxha përfundon në SPAK
Përveç 10 zyrtarëve të lartpërmendur, në SPAK ka përfunduar edhe shefi i kabinetit të ministres Manastirliu. Në një njoftim të dytë, Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri me dije se gjatë një auditi të zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë, rezultoi se shefi i kabinetit të ministrisë ka kryer shkelje.
“Nga auditimi i kryer janë evidentuar veprime të Drejtorit të Kabinetit pranë MSHMS, në cilësinë e Koordinatorit të Përgjithshëm të Projektit “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor”, si edhe ish Drejtorit të FDSKSH-së lidhur me mos funksionalitetin e sistemit të menaxhimit financiar në 420 QSH-ve, të kryera në kundërshtim flagrant me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë detyrën e tyre funksionale, të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë konsumim të elementeve të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Për sa më lart cituar, KLSH ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, kallëzimin penal për dy funksionarët e lartpërmendur”, thuhet në njoftimin e KLSH.